Kolumbia me Ambasadore në Shqipëri, Ramirez paraqet letrat kredenciale te Presidenti të premten

Gloria Isabel Ramirez është ambasadorja e parë e Kolumbisë që emërohet në Shqipëri. Ramirez do të paraqesë letrat kredenciale të premten në Presidencë teksa premton projekte dhe investime në sektorin e ekonomisë.

Shteti i Kolumbisë do të përfaqësohet për herë të parë në Shqipëri përmes diplomates Gloria Isabel Ramirez.

Ambasadorja ka mbërritur në Tiranë dhe të premten do të paraqesë letrat kredencialet pranë presidentit Ilir Meta.

“Jam shumë e lumtur të jem këtu në Tiranë si ambasadore e Kolumbisë në Shqipëri. Kjo është hera e parë për mua këtu dhe mendoj që është hera e parë që një ambasador i Kolumbisë prezanton kredencialet te Presidenti i Shqipërisë”.

Investimet në sektorin e ekonomisë duket se do të jenë prioritet gjatë mandatit të Ramirez.

 “Kam dëgjuar kaq shume fjalë të mira për Shqipërinë. Jam e gatshme të nis projekte të ndryshme për të shkëmbyer mallra, produkte në eksporte dhe investime.”

Kolumbia nuk ka Ambasadë në Shqipëri, selia e saj ndodhet në Romë.

SHKARKO APP