“Libri i Xhunglës” magjeps fëmijët në Teatrin e Kukullave
Skena e Teatrit të Kukullave në Tiranë u transformua këtë fundjavë në një xhungël plot ngjyra, zëra dhe emocione, ku fëmijët e shoqëruar nga prindërit udhëtuan në botën e aventurës së Moglit, protagonistit të njohur të “Librit të Xhunglës”.
Shfaqja, e konceptuar nga regjisorja Ina Morinaj, solli një version të ri dhe të gjallëruar të përrallës klasike, ku kukullat anatomike në përmasat e kafshëve të gjalla, të animuara me mjeshtëri nga aktorët, krijuan një përvojë të paharrueshme për të vegjlit.
Për 50 minuta, fëmijët jo vetëm që ndoqën aventurën e Moglit, por u bënë pjesë e saj, duke përjetuar emocionet e mbijetesës në xhungël, miqësinë me kafshët dhe sfidat e rritjes.
“Reagimet ishin të shumta, kishte shumë elementë të veçantë dhe e prisnim që publiku do të reagonte,” tha aktori Ilia Kaçi, duke vlerësuar entuziazmin e fëmijëve.
“Mund të themi me plot gojën që kemi Moglin në të gjithë historinë e kësaj vepre. Ishte kryevepër, u prit shumë mirë,” u shpreh Erdit Asllanaj.
“Qëllimi ishte ta fusnim publikun sa më shumë brenda kësaj xhungle dhe besoj se ia dolëm,” tha Aleksandër Grami, duke theksuar përfshirjen emocionale të spektatorëve.
“Jam shumë i lumtur që publiku e priti shfaqjen me kaq ngrohtësi. Falënderoj kolegët që më kanë dhuruar shumë energji pozitive,” shtoi Juxhin Plovishti.
Aventura e Moglit nuk përfundon këtu. Shfaqja do të rikthehet fundjavën e ardhshme në Teatrin e Kukullave, duke ofruar një tjetër mundësi për fëmijët që duan të përjetojnë magjinë e xhunglës në skenë.
KOHA JONË SONDAZH

