Kitara legjendare e “Pink Floyd” shitet për 14.6 milionë dollarë, rekord historik në ankande
Një kitarë e përdorur nga David Gilmour, kitaristi legjendar i grupit ”Pink Floyd”, është shitur për një shumë rekord prej 14,6 milionë dollarësh (rreth 10,9 milionë paund), duke u bërë kitara më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në një ankand, njoftoi shtëpia e ankandeve “Christie’s”, sipas BBC.
Bëhet fjalë për një kitarë “Fender Stratocaster” e vitit 1969, e njohur me nofkën “Black Strat”, të cilën Gilmour e përdori në disa nga albumet më të rëndësishme të grupit midis viteve 1970 dhe 1983. Kjo kitare dëgjohet në albume ikonike si “The Dark Side of the Moon”, “Wish You Were Here” dhe “The Wall”, që konsiderohen ndër prodhimet më të rëndësishme në historinë e muzikës rock.
Kitara u ble nga një blerës anonim pas 21 minutash ofertash gjatë një ankandi të zhvilluar në Nju Jork. Çmimi i arritur tejkaloi shumë pritshmëritë fillestare të “Christie’s”, e cila kishte vlerësuar se instrumenti mund të shitej për 2 deri në 4 milionë dollarë.
Në të njëjtin ankand u shit edhe një piano që i përkiste John Lennon të grupit “The Beatles”, për 3,2 milionë dollarë, një nga shumat më të larta të paguara ndonjëherë për një objekt të lidhur me grupin legjendar britanik.
Ankandi përfshinte objekte nga koleksioni i biznesmenit miliarder amerikan Jim Irsay, i cili ndërroi jetë në vitin 2025 dhe ishte i njohur për koleksionin e tij të rrallë të objekteve historike të muzikës dhe kulturës pop.
Sipas presidentit të “Christie’s Americas”, Julien Pradels, ankandi u shndërrua në një moment historik për tregun e koleksioneve muzikore.
“Pothuajse çdo objekt i shitur dukej sikur po krijonte histori”, tha ai, duke shtuar se koleksioni i Irsay përfshinte objekte ikonike që tregojnë historinë e kulturës moderne.
Shitja e kitarës së Gilmour theu rekordin e mëparshëm për instrumentin më të shtrenjtë të shitur në ankand. Rekordi mbahej nga një “Martin D-18E“ e vitit 1959, e përdorur nga Kurt Cobain gjatë performancës së famshme “MTV Unplugged in New York” të grupit “Nirvana” në vitin 1993, e cila u shit për 6 milionë dollarë në vitin 2020.
Në ankand u shit gjithashtu edhe një tjetër kitarë e Cobain, një automobil “Fender Mustang blu” e përdorur në videoklipin e këngës “Smells Like Teen Spirit”, e cila arriti çmimin 6.9 milionë dollarë. /Ad.Ab./ ATSH
KOHA JONË SONDAZH

