Librat më të mërzitshëm sipas lexuesve
Të jemi të sinqertë, të gjithëve na ka ndodhur të lëmë përgjysmë një libër qe nuk e shtyjmë dot më dhe të nisim një tjetër. Sado të mundohemi ta çojmë deri në fund, ndonjëherë është thjesht e pamundur. Të kuptohemi, fajin e ka autori.
Nga sondazhet e shumta të realizuara nga faqe të rëndësishme letrare vihet re se disa libra, për lexuesit, janë vërtet të mërzitshëm. Dhe nuk ka rëndësi fare nëse një libër është klasik, nëse autori është fitues i dhjetëra çmimeve, përfshirë edhe Nobel, kur një libër nuk shtyhet, nuk shtyhet.
Ja disa nga librat që më shumti lihen përgjysmë nga lexuesit dhe motivet përkatëse.
- 100 vjet vetmi – Gabriel García Márquez
“E kam nisur kaq shumë herë, por nuk arrij kurrë ta çoj deri në fund. Thjesht nuk mundem”…
- 50 hijet e Greit – E. L. James
“Pas faqeve të para e lashë, është një libër i shkruar keq”.
- Katedralja e Parisit – Victor Hugo
“Sa herë e marr në dorë ta lexoj, të paktën 30 faqet e para që nuk kanë asgjë veç përshkrimit të qytetit, që më cingërit nervat”.
- Zonja Bovari – Gustave Flaubert
“E kam nisur 3 herë, e kam lënë 3 herë. Herën e katërt vendosa ta çoja deri në fund si një sfidë personale. M’u duk si një përjetësi”.
- Mos lëviz – Margaret Mazzantini
“E treta e vërteta. Me dhimbje, por herën e tretë arrita ta përfundoja. U pendova… që e përfundova”.
6. Ndiq zemrën – Susanna Tamaro
“Me thënë të drejtën nuk e lashë përgjysmë, por më mërziti dhe nuk më përcolli asgjë. Libër pa sens”.
Për ta mbyllur, nuk ka libra të këqij, ka libra për çdo moment të jetës. Kam kuptuar se tani lexoj libra që 10 vjet më parë më dukeshin të gjatë e të mërzitshëm, ashtu sikurse librat e mi të referuar të një dekade më parë nuk janë më të tillë.
Ndaj, nuk humbni gjë të provoni sërish! Lexim të mbarë!