Kur besimi këputi prangat – Hafiz Ali Kraja dhe At Pjetër Meshkalla, miqësia që sfidoi diktaturën

Hafiz Ali Kraja dhe At Pjetër Meshkalla

Nga Albert Vataj

Në vitin 1965, Shqipëria po hynte në periudhën e saj më të ftohtë ideologjike. Hafiz Ali Kraja, pas 18 vitesh qëndrese në qelitë e diktaturës, u kthye në shtëpi më 22 tetor 1965. Por liria e tij ishte e rrethuar nga një tjetër mur, ai i frikës, ndalimit dhe ndarjes. Në shtëpinë e tij, vështirë se guxonte të shkelte kush, pasi hija e përndjekjes ndiqte çdo hap të tij.

Hafiz Ali Kraja u burgos nga viti 1947 deri në vitin 1965 për shkak të qëndrimit të tij të palëkundur antikomunist dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar e fetar përballë ideologjisë së kohës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Që në vitin 1944, ai kishte botuar broshurën “A duhet feja, a pengon ajo bashkimin kombëtar?”, ku argumentonte rëndësinë e besimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Si shumë klerikë të tjerë të asaj kohe, u akuzua për “agjitacion e propagandë” dhe si “agjent” i fuqive të huaja, akuza këto që përdoreshin rregullisht për të eliminuar elitën intelektuale që nuk i nënshtrohej regjimit.

Hafiz Ali Kraja e ndërmendim gjithashtu nga fjalimi monumental të mbajtur në varrimin e At. Gjergj Fishtës, e mbajti Hafiz Ali Kraja.

“Me ty, Patër Gjergj, kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande, e me lot ndër faqe, të përcjellë me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme!” tha Kraja mes të tjerash më 31 dhjetor të vitit 1940, në atë ditë të acartë kur Shkodra ndahej me një lamtumirë të trishtë me Homerin shqiptar.

Njeriu i parë që guxoi të thyente rrethimin e heshtjes nuk ishte thjesht një mik, por një tjetër gjigant i shpirtit, At Pjetër Meshkalla. Ky akt nuk ishte vetëm një vizitë miqësore, ishte një akt rebelimi ndaj urrejtjes dhe një dëshmi e gjallë e harmonisë ndërfetare.

Dy kolosët kalonin orë të gjata duke diskutuar mbi librat, filozofinë dhe autorët e mëdhenj, ndërkohë që rreziku u qëndronte pas porte.

Ata ndanin jo vetëm kafenë dhe dijen, por edhe peshën e rëndë të një kohe që kërkonte t’i tjetërsonte.

Kjo miqësi e dukshme dhe sfiduese vazhdoi deri në vitin 1967, kur At Pjetër Meshkalla u prangos sërish nga regjimi që po shpallte Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë.

Në një botë që shpesh tenton të ndajë njerëzit mbi baza bindjesh, shembulli i Hafizit dhe Atit shërben si një busull morale. Ata treguan se zemra e madhe dhe shpirti i bashkëjetesës shqiptare janë më të fortë se çdo doktrinë shtypëse.

Foto: Ernest Koliqi, Hafiz Ali Kraja, Dom Mikel Koliqi, Dom Tom Laca, Javer Bej Hrushiti, Patër Anton Harapi, Guljelm Suma, Maliq Bushati, etj.

“Vlera të tilla nuk janë thjesht pjesë e historisë, por drita e udhës në të cilën duhet të ecim çdo ditë.”

Në fund, ajo që mbetet nuk është thjesht historia e dy klerikëve të përndjekur, por dëshmia e një drite që nuk pranoi të shuhet edhe atëherë kurb zezona e diktaturës kishte nëdrsyer ndaj besimit dhe klerikëve shpurën e djajve që dilnin nga ferri i kuq. Hafiz Ali Kraja dhe At Pjetër Meshkalla nuk ishin vetëm bashkëvuajtës të një epoke të errët; ata ishin bashkëmbajtës të një ideali që nuk pranon të përkulet: dinjiteti i njeriut dhe shenjtëria e besimit, përtej çdo ndarjeje.

Në një kohë kur diktatura kërkonte të shkatërronte jo vetëm trupin, por edhe shpirtin, ata zgjodhën të mbeten të lirë në atë hapësirë të fundit që nuk mund të burgosej, në ndërgjegje. Miqësia e tyre ishte një akt i heshtur heroizmi, një refuzim për t’u bërë pjesë e frikës, një dëshmi se urat mes njerëzve ndërtohen më fort kur rreth tyre ngrihen mure.

Prandaj, kjo histori nuk mbyllet me kujtimin e një kohe të shkuar, por hapet si një thirrje për të sotmen: të mos lejojmë që dallimet të na ndajnë, as frika të na heshtë. Sepse kur besimi, në Zot, në njeriun dhe në të mirën,  thyen prangat, lind ajo forcë që asnjë diktaturë nuk mund ta nënshtrojë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?