Kujtimet e Lasgushit për ditën e Flamurit në Bukuresht

Festa më e madhe e Kollonisë dhe e kishës shqipe të Bukureshtit ish 28 Nëntori: Dita e flamurit, dhe Shën-Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit. Këto kremtime bëheshin me bujën dhe me madhështinë më të madhe, dyke u ftuar në Seli të Kollonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të lartra të vëndit, me mbretin në krye të të gjithëve; ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rallë.

Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rinin nga mungesa e vëndit jashtë në obor, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë.  Aty jashtë në obor, më të djathtën e hyrjes kryesore të kishës, qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamuret e shoqërive dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur.

Flamuri i Kollonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qindisur rreth-e-për-qark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa- njëra e kuqe, tjetra e zezë- të cilat mvareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përhera dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur sicili burrërisht me robet e tyre kombëtare.

Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës nër festat më të mbëdha të saj- 28 Nëntor dhe Shën-Gjergj-, përbrënda ajo çkëlqente nga uniformat dhe robat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte nër zemra.

Lasgush Poradeci.

Fragment nga “HIMNI KOMBËTAR “FLAMURIT PRANË TË BASHKUAR” DHE GJENEZA E TIJ”

SHKARKO APP