Komedia e jashtëzakonshme Boeing Boeing me Gentian Zenelaj dhe Rudina Dembacaj tek Arturbina
Komedia “Boeing Boeing” këtë javë rikthehet për publikun në skenë te “ArTurbina”.Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” rikthen në skenë një nga veprat, që ka shënuar suksesin në skena teatrore të ndryshme dhe për pesë mbrëmje me radhë do të jetë këtë javës te “ArTurbina”. Deri tani kjo komedi e cilësuar e suksesshme është shfaqur 94 herë në skena të teatrit, por nga data 16 deri në 20 tetor do të jetë sërish në Tiranë. Aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe vijnë në komedinë me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera dhe me regji nga Kiço Londo. Pranë teatrit bëjnë me dije se kjo vepër është në vijim të sezonit artistik teatror, por rikthimi i saj është dhe për shkak të kërkesave të publikut. Teatri Kombëtar Eksperimental shprehet se rikthehet në skenë fluturimi më argëtuese, që keni bërë ndonjëherë! “Me në bord Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katertina Fili”, bën me dije teatri. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbej dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit. Ngjarjet ndodhin në komedinë “Boeing Boeing” ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert.
Teatri i rajoneve
“Boeing Boeing” është një shfaqje e rajonit Durrës- Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës, Elbasan, Fier, Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Teatri i rajoneve ka qenë një projekt, që është mirëpritur nga publiku në skena të ndryshme. Projekti, që sjell në skenë vetëm dramaturgjinë bashkëkohore franceze ka rezultuar me sukses deri tani. Premiera e parë e teatrit të rajoneve, ka qenë komedia franceze “Boeing Boeing” e autorit Marc Camoletti. Kjo vepër në sezonin artistik që lamë pas, por dhe të tjera pjesë teatrore që janë realizuar në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” kanë qenë në disa skena të teatrove në vend. Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”, gjatë sezonit artistik që lamë pas shfaqje të ndryshme teatrore, vepra të huaja dhe ato të dramaturgjisë shqipe, që kanë angazhuar artistë të njohur, por dhe emra të rinj të teatrit kanë qenë në skena. Një sezon artistik i suksesshëm ishte ai që lamë pas për këtë teatër, që solli në skena 473 shfaqje të ndjekura nga 66350 spektatorë. Nga të dhënat e publikuara herë pas here, TKES dilte nga institucionet me më shfaqje, por dhe numër spektatorësh.