Mjeshtri i madh, ndër të paktët mendimtarë të kulluar këtyre viseve e ka siguruar përjetësinë

Nga: Sonila Meco

Mjeshtri i madh, ndër të paktët mendimtarë të kulluar këtyre viseve, një monument i padiskutueshëm kulture e ka siguruar përjetësinë. Në kujtim të tij, në vend të një ngushëllimi, drejtojuni librarive sot e merrni librat e Moikomit, mes tyre mos lini pa shtënë në duar “Laboratorin e ëndrrave”. Shkruar e përfunduar në vitin 1970. Do të kuptoni se çfarë do të thotë të jesh laborator më vete në një sistem, që as të frymëzon e as të lejon liri krijimi, që të ndrydh në kanone të egra, duke të të ndikuar formimin, përmbushjen, realizimin.

Në fund të librit, Centauri në kapërcyell shekujsh, një ide e Moikomit 20 vjeçar mbi Moikomin 50 vjeçar do t’ju dëshmojë se përse sot vendit i mungojnë intelektualë e burra shteti të formuar, se si nis ky proces e se çfarë gabimesh fatale po bëjmë me zgjedhjet tona.

Kur e pyetën Moikomin e madh, si erdhën me radhë në profilin e tij erudit historia e arkeologjia, u përgjigj se ato qenë blindazhi kulturologjik pas ftohjes së detyruar me poezinë. Ja pra që privimi nuk e shmang dot kurrë mbrujtjen e intelektualit. Mund të të marrin, vjedhin, shkulin gjithçka, në diktaturë e liri, por kurrë interesat mendore, edukimin, formimin.

Mbushni bibliotekat tuaja me Moikomin, kësisoj i keni dhënë jetë të dytë e të tretë e në vend të ngushëllimit për shuarjen e një njeriu të madh do zërë vend mirënjohja për mendimtarin, që krijoi e mendoi mes nesh, në gjuhën shqipe, në tokën e shqipeve në shumë disiplina!

P.S Herën e fundit e takova të ndriturin Moikom në shfaqjen e Krastës, e fundit para shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Ndihej më i lehtë fizikisht, por rënduar dhimbjes për çfarë po i bëjmë trashëgimisë kulturore. Zonja e tij e bukur e mirë i qëndronte pranë dhe kur e pyeta me dëshirën e panginjur për mundësinë e ardhjes në program, buzëqeshjes së tij dashamirëse, por spërkatur me dromca pamundësie shëndetësore i shtoi fjalët: “Do të vijë patjetër!”

E unë do të të kem në studion time i shtrenjti Moikom sa të kem jetë me trashëgiminë e pashembshme të një monumenti të jashtëzakonshem kulture. T’kemi në zemër!

SHKARKO APP