Luçie Miloti dhe 11 maji
Kujtojmë sot, në 11 maj, Artisten e Merituar Luçie Miloti, e cila preku skenën, që në moshën 12- vjeçare. Miloti lindi në 11 maj 1930 në Shkodër.
Kudo ku ka shkelur dhe është dëgjuar kënga e saj, është shquar për një zë të mrekullueshëm, të kristaltë dhe me një tingëllim krejt të veçantë. Ajo mbetet një artiste e rrallë e popullit shqiptar. Në repertorin e saj artistik numërohen rreth 500 këngë, të cilat këngëtarja i ka përcjellë në mbarë vendin dhe në botën e huaj.
Luçie Miloti, gjatë karrierës së saj artistike, ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shumë kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës, në fillim si soliste e Filarmonisë Shqiptare dhe në vazhdim si soliste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Eshtë vlerësuar me çmime dhe është cilësuar si zëri i rrallë i Ballkanit; në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”
Ajo është një fenomen i rrallë, që do të jetojë gjatë në kujtesën e brezave, që e duan dhe e adhurojnë këngën popullore”.