Michael J. Fox: “Ndoshta nuk do të mund të ec ose t’i përdor duart e mia më”
Michael J. Fox (57), i njohur për rolin e tij si Marty McFly në klasikun filmik “Back to the Future”, foli hapur për gjendjen dhe problemet shëndetësore, të cilat i kanosen nga sëmundja e Parkinsonit, nga e cila vuan për më shumë se 30 vjet. Aktori iu nënshtrua gjithashtu operimit të trurit për t’i lehtësuar dridhjet e pjesëve të trupit, që është një nga simptomat e sëmundjes.
“Tani për tani gjithçka është stabile, por nëse përkeqësohet, ndoshta nuk do të mund të ec ose t’i përdor duart e mia së shpejti”, – tha Fox.
Ai shpjegoi se pas diagnostikimit filloi ta humbiste ekuilibrin dhe të rrëzohej gjithnjë e më shpesh. E gjithë kjo, siç thotë ai, i duket paksa qesharake, edhe pse bëhet fjalë për një problem serioz për çfarë kishte vendosur t’i nënshtrohej operacionit të palcës kurrizore. Michael ishte vetëm 29 vjeç kur iu diagnostikua sëmundja e Parkinsonit, gjë që në atë kohë e kishte tronditur, e pranoi ai në një intervistë me Closer Weekly.
“Sinqerisht, u thashë mjekëve: ‘A e dini se kush jam unë? Duhet të jeni ngatërruar… Mendova se ishte e pamundur që kjo të më ndodhte mua. Diagnoza më çmendi. Thjesht “ika prej saj”… dhe ngushëllimin, për fat të keq, e gjeta në alkool”, – e pranoi ylli filmik, shkruan KOHA Ditore.
“Deri më tani duhej të isha i palëvizshëm, por jam larg kësaj”, – zbuloi ai tre vjet më parë për revistën “Haute Living”.
Në media, ai shpesh ka theksuar se sëmundja e kishte bërë person më të mirë, ndërsa shpëtimin nga pasojat e sëmundjes e kishte gjetur në meditim. Për ta ngritur vetëdijesimin e publikut për një nga sëmundjet më të rënda të sotme, Fox i ka dhuruar më shumë se 650 milionë dollarë për hulumtime të sëmundjes së Parkinsonit.