I egri e hëngri të bardhin
Nga: Moikom Zeqo
Claude Levi-Strauss e tregon një parabolë.
Një misionar i krishterë në shekullin XVII, diku në Afrikë a në Zelandën e Re (vendi në të vërtetë nuk saktësohet përfundimisht) shkoi midis fiseve të egra. Pamja e tij e habiti të egrit e paepur, gati lakuriq, që mbanin gjerdanë prej dhëmbë krokodili dhe vertebra gjarpri.
S’e shpjegonin dot praninë e njeriut të bardhë.
S’e ngacmuan nga ndrojtja e tyre (ndoshta e shenjtë.) Të egrit qenë kanibalë. Hanin kërmij, tru të gjallë majmunësh, ndonjëherë peshq, por më shpesh kundërshtarët luftëtarë. Gjallimi i tyre qe përleshja rituale.
E pabesueshme: prifti misionar e mësoi gjuhën e tyre primitive, ku foljet “jetoj” dhe “ha” ishin e njëjta gjë, kurse koncepti për vdekjen nuk ekzistonte.
Të egrit nuk e kuptonin se ç’ishte vdekja as për të tjerët as për veten e tyre.
Prijësi i të egërve, që mbante në veshët e shpuar një kthetër jaguari dhe një kthetër shqiponje shprehte simpati (gjeste mirëkuptimi) me priftin e bardhë.
U bë e zakonshme të bënin biseda lakonike, të çuditshme. Me kuptimshmëri të pamjaftueshme.
Prifti i foli (aq sa mundej) për ungjijtë, PËR Krishtin. I egri i lemeritshëm, por dhe madhështor përpiqej të mësonte diçka (pavarësisht se qytetërimi s’perceptohej prej tij si botë tjetër më vete).
I bardhi synonte t’i shpjegonte ç’është vdekja. Qe absolutisht që i egri ta kuptonte vdekjen. Jetën po. Vdekja s’kishte asnjë kuptim. Aherë misionari e bëri një lloj shpjegimi, fatkeqësisht teologjike. Ai tha qeniet e gjalla vdesin sepse kështu do Zoti i madh dhe i vetëm.
I egri duke mos e kuptuar (ditur) vdekjen, s’arrinte dot dhe tek ideja universale për Zotin. Ahere misionari i mëshirshëm i foli për ringjalljen, njerëzit që e donin Zotin, çmoheshin nga Zoti dhe mbas vdekjes i ringjallte për të jetuar një jetë të re, më të mirë, më të ndritshme.
I egri e dëgjoi këtë me kërshëri. E pyeti disa herë për ringjalljen. Koncepti i ringjalljes ju duk më i afërt, shumë më i kuptueshëm. Kjo bisedë u bë në muzg buzë një lumi me krokodilë, nën një palmë shekullore.
I egri e pyeti sërish për ringjalljen. I bardhi buzëqeshi. I tha se ai ishte njeri i Zotit, gjithçka që shpjegonte qe tërësisht e vërtetë. U duk disku i madh i Hënës. Mbaroi dita, që s’ngjante me të tjerat. I egri u duk sikur po ngazëllohej. I pëlqente shumë ky njeri i bardhë, i pafuqishëm, por që atij po i mësonte diçka. Kjo iu duk shumë miqësore. Gati një zbulim për trurin e tij brenda natyrës, por shumë pak të aftë për çdo gjë jashtë natyrës.
I egri ngriti dhe uli krahët disa herë, shenja e një ekstaze.
Mëngjesin e nesërm i egri e hëngri të bardhin pikërisht se besoi tek ringjallja që ia mësoi i bardhi. Qe një formë naive dhe fillestare e besimtarisë. E hëngri që ta kishte brenda trupit të tij, tërë trupin e misionarit i cili me siguri do të ringjallej nga Zoti i tij. Me këtë mënyrë të sigurt, të padyshimtë, do të ringjallej dhe ai vetë, pra do të kishte dy ringjallje! Pohim i dyfishtë për Zotin e vetëm dhe largpamës.
Claude Levi-Strauss subjektin e parabolës e sheh në rrafshin e antropologjisë strukturaliste, gjakftohtë, pa rënë në mëkatin e komenteve shterpe, ku ngatërrohen tërë letrarët, por sidomos filozofët, e njëjta racë me teologët. Komentet e abstrahojnë (e artificializojnë) natyroren. Akti i prijësit të të egërve (tashmë të zhdukur dhe të paverifikueshëm në xhunglat afrikane) ishte në harmoni me natyrën. Lëviz, s’humbet së bashku me natyrën. Përjetësisht.