Ja se si ndëshkoheshin gratë për tradhti bashkëshortore
Nga Albert Vataj-
Ja se si ndëshkoheshin gratë për tradhti bashkëshortore
Kjo foto është bërë në korrik të vitit 1913 nga fotografi francez, Stéphane Passet, i cili u punësua nga filantropi Albert Kahn, pionieri i fotografisë me ngjyra. Foto është e njohur dhe e publikuar pafund nëpër internet, por pak e trajtuar në aspektin shterues. Siç shihet, në këtë imazh është një grua mongole e dënuar me vdekje, e akuzuar dhe e dënuar për tradhti bashkëshortore.
Fotografi u shfaq për herë të parë në revistën prestigjioze, National Geographic, në vitin 1922. Gruaja e ngujuar në arkën prej druri u dënua me vdekje, sipas kodeve zakonore mongole. Ajo do të qëndrojë aty e mbyllur në kuti derisa të vdesë nga uria ose nga etja.
Tasat përtokë pranë saj mbusheshin me ujë ose ushqim shumë rrallë, me gjasë nga dikush i afërm ose nga ndonjë person i autorizuar, që kishte për detyrë të ndiqte me korrektësia zbatimin e ligjit. Kjo “bujari” e ndëshkuesve nuk i shpëtonte jetën asaj, vetëm sa zgjaste agoninë, duke e bërë fundin më të ngadaltë dhe më të mundimshëm, por edhe duke e prezantuar atë si një model frike.
Kutia do të ishte shtëpia e përkohëshme dhe arkivoli i saj.
Siç sitova më lart, fotografia është realizuar nga Stéphane Passet, për llogari të milioneri parizian Albert Kahn, ambicia e të cilit ishte të shkruante historinë e botës parmes fotografisë, të sillte përmes imazheve si kjo foto, traditat dhe zakonet e kulturave të ndryshme nga çdo cep i globit.
Pjesë e sfidës së filantropit ishte edhe Shqipëria, ku ai bëri disa foto të rralla, të cilat përcjellin gjithashtu realitetin e atyre viteve, ku merr vëmendje të veçantë tradita jonë e veshjeve, por edhe episode nga përditshmëria. Kujtojmë foton historike që Albert Kahn i bëri Pazarit të Vjetër të Shkodrës, Bexhistenit, pasi ai u dogj nga malazezët, që e kishin plaçkitur më parë, në fundprillin e vitit 1913, të cilët u detyruan të linin Shkodrën e pushtuar, sepse faktori ndërkombëtar, e veçanërisht Austro-Hungaria, e kishin dhënë verdiktin, që Shkodra t’i mbetej shtetit shqiptar.
Shumëkush që e ka parë këtë foto të gruas së dënuar me vdekje në këto rrethana, ka menduar se sa mizorë ka qenë fotografi, i cili nuk e ka shpëtuar gruan fatkeqe.
Stéphane Passet duhej të dokumentonte përmes fotografimit, kurrsesi jo të ndërhynte. Sikur ai ta lironte gruan, do të ishte shkelje e një prej udhëzimeve më të rëndësishme të antropologëve, por edhe cenim i normave zakonore të vendasve.
Ka patur debate gjithashtu edhe për autorësinë e fotos por edhe për autenticitetin e saj. Foto është origjinale dhe në të nuk ka asnjë manipulim. Kjo shkrepje që renditet në ato foto që kanë rrëmbyer një interes të pazakontë, është një nga shumë e shumë foto të tjera të galerisë së Albert Kahn.
Jemi mbi një shekull më pas, dhe kjo mënyrë ndëshkimore mongole për gratë tradhtare ngjeth ende edhe pse ajo i përket të shkuarës dhe praktikave johumane. Por mbetet shokus fakti, se në disa vende të botës së qytetëruar, ende aplikohen të tilla dënime (?!), madje më mizore të vrasjes së grave të pretenduara si shkelëze të kurorës.
Albert Vataj