“Joker”, në garë edhe për muzikën e filmit

Jo vetëm për rrëfimin dhe rolet e aktorëve, por filmi “Joker” ka hyrë në garë edhe për kolonën zanore të filmit.

Është 36-vjeçarja, Hildur Gudnadottir, e cila është bërë gruaja e parë që ka fituar çmimin “Golden Globe” për krijimin e muzikës në filmin “Joker”.

Ajo është nominuar edhe për shpërblimet “Oscar” dhe “Bafta”, raporton KTV.

Islandezja deri tash ka bërë jetë të qetë në Berlin, por tani ajo pritet t’iu bashkohet yjeve të Hollivudit në tepihun e kuq.

36-vjeçarja thotë se ka ushtruar që nga mosha 4-vjeçare derisa suksesin e saj e lidh edhe me fat.

“Ka pasur shumë diskutime për rolin e gruas në industrinë e filmit e atë të muzikës. Në përgjithësi duam të dimë se ku janë gratë”, ka deklaruar ajo.

Ajo është gruaja e pestë kompozitore që nominohet për “Oscar” në 92 vjet.

Ajo thotë se zakonisht krijon tingujt pasi që të përfundojnë filmat. Në rastin e filmit “Jocker”, ajo e ka marrë skenarin më herët dhe me punën e saj, ka ndikuar direkt edhe në skena sikurse ajo e vallëzimit në banjë.

Ajo thotë se kur e ka krijuar muzikën për “Chernobyl” ka udhëtuar deri në Lituani që të arrijë ta përçojë mesazhin për pasojat e rrezatimit.

E kur të përfundojë ndarja e çmimeve, Gudnadottir thotë se do të pushojë nga muzika e filmave për t’u marrë me muzikë si solo këngëtare.

Çmimet “Grammy” do të ndahen më 26 janar derisa ato “Oscars” më 10 shkurt.

SHKARKO APP