Kërkoj rrugë për emrin tim

Poezi nga: Izet Sarajliq
Përktheu: Fatime Imeraj Zeqiri

Shëtis qytetit të rinisë sime
dhe kërkoj rrugë për emrin tim.

Rrugët e mëdha, të zhurmshme –
ato ua lë të mëdhenjve të historisë.

Rrugë të vogël kërkoj, të thjeshtë, të përditshme,
në të cilën, pa vërejtur nga bota
mund të shëtisim edhe pas vdekjes.

Në fillim ajo mund të mos ketë shumë gjelbërim,
mbase as zogjtë e saj.
Me rëndësi është se në të, duke ikur nga ndjekja
përherë mund të fshihen edhe njeriu edhe qeni.

Do të ishte e bukur të ishte e shtruar,
por, në fund të fundit, as kjo nuk është më e rëndësishme.

E rëndësishme është ajo
që në rrugën me emrin tim
asnjërin të mos e gjejë fatkeqësia.

SHKARKO APP