Luj mirë se do të zëvendësojmë me gru!?…
FJETON nga Hyskë Borobojka –
Nga fundi i viteve 70-t ndodhesha me shërbim në qytetin e Shkodrës. Atë ditë ekipi i “Topit të këmbës” të qytetit Verior do zhvillonte një ndeshje futbolli me ekipin e një qyteti të Shqipërisë së Jugut. Miku im, karikaturisti i madh dhe autor i shumë barsoletave me kripë, Shtjefen Palushi, më ftoi të vinim në stadium se do kënaqeshim e do dëfrenim. Në ato vite në ekipin e “Vllaznisë” luante një mbrojtës krahu me mbiemrin “Çapalik”.
Ishin ato vite kur “Partia-shtet” kishte filluar t’i zëvendësonte burrat me gra, duke fillua nga “Biroja Politike” ministrit e qeverisë, drejtorët e shefat e dikastereve madje edhe nëpunësve që kishin vetëm çelësat e kashtës, me qëllimin e mirë që karvani i “sukseseve” të socializmit të marshonte përpara drejt “fitoreve” të reja.
Tifozët e shumtë shkodranë kishin mbushur tribunën e shkallët e stadiumit, ashtu si thoshte një komentator i lashtë futbolli “s’kishte ku të hidhje kokrrën e mollës”. Topi pullali kërcente nga këmbët e një lojtari në kokën e tjetrit, godiste tranversën e portës, apo e pengonte shtylla të hynte “dhëndër brenda”. Shkodranët, që humorin “allaxhevap” e me kripë, e kanë në majë të gjuhës, thërrisnin nga tribuna e shkallët e stadiumit:
-Luj mirë Çapalik, se do të të zëvendësojmë me gru!?…
Këtë traditë të lashtë të “Partisë-shtet”, të zëvendësimit të burrave me gra e të tifozëve në stadium për zëvendësimin e Çapalikut “ me gru” e përsërit e po e ringjall me “sukses”, pas kaq vitesh ne qytetin e Shkodrës, “Rilindja e Re” (me mentalitete të vjetra). Kjo farë “Rilindjeje”, me që doli huq me kryetarë që “emëroi”, pasi kryetar “mavria” bashkie ne qytet, që “Rilindja” e kishte zgjedhur në tufën trafikantëve me një barrë qejf e dëshirë, doli jashtë qarkullimit, si paraja kallpë, që hyri me bujë në portën e bashkisë e, pa zënë mirë zyrën e karrigen e kryetarit, u detyrua të dilte nga dritaret si “hajni ( si thonë shpesh shkodranët).
Kjo disfate e pallogaritur e detyroi “Rilindjen” ta largonte sa më parë kryetarin e zgjedhur e të ringjallte reformat e diktaturës e shakatë e tifozëve me mbrojtësin e krahut të “Vllazënisë”. Reforma e “Rilindje” (si të gjitha reformat e saj) ishte e menjëhershme. Ajo vendosi që të gjithë drejtorët, shefat, përgjegjëset e sektorëve në qytetin e Shkodrës t’i zëvendësojë me gra e vajza, me zonja e zonjushe, jo vetëm në bashki, por në të gjithë sektorët dhe t’i zëvendësojë me gra e vajza, me zonja e zonjushe.
Në këtë “reformë të madhe” ,Rilindja ka shumë të “drejtë ( si drapri), se gratë e vajzat, zonjat e zonjushet janë të urta, të buta e të bindura, si delet e kopesë, që çobani, me krrabë në dorë, mund t’i drejtojë si të dojë. Ndërsa burrat janë të sertë e zevzekë, si deshë me këmborë e cjeptë me zile, që s’i fut dot kollaj në shtrungën tënde. Tani ata drejtorë, shefa përgjegjës sektorësh e nëpunës, që nga “reforma” e Rilindjes së Re” do bëhen gati të dalin nga zyrat e tyre, deklamojnë me zë të lartë titullin e librit të humoristit të mdh, Azis Nesim: “Sikur të isha grua”.