“Kthesa” e Valentina Hysit, një libër “i shkruar gjatë në mendje”

Nga Zylyftar HOXHA –
Megjithëse ka pak ditë që ka dalë në qarkullim, madje ende nuk është çuar në të gjitha libraritë, libri i Valentina Hysit ka tërhequr vëmendjen e lexuesve, veçanërisht të atyre që e kanë njohur autoren dhe historinë e saj të dhimbshme të humbjes së bashkëshortit dhe mënyrën se si ajo e përballon e vetme jetën, që edhe pse kështu, sipas saj, ia vlen të jetohet, madje dhe bukur.
Ndoshta këtë ka pritur edhe lexuesi, të mësojë më tej për sfidën e saj, që shërben si një mësim moral, si një mesazh i forcës dhe optimizmit njerëzor për të përballuar të papërballueshmen.
Libri, më shumë një ese se sa një roman,i ndërtuar në dy linja, duke kaluar me dashuri dhe finesë sa nga njëra anë në tjetrën, është një gjetje e bukur si në stil ashtu edhe në kompozicion. Elementët ndërthurës, të kombinuar, çuditërisht, tepër harmonishëm, e bëjnë librin një triller të vërtetë emocionues, që, nuk lexohet, por përpihet me një frymë.
Heronjtë kryesorë të librit, AI dhe AJO, i njërës linjë, dhe Besniku dhe Eva me ngjarjet e tyre në linjën tjetër, të mbajnë të mbërthyer me dashuritë, jetët e tyre, me domosdoshmëritë dhe rastësitë e tyre, gjithmonë të këndshme.
“Libri i Valit është i bukur, sepse është është një ballafaqim i sinqertë, dhe ky sinqeritet të prek, të trondit”, shkruhet në pasthënien e tij nga botuesi Xhevahir Lleshi.
Më tej Lleshi citon fjalët e vetë autores: “Unë nuk kam bërë as sinopse e as skica për këtë roman, por e kam gdhëndur më parë në shpirt dhe dhe e kam bluar gjatë, e kam kthyer mbarë e prapë gjithnjë e gjithnjë , e kam shkruar me pasion, pa lëmim fraze, pa përkujdesje madhështrore të fjalës, thjesht, e heshur me ngjyrën e temperamentit dhe të shpirtit tim, duke jetuar një kohë të gjatë me ngjarjet derisa më në fund u dorëzova, , e braktisa vetëveten dhe e shkrojta me një frymë”.
Në librin e Valit, kur shpaloset dhimbja për humbjen e madhe, ka një energji të përsosur pozitive. Aty ka shumë mendim nën rreshta, sepse aty është zot shpirti.
Autoren, njëkohësisht edhe një nga personazhet kryesore të librit, nuk e gjen kurrë vetëm dhe të vetmuar, ajo jeton mes njerëzve të saj të dashur, mes kujtimesh, që janë edhe energjia e pasosur për të përballuar dhe jetuar jetën.
Libri “Kthesa” i Valentina Hysit është ndër ata librat e rrallë të shkruar me vërtetësi dhe sinqeritet, që të harbon në çdo rresht, duke ngritur pak nga pak në këmbë një përmendore jete interesante, të thjeshtë, të besueshme dhe motivuese jo vetëm për personazhet dhe autoren e librit, por edhe për lexuesin e gjerë.
Urime autores për këtë kënaqësi dhe respekt ndaj lexuesit!

SHKARKO APP