Ludwig van Beethoven, “Prometheu i muzikës”, gjeniu që sfidoi përjetësinë me magjinë e tingujve

Nga Albert Vataj

Ai që mëkoi frymë eterne artit të magjishëm të muzikës, ai që e bëri tokësore vetë hyjninë e krijimit përmes tingujve, ai që i dha një dimension të pakapshëm shpirtit të blatuar altarit të artit, e dorëzoi frymën e fundit më 26 mars 1827, duke lënë pas një botë më të pasur, një fuqi përjetimi të së bukurës, më të dritshme.
Ai u quajt “Prometheu i muzikës”, dhe nuk është metaforë e tepërt, por një përkufizim që i rri si kurorë e përjetshme mbi ballin e një gjeniu që sfidoi kohën, fatin dhe vetë kufijtë e njerëzores. Në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, ne nuk kujtojmë thjesht një kompozitor, por një fuqi krijuese që e përplasi botën me përmasat e saj të panjohura, duke e shndërruar tingullin në fat, dhe fatin në art.

Beethoven nuk eci në kohë, ai e detyroi kohën të ecte me të. Me një vullnet që ngjante me një vullkan të pashuar, ai e zgjeroi horizontin e muzikës përtej çdo përfytyrimi të epokës së tij. Në duart e tij, simfonia nuk ishte më një formë, por një univers; sonata nuk ishte më një strukturë, por një rrëfim i brendshëm i shpirtit njerëzor. Ai krijoi jo vetëm vepra, por shtresime të përjetshme të ndjeshmërisë, ku çdo notë bart peshën e një drame, të një triumfi, të një përleshjeje me heshtjen.
Në panteonin e të pavdekshmëve, emri i tij qëndron si një shtyllë që nuk lëkundet. George Bizet e vendosi përkrah Dante Alighieri, Homer, Michelangelo dhe William Shakespeare, jo si një nderim i rastësishëm, por si një njohje e domosdoshme e një madhështie që nuk njeh krahasim të zakonshëm. Beethoven ishte një rend tjetër ekzistence: një ligj i ri në kozmosin e artit.
Ai lindi mes mjegullës së pasaktësive, më 16 dhjetor 1770 sipas traditës, më 17 sipas dokumentit të pagëzimit, sikur vetë ardhja e tij në botë të mos pranonte të futej në kufijtë e saktësisë tokësore. Emri i tij, me rrënjë në tokat e ulëta holandeze, bart në vetvete jehonën e një “kopshti” dhe një “toke të mirë”, por ishte pikërisht ai që e bëri këtë emër të rritet në një pyll të dendur madhështie artistike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Vienna, qytetin ku ai jetoi dhe u shua më 26 mars 1827, Beethoven ndërtoi testamentin e tij krijues: nëntë simfoni që janë si nëntë horizonte të shpirtit, pesë koncerte për piano që janë duel mes individit dhe botës, tridhjetë e dy sonata që janë ditarë të vetmisë dhe shpërthimit, dhe gjashtëmbëdhjetë kuartete që janë lutje pa fjalë drejtuar përjetësisë.
Ai ishte një bir i Iluminizmit, por edhe një rebel i tij. Kur Napoleon Bonaparte tradhtoi idealet që Beethoven adhuronte, ai e gris përkushtimin ndaj tij në Simfoninë e Tretë, një akt jo vetëm artistik, por moral. “Eroica” nuk ishte më një himn për një njeri, por për vetë idenë e heroizmit.
Dhe megjithatë, tragjedia e tij është ajo që e bën madhështinë e tij të dridhet në një dimension më të thellë. Rreth vitit 1801, ai filloi të humbiste dëgjimin, një fat i pamëshirshëm për një muzikant. Në dekadën e fundit të jetës, ai u zhyt pothuajse në heshtje të plotë. Por nga kjo errësirë e tingullit, ai nxori dritën më të madhe të muzikës. Ai nuk e dëgjonte më botën, por bota dëgjonte atë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Beethoven nuk u thye. Ai u shndërrua. Nga një virtuoz i skenës në një profet të brendshëm, nga një artist i publikut në një titan të vetmisë krijuese. Ai “vrau” brenda vetes njeriun e zakonshëm për të shpëtuar gjeniun, dhe ky gjeni vazhdoi të flasë me një zë që asnjë heshtje nuk mund ta shuajë.
Sot, në këtë datë që shënon largimin e tij nga kjo botë, ne nuk përulemi para një kujtimi, por para një pranie që nuk ka ikur kurrë. Beethoven është ende aty, në çdo shpërthim orkestral, në çdo dridhje të një note të vetme, në çdo përpjekje të njeriut për të kapërcyer vetveten.
Sepse ai nuk ishte thjesht një kompozitor.
Ai ishte vetë përkufizimi i njeriut që, edhe në heshtje, arrin të bëjë që universi të dëgjojë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?