Kujtim Gjonaj, 50 kinematografi, 50-vjet art

Kujtim Gjonaj merr titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”

Nga Albert Z. ZHOLI -Të mërkurën në datën 15 maj në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, “Mjeshtri i Madh”, Kujtim Gjonaj u nderua nga Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” me titullin e lartë “Personalitet i shquar i Labërisë”. Këtë vit Gjonaj mbushi plot 50-vjet mes artit të kinematografisë. Në këtë takim mbresëlënës ku salla ishte tejmbushur merrnin pjesë,pjesëtarë të familjes, miq e shokë, kineastë, aktorë, shkrimtarë, poetë, kritikë letrarë, dashamirës të artit, politikanë etj. Për veprimtarinë e tij u dha një film 20 minuta nën regjinë e kineastit Skënder Jaçe dhe skenaristit Enver Kushi. Aktiviteti u drejtua me profesionalizëm nga e mirënjohura Silvana Braçe. Titullin e lartë z. Kujtim ja dorëzoi Kryetari i Shoqatës Labëria, Prof. Dr. Ago Nezha.

Mezhgorani, fshati i lindjes

Origjina e tij zë fill nga Tepelena, nga Mezhgorani, një vend me tradita  të hershme kulturore dhe atdhetare. Në lashtësi Tepelena bënte pjesë në trevën e Kaonisë. Duke qenë një vendbanim i hershëm, të dhënat arkeologjike flasin se që në shekullin e katërt pas Krishtit u ndërtua një kështjellë, mbi një pikë strategjike që vëzhgonte lehtë kryqëzimin e rrugëve të Vjosës, grykën e Këlcyrës, luginën e Drinos dhe kodrat e hapësirës së Mallakastrës. Rreth kështjellës u ndërtuan herë pas here shtëpitë e para që zënë fill në shekullin e pestë e deri në shekullin e nëntë, ku ajo përfshihet në Themën e Nikopojës e më pas në Despotatin e Epirit. Në shekullin e 17-të,  Tepelena kishte 250 shtëpi, por gjurmët e pushtuesve osmanë, si kudo në Shqipëri, dominuan për keq edhe në Tepelenë. Në vitin 1789, qytetin e mori në zotërim Ali Pashë Tepelena dhe që nga ky vit njohu një rigjallërim të shpejtë. Qyteti u bë rezidenca e dytë e Pashait të Janinës. Pra Tepelena është një krahinë që shquhet për trimëri, bujari dhe me figura të lavdishme të historisë shqiptare, ku simbol i gjenialitetit historik të kësaj krahine është Ali Pashë Tepelena, me oborrin e tij perandorak dhe trillet e thëna e të pathëna që rrethonte qenien e tij gati-gati të mistershme dhe epokale në historinë e kombit shqiptar. Trima të Ali Pashës, si Xhelil Bregu, I njohur më pas për bëmat e tij,  si Çelo Picari,  komandant i trupave të Pashait që mbrojtën Tepelenën në vitin 1821. Çelo Picari mori pjesë në vitet që pasuan në kryengritjen mbarë shqiptare të drejtuar nga ai me Tafil Buzin dhe Xelal Gjolekën. Çelo Picari, Tafil Buzi, Tahir Abazi dhe prijës të tjerë shqiptarë besnikë të Ali Pashait të Janinës, në mesin e shekullit 19-të,  lanë gjurmë të rëndësishme jo vetëm në historinë e krahinës së Tepelenës, por në të gjithë Shqipërinë. Dhe historira trimërore e krahinës vijon nga brezi në brez për të renditur në piedestal heronj si Selam Salaria apo në historinë moderne shqiptare si Mustafa Matohiti, Abaz Shehu, Asim Zeneli, emri dhe rënia heroike e të cilit lidhet pazgjidhshmërisht me fshatin Mezhgoran, vendlindjen e Kujtim Gjonajt. Mezhgorani ka gjurmime të hershme që nga koha e ilirëve, edhe pse mbeten të pavërtetuara shkencërisht. Vërtetohet ky fakt me një hamendësim të thjeshtë sepse në këtë fshat që është ndër më piktoreskët e krahinës së Tepelenës ndjen frymën dhe erën e paganizmit. Ka tre burime ose tre kroje nga ku njerëzit shuajnë etjen me një ujë të kristaltë që të purifikon qenien dhe që kanë tre  emra kuptimplotë. Janë emra me prejardhje shqiptare me kuptim të madh për jetën rituale të fshatit. Ka një krua që quhet kroi I Hënës. Hëna ka hyrë në simbolikën popullore shqiptare si simbol I bukurisë dhe misterit. Edhe vajzën e krahasojnë shpeshherë me hënën sepse në ditë të caktuara ajo del me forma nga më tërheqëset. Një emërtim I kësaj natyre,  I këtij fshati që drapëron mes maleve dhe harlisjes natyrore,  dhe mori emërtim sllav në shekujt 4-5 të erës sonë,  ka një krua tjetër që quhet kroi i Diellës. Dielli simbol i energjisë,  ngrohjes,  jetës,  bukurisë dhe madhështisë së ekzistencës njerëzore. Dhe një emër po aq I hershëm, po aq pagan,dhe i vjetër sa vetë bota dhe lashtësia, është kroi i Erës. Brez pas brezi këto kroje kanë derdhur limfën e jetës në këtë fshat.

Dita kur erdhi në jetë

 

Në këtë vend me bukuri natyrore të mahnitshme, me ajrin që të mbush mushkëritë me pastërtinë e tij, me këngën e zogjve dhe ujin që gurgullon burimeve do të vinte në jetë  në vjeshtën e vitit 1946,  Kujtim Gjonaj. Ishte viti i dytë pas lufte dhe fshati me përpjekje mbinjerëzore po mbyllte plagët. Një pjesë e madhe e burrave të fshatit I qenë përgjigjur kërkesave të kohës për rindërtimin e vendit. Edhe i ati, Qemali, në atë kohë ndodhej në hapjen e rrugës Kukës- Peshkopi, ose si quhej atëherë, rruga e Rinisë, në krye të brigadës vullnetare të Tepelenës dhe  për fatin e tij të keq, nuk ishte i pranishëm në lindjen e të birit. Nëntori kish hyrë i sertë atë vit dhe ajo ditë e 13 nëntorit kish gdhirë me shi të rrëmbyeshëm e plot bubullima e vetëtima. Përroi i Solokushes uturinte me tërë furinë e vet duke rrëshqitur drejt Vjosës me tërsëllimë. Shtëpia e Gjonajve, pa djemtë në shtëpi, jo vetëm Qemali por edhe Resuli ndodhej larg, priste me ankth, në këtë dite vjeshte të egërsuar,  ardhjen e një fëmije. -Do t’ia vëmë emrin Kujtim, për hatër të Qemalit që nuk është i pranishëm në këtë gëzim të madh. Gjysh Ymeri nuk tha asnjë fjalë,  vetëm miratoi me kokë.

Jeta e asaj kohe

Deri në moshën gjashtë vjeçare familja banonte në rrugën “Fortuzi”. Një rrugë e vjetër dhe e bukur tiranase që gjarpëronte në një hark të lehtë nga bulevardi i Madh deri te rruga e Durrësit. Në të dy krahët e saj ngriheshin vila një dhe dy katëshe, me oborre të rrethuar me mure tulle e porta të mëdha. Në një nga këto shtëpi me goxha oborr banonin familja e Qemalit dhe një familje me origjinë nga Shkodra, familja e Gjon Stakës. Me fillimin e klasës së parë familja gjeti shtëpi në rrugën “Hoxha Tahsim” në një shtëpi njëkatëshe, në rrugicën e vogël që të shpinte në shkollën me të njëjtin emër. Një rrugë e pashtruar, me pak kalldrëm vende-vende që në ditë me shi mbushej me pellgje uji e me shumë llucë që u ngjitej këpucëve. Buzë mbrëmjeve, të vegjlit e rrugicës mblidheshin në krye të saj, pranë portës ku banonte Thanas Nano dhe ashtu këmbëzbathur, të ulur galiç, tregonin përralla, gënjenin, tregonin barcaleta të dëgjuara nga të rriturit. Herë herë luanin kukamfshehti apo me Ta lashë…lojë që kishte si objekt njerëz të fesë, prift apo hoxhë dhe kush e shikonte i pari ia linte tjetrit. I kujtohen miqtë e fëmijërisë. Ata ishin shumë, të gjithë djem të rrugicës ose siç i quanin çunat e rrugicës së shkollës. Luante me Lulëzimin, me Lamin, Gimin, Kujtimin, Kushtrimin, Verin, Nazmiun me topa lecke çdo ditë. Ishin pothuajse të gjithë moshatarë.  Në klasë të tretë përzgjidhet si nxënës i dalluar dhe në festën që bëhet në pallatin e Kulturës i japin dhuratë një top të zi llastiku. Kështu që topi i leckës do zëvendësohej me topin e llastikut, me të cilin do luante me shokët e rrugicës. Ka qenë më i prirur të shkruajë prozë poetike. Proza i dukej më meditative më shprehëse në dhënien e një mesazhi dhe mendimi.  Proza për të kishte më hapësirë, më shumë vozitje, pasi ajo sjell në rezonancë mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike. Këshilla më e mirë për të në artin e të shkruarit të prozës ishte ajo e tregimtarit të madh rus Çehov: “Shkruaj dhe shkurto. Shkruaj dhe shkurto”. Çehovi e quante ‘lakonizmin”, “motër të talentit”. Arti i të shkruarit, thoshte Çehovi, është arti i të shkurtuarit. Mjeshtri i madh  i tregimit të shkurtër e konsideronte novelën,”si një anije luftarake në të cilën nuk duhet të ketë asgjë të tepërt”. Është ë njohur këshilla që ai u jepte dramaturgëve të rinj: “Në qoftë se është varur një pushkë në mur, ajo duhet të shkrepet patjetër gjer në fund të dramës”. Këto mësime ai i pati si busull për aq kohë sa ju përkushtua prozës që I dha shumë vizone për jetën në të ardhmen.

 

 

 

Të jetoje në shekullin e kaluar

 

Atëherë kishte një lloj standardizimi, unifikimi në mënyrën e jetesës dhe veshjes. Sot nuk ekziston ky standardizim. Sot ka shumë më liri, më shumë  kushte. Në mënyrë letrare mund të thuhet që ka më shumë dritë dhe diell. Atëherë kishte më shumë gri. Por brenda asaj grije kishte një të mirë që të gjithë ishin njëlloj në ritet e zakonshme të jetës. Kishte dallime inteligjence por mundësitë për të mësuar, për të gjetur punë i kishin të tërë. Arsimi tetëvjeçar u bë I detyrueshëm. Të gjithë shkonin në shkollë. Brenda atij standardizimi dhe unifikimi edhe punohej dhe jetohej dhe gëzohej. Sot mundësitë për të shijuar dhe gëzuar jetën janë shumë e shumë herë më të mëdha.   Sot ka një shkallë njohjeje të ndryshme. Fjalën kompjuter e ka mësuar 20 vjeç sot fëmijët sapo kuptojnë e dinë se ç’është kompjuteri. Televizori është futur në shtëpinë e tij në vitin 1969. Pra zhvillimi i teknikës ka sjellë hapësira të reja. Po brenda asaj kohe të gjithë shqiptarët përpiqeshin të jetonin mirë. Kishte kufizime. Lufta e klasave ishte një fenomen tronditës sepse ç’taksirat ka familja dhe të afërmit të vuajnë mendimet dhe kundërshtimet e dikujt që i lidh gjaku. Pse duhet që fëmija të ndjekë fatin e të atit pa patur faj? Ishte një fenomen i shëmtuar sepse përshfaqi tentativën dhe dëshirën për të spiunuar. Dhe të gjithë talleshin në heshtje ndaj dikujt që ishte spiun dhe në gjuhën popullore e quanin 80 lekëshi. Sigurisht që kishte kufizime po ajo kohë nuk ishte vetëm bardhezi por kishte ylberin e vet. Të gjithë studionin dhe kishin një përgatitje të lartë në shkollë, të gjithë shkuan në punë. Të gjithëve u jepej shtëpi. Kjo nuk mund të mohohet. U ndërtuan vepra madhore. Dhe këtu ia vlen të përmendet një fakt shumë vetjak.  Në 1954 kur morën shtëpi në rrugën “Hoxha Tahsim” ajo rrugë ishte me kalldrëm. Pas pak vjetësh ajo u asfaltua dhe u bë rrugë e bukur. Tirana në sytë e tij shtrihej nga rruga Bardhyl, atëherë një rrugë e ngushtë me shtëpi të vjetra prej qepiçi në të dyja krahët, me lagjen e dibranëve pak më lart dhe zbriste deri tek bulevardi I Madh, ku merrnin zanafillë dy nga rrugët më të mëdha të Tiranës, ajo e Durrësit dhe rruga e Kavajës.

 

Ndodhte shpesh, kur ishin të vegjël, rreth moshës 8-9 vjeç, të ndërmerrnin me shokët e rrugicës “inkursione” drejt qendrës ku ishte bulevardi i madh. Stacioni i fundit ku ndalonin ishin bordurat pas parkut Rinia. Syri i mësuar me rrugicat e vogla dhe shtëpitë njëkatëshe, befasohej nga vargu i madh i pallateve me shumë kate. Fillimisht u dukej si një botë tjetër, shumë larg rrugicës së tyre, ku mblidheshin çdo buzëmbrëmjeje dhe të ulur galiç llomotisnin ç’tu vinte për mbarë, para se të futeshin nëpër shtëpitë e tyre. Prindërit shqetësoheshin kur mësonin sesa larg kishin qenë. U bërtisnin, I shanin, u shkulnin dhe veshët, por ata përsëri e harronin dhe të nesërmen përsëri vraponin për të njohur qytetin e tyre…dhe qyteti rritej bashkë me ata vetë. Ishte një qytet i vogël, por vit pas viti shtoheshin rrugë të reja, blloqe me pallate katër dhe pesë kate, herë të ndërtuara mirë e herë të ndërtuara keq. Vite më pas, kur u rrit dhe arsyetonte kthjellët ndiente keqardhje që qe prishur pazari i vjetër i Tiranës dhe rrugët rreth tij. Ishte vërtet një atelier i papërsëritshëm, një identitet historik i qytetit, një pasaportë e tij…por jashtë alogjikes së kohës qyteti rritej dhe zbukurohej çdo ditë. Tirana mori një hov zhvillimi të jashtëzakonshëm dhe të gjithë ëndërronin të vinin në kryeqytet. Në atë kohë ishte qyteti më modern i vendit, ku lulëzonte arti, teatri, kinemaja dhe letërsia. Kishte më liri dhe hapësirë për të jetuar. Tashmë kufijtë e qytetit në sytë e tij qenë zgjeruar dhe kishin marrë përmasa të reja. Ai rritej çdo ditë bashkë me qytetin, që tashmë e quante qytetin e tij.

 

Dëshira e çmendur për gazetari

 

Ishte me të vërtet një pasion i madh që tronditi botën e tij rinore. E kujton dhe tani atë kërkimin që bënte për të krijuar histori interesante dhe ku i linte frerë të  lira fantazisë. Ishte si të udhëtoje mbi re. Është bukur kur futesh në mbretërinë e krijimit. Një tharm i bukur duket se të tërheq dhe ti ndjehesh i lirë të krijosh, të bëhesh dikushi. Aq shumë ishte futur në këtë mbretëri sa në moshën 19 vjeçare i lindi mendimi idiotesk për ta lënë vitin e tretë dhe për t’iu përkushtuar gazetarisë aktive. Në atë kohë aktivizohej te gazeta “Zëri i rinisë” ku punonin penat më të talentuara shqiptare dhe ai kishte bërë emër në këtë gazetë. Ishte një gjeneratë e re që sillte stile të reja gazetareske dhe tregimesh. Në atë kohë dëshirën e tij të çmendur e ndërpret Liri Lubonja e cila gati gati e urdhëron “Mbaro shkollën njëherë dhe pastaj të garantoj që të marr në gazetë. Sepse nuk do kesh kohë se do të marrin për ushtar. Ç’a do fitosh ti! Fut diplomën në xhep dhe pastaj shohim e bëjmë”. Kjo këshillë e vyer ia shtoi respektin dhe dashurinë për atë gazetë që ishte një trend në gazetarinë shqiptare. Aty punonte Liri Lubonja, Luan Dibra, Vath Koreshi, Agim Cerga e Zef Gurakuqi një grup gazetarësh që atij I mësuan abc e të shkruarit. Në gazetat e asaj kohe pavarësisht prirjeve karakteristike që kishte gjithsecili do ti bëhej jehonë politikës së kohës, të rinjve, pjesëmarrjes së tyre nëpër aksione, nxënësve të dalluar. Do ti bëje jehonë gjithë asaj atmosfere që kryesohej nga morali i shtetit komunist që ishte Shqipëria. Aktet e trimërisë,  heroizmi, lufta kundër zakoneve prapanike ishin temat e asaj kohe. Sigurisht që kishte dhe elemente lirizmi që e bënin një shkrim me stil të veçantë dhe që përbënin tharmin e të qënit gazetar. Sigurisht që karriera e tij mori drejtim tjetër dhe gjatë viteve që pasuan, pra gjatë gjithë kohës që ai është marrë me letërsinë e ekranit. Sepse dhe skenari kërkon shumë art, finesë, stil dhe magji.  Ishte një hapësirë artistike ende e panjohur për të, por jemi akoma në kohën kur Gjonaj ishte student dhe i ishte dhënë me mish e me shpirt gazetarisë.

 

 

 

Jeta studentore

 

Vitet e shkollës së mesme fluturuan pa u ndierë, dhe ja në ditën e parë të shtatorit ai ndodhej në hollin e fakultetit të Histori Filologjisë, në krahun e majtë të tij ishte vendosur stenda me oraret e mësimeve të çdo kursi. I përqëndruar ai po shënonte orën e degës së tij dhe sallën ku do mbaheshin leksionet.

 

Të veçantat e shkollës së lartë

 

Në vitet gjashtëdhjetë, kur Gjonaj kryente studimet e larta në fakultet jepeshin edhe disa lëndë te veçanta. Një vend të rëndësishëm zinte historia e lëvizjes punëtore ndërkombëtare, ku vendin kryesor e zinte historia e lëvizjes punëtore në Bashkimin Sovjetik dhe ajo e lëvizjes në vendet e perëndimit sidomos në Francë dhe Gjermani. Vëmendje e posaçme i kushtohej edhe  Historisë së Partisë së Punës  që ishte një nga lëndët që bënte pjesë në programin e madh të shkollave. Në atë kohë ishte normale që të mësoje dhe historinë e partisë që drejtonte vendin. Sot tingëllon si çudi, por ishte mëse e zakonshme. Ishte një lëndë e rëndësishme ku mësoje rrugën dhe historinë e partisë që drejtonte vendin tënd. Dhe një nga periudhat më të veçanta dhe të vështira për shkollën ishte dhe zbori ushtarak. Në pamje të parë ushtria dhe përgatitja ushtarake e studentëve ose si e quanin në atë kohë zbori ushtarak 6 mujor që kryhej mbas mbarimit te shkollës, cilësohej si një moment i rëndësishëm patriotik.

 

Dilemat profesionale

 

Krahas  studimeve të larta në  degen e gjuhë –letërsisë ai kreu edhe kursin dy vjeçar të gazetarisë. Dëshira e tij ishte që të fillonte punë në gazetën “Zëri I rinisë”,dhe mendimi se duhet të fillonte aty I rrihte si çekan në kokë çdo ditë. I kishin thene se kërkohej nga ATSH-ja dhe nga Televizioni por   nuk ngacmohej fare, dhe  nuk shfaqte ndonjë interes për to. Kur mori vesh se e kishin caktuar redaktor në Kinostudio fillimisht shfaqi habi, më pas e kaploi një ndjenjë pakënaqësie e më pas u qetësua me mendimin …të shohim një herë! Në Kinostudio kishte bërë vetem dy bashkëpunime me  Muharrem Skënderin që i kishte ofruar për të shkruar tekstin e  dy kinoditarëve, punë sa për të fituar një honorar minimal si student. Ndërtesa e madhe dy katëshe e tëra me mure të trashë e  gjitha mermer e me tavane të pikturuara i dukej si një kështjellë mesjetare gjithë mistere dhe të pa njohura. Mbresat, kur hyri për herë të parë në të , dhe kapërceu korridoret e gjatë për të shkuar tek dhoma e montazhit, si i thanë,qenë të fuqishme. Ishte me të vërtetë një ndërtesë hije rëndë dhe imponuese. Kurrë nuk i pat shkuar ndër mend se një ditë mund të punonte aty. Caktimi në Tiranë ishte lajm qetësues, por kaloi pa ndonjë entuziazëm të veçantë. Ai kishte njohuri për institucionin dhe për disa nga njerëzit që punonin atje. Bota e filmit kishte ndikuar edhe tek ai.  Dashuria gati –gati e marrë për gazetarinë nuk do te thoshte se që nuk kishte dëgjuar emrin Kristaq Dhamos, Hysen Hakanit,Dhimiter Anagnostit, Viktori Gjikës, Agim Fortuzit, Endri Kekos etj. Tek shikoje filmat “Komisari i dritës”,“Tana”apo “Debatik“ asosiacioni me emrat e realizuesve ishte i menjëhershëm. Në imagjinatën e tij Kinostudioja ishte si një tempull i madh,i shenjte, i pakapshëm,  i paarritshëm, impresione këto që nga koha e fëmijërisë.  Bashkë me disa shoke ,të emëruar edhe ata në atë institucion e lanë që ditën e parë të shkonin të gjithë bashkë. Ishte një ditë e ftohtë shkurti dhe era qe frynte të priste hundën dhe veshët, megjithëse dielli shkëlqente bindshëm. Akullnajë. Bashkë me të ishte Ibrahim Muça që kishte mbaruar shkollën për aktor dhe qe  emëruar asistent regjisor në Kinostudio.

 

 

 

Filmi i parë

 

Pse e kujton gjithnjë skenarin e filmit të parë? Përse sa herë I shkon mendja te ai film dokumentar gjoksi i gufon nga emocionet dhe kujtimet I vërshojnë si një përrua i rrëmbyer që zbret me vrull nga shpati i malit? Ishte maj, muaji më I bukur I vitit, kur çelin trëndafilat  dhe pemët kanë lulëzuar tërësisht, kur njerëzit lehtësohen nga veshjet e rënda të dimrit, kur gjaku i rinovuar vërshon vrullshëm nëpër rremba, kur vajzat duken më të bukura, a thua se i kanë shpallur konkurs bukurive të natyrës. Në maj çdo gjë lulëzon, lulëzon natyra, njerëzit, zogjtë. Vendosi të shkruante një skenar për një nga shkollat me me emër në Tiranë, për gjimnazin Qemal Stafa. Shkoi disa herë në shkollë. U takua me shumë mësues dhe nxënës. Ishte I pari skenar që shkruante. Dhe si të gjithë ata që shkruajnë u zhyt në botën e krijimit. Mbresat e takimeve të shumta me nxënës e mësues e frymëzuan dhe ato ai I hodhi në letër. Skenarin e pëlqyen dhe menjëherë u krijua grupi i xhirimit. Interesant fakti , ai e kish skenarin e parë. Filmi kaloi mjaft mirë, Gjimnazistët u kënaqën dhe shoqja e tij u bë personazh në film. Dhe ai film që shënoi njohjen e parë serioze të regjizorit u kthye në një nga historitë më të bukura të jetës. Një dashuri e madhe plot trille dhe jetëgjatësi. Një dashuri që I dha jetë krijimit të një familjeje të shëndetshme të historisë shqiptare. Një film, një njohje, një dashuri, një jetë plot kuptim.

 

 

 

Bukra, bashkudhëtarja ideale

 

Kanë qenë dhe janë një familje model. Një familje perfekte e qëndisur në çdo detaj me finesë e vlera njerëzore. Kanë  jetuar me prindërit. Në formimin e tij intelektual dhe si artist në radhë të parë meritën e kanë prindërit.  Babai për gdhendjen e personalitetit të tij dhe nëna për larminë dhe butësinë e karakterit që latoi tek ai si njeri. Dhe kur familja u zgjerua një vend shumë të rëndësishëm e zuri bashkëshortja. Ajo bëhet pjesë e krijimtarisë së tij, e filmave që ka bërë. Është pjesë  e edukatës, e të ardhmes që ato e gdhendën të dy. Kanë disa dekada bashkë me njëri –tjetrin. Bukra zë një vend të veçantë se bën pjesë në një kategori grash që është përpjekur me urtësinë dhe mençurinë e saj, me përkujdesjen ti krijojë kushtet më të përsosura për të realizuar karrierën e tij si kineast. Prindërit dhe Bukra u morën me mirërritjen e fëmijëve kur ai ishte larg për motive profesionale. Duke patur një bazë të fuqishme si familja, iu krijua komoditeti për t’iu përkushtuar profesionit. Mbështetja kryesore ka qenë shoqja e tij Bukra e cila asnjëherë nuk I ka krijuar andralla apo pengesa për të bërë një film.

 

 

 

Në drejtim të Kinostudios

 

Kur e caktuan të drejtonte Kinostudion ai institucion krahasohej me një luan të plagosur rëndë në savanën e kohës. Ishte pothuajse në grahmat e fundit. Shkon jo për arsyen se do bënte ndonjë çudi, por për nostalgji. Se Kinostudio që deri në vitin 1990 kishte tetëqind e ca punonjës dhe gjallonte, prodhonte e krijonte vlera tashmë qe bërë një objekt dhunimi dhe grabitjeje. Aty brenda ishte rinia, pjekuria, ishte krijimtaria, debatet, bisedat shoqërore, përplasjet. Aty ishin të gjitha. Ndaj dhe kur i propozon ministrja për tu bërë drejtor i “Alba filmit” menjëherë mendon se kishte paksa brumë të mirë për të bërë diçka të bukur. Për fatin e keq të gjitha zërat binin në humnerë, nuk dëgjohej asnjë zë, kudo egzistonte veshi I shurdhër. 100 mijë dollarë duhet të financonte shteti për një studio të vogël ku të bëheshin zgjidhjet më praktike të filmit. Në atë kohë u bënë 5 filma dokumentarë, disa filma vizatimorë, dhe disa filma artistikë që ndihmoheshin me aksesorë të dorës së dytë apo të tretë,  si filmi i Anagnostit “Gjoleka, biri I Abazit” që u pajis me  kostumerinë e nevojshme dhe me rekuizitë të pjesshme. Ndodhi që i erdhën dhe dy producentë ekzekutivë për filmin “Aleksandri i madh” që po përgatitej të xhirohej. Atyre u kishte pëlqyer zona kodrinore pas Vorës, kodrat e buta që ngriheshin valë-valë përmbi fushën e blertë. Zona ishte ende e virgjër, dhe në pranverën e vitit 2004 natyra kishte derdhur gjithë bukuritë e saj në atë zonë. Biseduan gjatë për mundësitë e xhirimit të skenave masive, por kur producentët e huaj kërkuan dyqind kuaj rrace, rekuizitë dhe shumë armatime të kohës , drejtori shtangu. Ç’tu thoshte? Kujt ti kërkonte ndihmë? Në atë periudhë gjithçka në Kinostudio kishte marrë të tatëpjetën. U kërkoi pak ditë kohë për ti kthyer përgjigje. Bisedoi me regjizorë e kolegë të tij. Pyeti dhe në digaster. Për fatin e keq kërkesat binin në vesh të shurdhër dhe Kinostudio vinte gjithnjë duke u degraduar. U kthye përgjigje producentëve të huaj se nuk mund të plotësonte kërkesat e tyre. Filmi u xhirua në një vend fqinj pranë nesh. Humbi një shans i madh.  Por për një gjë është krenar,  se gjithë ai institucion I madh nuk u arrit të shpërbëhet, por u ruajt si objekt. Dhe këtë e kanë ruajtur gjithë punonjësit e Kinostudios,  para dhe pas tij dhe nuk u kthye në shesh ndërtimi. U ndërtuan disa televizione që janë institucione kulture, u ngrit një shkollë kinemaje si shkolla “Marubi”. Nuk ka rëndësi mënyra si u ngrit,  me të drejtë apo pa të drejtë. Ka rëndësi që aty është një shkollë filmi që rrezaton  kulturë. Në ndërtesën simbol të Kinostudios ndodhet qendra kombëtare e Kinematografisë. Dhe ky institucion është në vendin e tij. Ndërsa pjesën më të madhe e ka marrë Ministria e Kulturës. Mirë do qe të bëhej Muzeu i Filmit. Ndoshta kinematografisë shqiptare i duhet një muze. Mirë ndoshta që u bë dhe Ministri Kulture. Po përse duheshin hequr simbolet e Kinostudios? Përse duhej hequr pllaka dhe data e themelimit të saj, 10 korriku i vitit 1952. Kinostudio “Shqipëria e re” është pjesë e historisë. Dhe historia nuk zhbëhet.

Gjysh i lumtur

Ishte në Indi ,në Kalkutë,duke xhiruar për Nënë Terezën,kur merr në telefon shtëpinë.

-Do të themi një lajm të mirë

-Çfarë ka ndodhur?

-Valbona është shtatzënë.

Ishte një lajm sensacional. Një gëzim që u shpalos me përmasa të plota kur lindi Erlisi. Ishte nipi I parë që vinte në familjen e tij. Dhe më pas  erdhi  Bjorni nga Genti. Nipat i do njëlloj, por Bjorni ishte Gjonaj. E  kështu me radhë erdhi Edrini e më pas Brajani.

Filmi më i dashur

Është si të pyesësh një nënë se kë fëmijë do më shumë. Filmat janë të dashur të gjithë. Por në 150 filma që ka ai,  patjetër është një grup ku ai ka arritur kulme krijimtarie. Kulme që nuk lidhen vetëm me rezultatin që jep te teleshikuesi, te vlerësimi me çmime por dhe me kënaqësinë që i ka dhënë gjatë kohës që është marrë me këtë film. Do veçonte  “Kështjella e këngëve”, “Shembja e idhujve”, “Më e madhja dashuri”. Por nuk diferencon as Ali Pashën as Jeronim de Radën, as Faik Konicën dhe Nënë Terezën. Të katër janë në nivelin maksimal të kënaqësive dhe vlerësimeve. Ndoshta në këtë grup filmash mund të veçojë Ali Pashën. Për të ardhur te filmi “Ëndrra e Çamërisë” që  për shumë arsye  shënon dhe ai një kulm të bukur në vargmalin e krijimtarisë së tij. Sepse bën fjalë për një dramë të dhimbshme të popullisë çame që është popullsia më e persekutuar pas çifutëve e palestinezëve. Vitet kalojnë dhe kur kujton ngjarjet dhe emocionet që i kanë falur këto filma I rrëzëllen një buzëqeshje e bekuar. Ka patur një qëllim ndaj vetes dhe e ka realizuar. Ka plotësuar kërkesat e tij të brendshme ndaj një historie shqiptare që të mahnit. Ka realizuar udhëtime ndjesore dhe ka dhënë mesazhet e tija artistike në filma historikë të përmasave të mëdha. Pra ka plotësuar kërkesën ndaj vetes dhe pa dyshim dhe detyrën si artist i publiçistikës së filmit.  Dhe nëse enumeracioni gjatë viteve ka patur vetëm progresion është i bindur se në çdo film,  në çdo kohë, në çdo moment ka qenë një ngacmues dhe dhurues emocionesh të bukura. Filmi është një dashuri e përjetshme, që të mbush, që të shkallmon shpirtin me ndjesi nga më të çuditshmet që veç një dashuri tronditëse e marramendëse mund ta dhurojë. Nga ato dashuri që ndodhin vetëm një herë në jetë. Sot ndjehet me fat që është bërë pjesë e kinemasë, e kësaj magjie çudibërëse ku ai hyri aksidentalisht por ku la gjurmë emocionesh dhe bëri emër të respektuar.

SHKARKO APP