Imzot Gjergj Meta mbi fjalën e Papës Françesku për ipeshkvijtë italianë
R.SH. – Vatikan
Pas fjalës së Papës Françesku, i cili dje, në hapje të asamblesë së përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në Sallën e Sinodit, në Vatikan, u përqendrua mbi kolegjialitetin, përshpejtimin e proceseve martesore dhe marrëdhëniet e ipeshkvijve me meshtarët, sot, kreu i ipeshkvijve italianë, kardinali Gualtiero Bassetti, vendosi në “tryezën e punës” së krerëve të Kishës, vetitë e Krishtit: përvujtërinë, dhurimin pa interes dhe gëzimin, cilësi që s’mund të mungojnë ndër të krishterët.
Mënyrë e re për të qenë Kishë
“Mënyrat dhe mjetet për një prani të re misionare”: kjo është tema e kësaj asambleje të 73-të të Kishës italiane. “Nuk do të thotë të vendosim njëra pas tjetrës një sërë veprimtarish për t’u realizuar”, nënvizoi kardinali Bassetti, por ta kuptojmë Kishën në mënyrë të re. Realiteti bashkëkohor është i larmishëm, prandaj nuk mund të zbatohet kudo i njëjti plan baritor, por kudo, Kisha është e thirrur të vendosë Krishtin në qendër të punës së saj. Kardinali përshkoi problemet aktuale, nga nevoja për një normativë të re kushtuar të ashtuquajturit “Sektori i tretë”, tek rindërtimi i zonave të dëmtuara nga tërmeti e tek thirrja për të votuar në zgjedhjet evropiane e për të konfirmuar rrënjët e krishtera të Evropës.
Papa Françesku në Bari për Takimin mbi Mesdheun
E në Evropë bën pjesë edhe Mesdheu, prandaj, nga 19 deri më 23 shkurtin e ardhshëm, në Bari, do të mbahet një Takim reflektimi e përshpirtërie për paqen, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve të të gjitha vendeve mesdhetare. “Papa Françesku – njoftoi kardinali Bassetti – jo vetëm e bekoi nismën, por i vuri edhe vulën e tij, duke siguruar se do të marrë pjesë”.
Imzot Gjergj Meta, në asamblenë e ipeshkvijve italianë
Në asamblenë e ipeshkvijve italianë merr pjesë edhe Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit. Në këtë intervistë me don David Gjugjën, ai komenton fjalët e djeshme të Papës Françesku në hapje të punimeve. Ta dëgjojmë…