“Lajm i trishtueshëm”, Zhani Ciko: Nexhmije Pagarusha ishte një yll! Ja takimi i fundit me të

Muzikanti i njohur shqiptar, Zhani Ciko, e cilësoi një lajm të trishtueshëm ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Në një lidhje telefonike për News24, Ciko tha se Pagarusha ishte padyshim një yll i muzikës, që ka lënë pas një model të këngëtares së përsosur.

“Lajmi është i trishtueshëm në kuptimin që u shkëput një yll, si ato yjet e qiellit pranveror dhe Nexhmije Pagarusha është një yll, që do të mbetet në muzikën shqiptare. Një personalitet i padiskutueshëm, maksimal, sidomos në fushën e këngës popullore, ku ka sjellë modelin e një këngëtareje të përsosur, pasi zotëronte një vokal të shkëlqyer. Ajo ka sjellë disa modele, që janë pika referimi.

Pagarusha është një person që ka lënë mbresa të jashtëzakonshme me cilësitë e larta njerëzore. Unë kam qenë i privilegjuar, pasi e kam njohur që ditën e parë që ka ardhur në Shqipëri e deri sot, duke menduar dhe takimin e fundit në Kosovë, me rastin e promovimit të librit të saj. Jam i prekur. Mendoj se shqiptarët dinë se kë vlerësojnë dhe Pagarusha është nga ato që meriton piedestalin e artë të muzikës popullore. Ishte nga ata përfaqësues të mëdhenj të artit shqiptar, në fushën e saj. Ishte ndër më të mëdhajat që ka kombi ynë”, tha Ciko.

SHKARKO APP