Mes paqes shpirtërore dhe përgjegjësisë së detyrës, kryebashkiaku, Benet Beci pret Kardinalin Ernest Troshani
Nga Albert Vataj
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka ndarë në rrjetet sociale një fotogaleri, nëpërmjet së cilës përcillet atmosfera e ngrohtë dhe shpirtërore e takimit të tij me Kardinal Ernest Troshanin, i cili prej disa ditësh ndodhej në Shkodër me rastin e meshës së shenjtë të kremtuar në Katedralen “Shën Shtjefni”.
Në postimin e tij, Beci shprehet:
“Me kënaqësi të veçantë prita sot në zyrë Kardinal Ernest Troshanin.
Fjalët e tij për dashuri, paqe dhe tolerancë kanë një forcë të veçantë. Kjo gjuhë e qetë e një kleriku të mençur të fesë bëhet udhërrëfim për njerëzit.
Gjatë bisedës i thashë se këshillat që më dha kur mora detyrën i mbaj si relike të çmuara: të punoj për Shkodrën dhe të jem pranë çdo njeriu në nevojë.
Faleminderit Kardinal për dashurinë, frymëzimin dhe kurajën!”
Takimi mes tyre nuk është thjesht një moment protokollar, por një ndërthurje e dy botëve që i shërbejnë të mirës publike, besimit dhe qytetarisë. Prania e Kardinal Troshanit, një prej figurave më të nderuara të Kishës Katolike shqiptare dhe një simbol i qëndresës shpirtërore, sjell me vete një jehonë të vuajtjes, sakrificës dhe triumfit moral mbi dhunën dhe padrejtësinë.
Benet Beci, në këtë komunikim të rrallë emocional, vë theksin te pesha e këshillave që Kardinali i dha në fillim të mandatit. T’i quash ato “relike të çmuara” është një figuracion që përçon respekt të thellë, por edhe një ndjeshmëri që lidhet me traditën e Shkodrës, qyteti ku shpirti religjioz dhe ai qytetar kanë bashkëjetuar gjithmonë në harmoni.
Mesazhi i kardinalit për dashuri, paqe dhe tolerancë vjen në një kohë kur fjala e urtë e klerikut është më e domosdoshme se kurrë, si busull morale, si shembull i maturisë dhe i forcës së qetë që frymëzon.
Pritja nga kryebashkiaku, e pasqyruar edhe në fotogalerinë shoqëruese, tregon një klimë mirënjohjeje dhe respekti që tejkalon dimensionin institucional. Ajo konfirmon se Shkodra, qyteti i shumë feve dhe i bashkëjetesës shekullore, ka ende aftësinë të ngrihet mbi dallimet dhe të dëgjojë zërin e arsyes, të zemrës dhe të besimit.
KOHA JONË SONDAZH

