Martin Scorsese, në fund të një rrugëtimi të gjatë!?

Regjisori i famshëm Martin Scorsese, në një intervistë për ditoren “Guardian” me gazetarin Andrew Pulver, flet për filmin e tij të fundit epik, “Irlandezi” (The Irishman) dhe sesi Netflix-i e teknologjia po e ndryshojnë kinemanë. Intervistën me titullin “Ndoshta ‘Irlandezi’ është filmi i fundit që kam bërë”, Telegrafi e sjell të plotë në shqip, si më poshtë:

“Guardian” e ka shpallur filmin “The Irishman” si më të mirin të vitit 2019, pra… urime!

Faleminderit, jam shumë I nderuar.

Nuk ka shumë kohë që ka dalë, por a e keni ndonjë mendim se pse është aq i lidhur me publikun?

Sinqerisht, s’mund ta jap një përgjigje inteligjente. Në një mënyrë, bërja e filmit ishte me fat. Ishim të bekuar me mbështetjen financiare dhe kreative nga Netflix-i, dhe që në fillim dukej se po rridhte si duhet. Nuk di si ta shpreh saktë atmosferën, sepse njerëzit mendojnë: “Oh, miqtë e vjetër u mblodhën dhe po zbaviten”. Nuk ishte fare ashtu. Ishte diçka që ne thjesht duhej ta bënim. Dhe, kurrë nuk kam besuar se do pranohet në këtë mënyrë. E di ti, jemi në fund të jetëve tona dhe po e japim më të mirën tonë. E, nëse ia qëllon dhe njerëzit e pëlqejnë, kjo është gjë e mrekullueshme.

Gjithashtu, për shkak të situatës së Netflix-it, ishim në gjendje të eksperimentonim më shumë – me stilin narrativ, stilin vizual, kohëzgjatjen. Në një mënyrë, revolucioni është i tillë sa që s’e dimë se ku do të shikohen filmat. A ka vend të caktuar ku filmi shihet sot? E di ti, u rrita në kohën kur ishte veç një vend për të parë filma. Pastaj erdhi televizori bardhezi 12 ose 16 inçë, ku i pashë gjërat si filmat e hershëm të David Leanit, “Njeri i tretë” (The Third Man), “Qytetarin Kejn” (Citizen Kane) me reklama, dhe sekuencat e “Marshit të kohës” (March of Time). Shikimi i tyre në kinema ishte i mahnitshëm, ishte të themi vendi kryesor, por e kishim edhe një ndihmesë.

Shkurt, mendoj se duhet të them se më dukej e natyrshme të ndiqja instinktet e mia sa i përket stilit dhe kohëzgjatjes. Kjo para se të kalonim në detajet e CGI-së (imazhet e realizuara me kompjuter – v.j.), që unë e quaj evolucion të grimit. Ishte po ashtu shumë eksperimental. Nuk e dinim nëse do të funksiononte, ndaj përmes saj e ndjenim rrugëtimin tonë.

Sa rëndësi kishte trupa e aktorëve? Të gjithë dukeshin të mahnitur që bëtë bashkë Joe Pescin, Robert De Niron dhe Harvey Keitelin, duke futur aty edhe Al Pacinon.

Me vite të tëra Bobi e unë tentuam të bëhemi bashkë për një projekt. Kjo në fakt nisi rreth 35 vjet më parë, me idenë e versionit të ri të “E keqja dhe e bukura” (The Bad and the Beautiful) dhe vazhdimin e “Dy javë në një qytet tjetër” (Two Weeks in Another Town). Në një farë mënyre merreshim me këtë. Kështu, kur Bobi e kuptoi këtë histori dhe kur ma dha, ai tha: ” E di ti, nëse do ta bësh, kjo është pjesë e duhur për Joen”. Dhe, gjithashtu për Al Pacinon – e unë, siç e di ti, s’kam punuar me Alin gjithë këto vite? Thjesht, e dinim se janë të duhurit. Pastaj e shikuam njëri-tjetrin dhe kuptuam se ishin për këtë projekt. Nuk është domosdoshmërisht kulminacion, por një zhytje në atë çfarë jemi në fund të jetëve tona.

Kur e kuptuat se materiali ishte aktual për banditerizimin e politikës amerikane? Në fakt është parashikues, por sa lidhet me epokën e Trumpit?

Absolutisht, teksa e bënim. E shikuam njeri-tjetrin në mes të xhirimeve dhe e kuptuam se është saktësisht kështu siç është tani. Kjo nuk do të thotë se nuk ka qenë kështu edhe në të kaluarën. Por, mbase naivisht, në këtë vend gjithmonë kemi pasur ide të kontrolleve dhe të ekuilibrave. Dhe, nuk është hera e parë që korrupsioni ka ekzistuar në qeverinë e këtij vendi. Por, tani është përfundimisht në udhëkryq. Tashti duket se mund të ketë mbaruar.

Reagimi juaj këtë vit për filmat e Marvelit dhe të superheronjëve, ishte një nga lajmet kryesore. Sa ishte e menduar?

Natyrisht, e kemi diskutuar shumë herë se teatrot janë të komanduar nga filmat e superheronjve – e dini, me njerëz që fluturojnë përreth dhe përplasen e përplasen, gjë që është mirë nëse doni ta shihni. Por, thjesht nuk po ka vend për një lloj tjetër filmi. Unë nuk e di sa filma tjerë mund të bëj. Ndoshta ky është i fundit. Kështu, ideja ishte që të paktën ta realizonim dhe mbase ta shfaqim atë për një ditë në NFT (Institutin Britanik të Filmit – v.j.), mbase një ditë në Cinémathèque në Paris. Nuk po bëj shaka.

Jemi në situatën kur kinematë po shfaqin veç filmat e fundit me superheronj. I keni 12 ekrane dhe 11 janë me filma superheronjsh. Ju pëlqejnë filmat me superheronj, mirë, por a keni nevojë për 11 ekrane? Kjo është e tmerrshme për filmat si “Zonja Bërd” (Lady Bird) apo “Suveniri” (The Souvenir). Këta filma nuk janë shumë komercialë, por ka filma që janë modestë dhe origjinalë e që kanë audiencë të madhe. Vetëm pse filmi është komercial nuk do të thotë se është art. Produkti duhet të konsumohet dhe të hidhet. Shihe filmin komercial “Duke kënduar në shi” (Singin’ in the rain). Mund ta shohësh sërish e sërish. Pra, pyetja është: si ta mbrojmë formën e artit?

Tashti, nuk duhet ta pëlqesh filmin, por nuk mund ta bësh sot “Aviatorin” (The Aviator). As “Ishulli Shater” (Shutter Island) nuk mund të bëhet sot, madje as me mua e Leon (DiCaprio). “I ndjeri” (The Departed) u bë pavarësisht përbuzjes – se fuqia e yllit ndihmoi. E kuptuam kur po merreshim me këtë projekt se dyert po na mbyllen. Çfarë po ndodh? Kam shikuar në kinematë poshtë bllokut – 10 ekrane që shfaqin filmin e njëjtë.

Njerëzit reagojnë se këtë film e kemi shfaqur për vetëm katër javë në kinema. U përpoqëm për më shumë, por pronarët e kinemave dhe Netflix-i nuk binin dakord. Por, e di ti, e kam pasë një film që u dha veç një javë dhe u hoq. Në SHBA, “Mbreti i komedisë” (King of Comedy) u hoq pas një jave. Për 10 vjet u injorua ai film.

Kur flasim për “Mbretin e komedisë”, çfarë ndjeni për “Xhokerin” (Joker)?

Jam magjepsur nga fakti se është i ndikuar nga “Mbreti i komedisë” dhe nga “Taksisti” (Taxi Driver). Sidomos “Mbreti…”, sepse, siç gjithmonë e theksoj, vendi i vetëm ku u vlerësua “Mbreti…” ishte Britania. Por, nuk doja të merresha me këtë.

Jeni kudo në krye të dhjetëshes së parë: je përfshirë në filmat “I lumtur si Lazaro” (Happy as Lazzaro) dhe “Suveniri”, si dhe te “Margaritarët e paprerë” (Uncut Gems) që janë në top-dhjetëshen e filmave amerikanë. A mendoni se këtyre rioshëve u ke mësuar një apo dy gjëra me “Irlandezin”?

Ha! Nuk e di, e si do të mundesha? Analizoje kështu: isha këmbëngulës në bindjet e mia se si do ta xhiroj “Irlandezin”. Te “I lumtur si Lazaro” unë “prezantoj”, do të thotë: jam 77 vjeç dhe kam gjëra për të bërë. Koha është më e vlefshmja, apo jo? E vë emrin në rresht dhe them: “Po, mendoj se duhet të shohësh këtë film”.

“Suveniri” ishte ndryshe. Në fakt, që në fillim isha me Joannan (Hogg). Erdhi të më shihte dhe patëm diskutime për këtë. Vëllezërit Safdie janë të çmendur. I pashë ata në Telluride në një darkë dhe m’u duk sikur po më tallnin. Duken si dy banditë. Kur thanë se e kishin Adam Sandlerin, thash: “Në rregull, duket interesant”. Ata vinin në sheshxhirimet e “Irlandezit” dhe silleshin andejpari. Është një aspekt i imi që ka lidhje me, të themi mënyrën e tyre të egër. Por, me kalimin e viteve jam bërë gjithnjë e më shumë si filmat e Joannas ose “I lumtur si Lazaro” – për tu përqendruar në gjërat kryesore.

A e parashikoni se çfarë ndikimi do të ketë “Irlandezi” me Netflix-in në garën me pjesën tjetër të industrisë së filmit?

Pasi u pajtuam ta bënim filmin me Netflix-in, kuptova se çfarë do të thoshte kjo. E dinim që kryesisht do të shihet përmes internetit, porse do të jetë edhe në kinema. Por, në atë moment e dinim se duhej ta bënim filmin dhe se duhej të kishim financim. Dhe, po ashtu gjënë kryesore: lirinë krijuese. Thamë: OK, kushti është që mund të shfaqet për vetëm një javë në kinema. E pranova kushtin. Shqetësimi im kryesor ishte nëse do të ishte “OK” për aktorët, nëse Akademia (çmimet Oscar) do ta pranonte. Jo për mua, jo për filmin. E di se jam në fund të një udhëtimi shumë të gjatë. Gjëja kryesore është që filmi të bëhet dhe ta përqafojmë këtë botë të re sesi do të shihen këta filma.

SHKARKO APP