Muzeu hebraik i Vlorës përzgjidhet në konkursin ndërkombëtar
Ngritja e muzeut hebraik në Vlorë, i cili do të rrëfejë historinë shqiptaro-hebreje, e që nuk nis gjatë Luftës së Dytë Botërore, kalon në një tjetër fazë tashmë, atë të konkursit ndërkombëtar për projektin arkitektonik.
Ftesës për të marrë pjesë në konkursin e organizuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) dhe Ministria e Kulturës i janë përgjigjur 5 studio, Kimmel Eshkolot Architects, Tel Aviv/Izrael, Merz & Renz GmbH + Co. KG, Berlin/Gjermani, studio Terragni Architetti, Como/Itali, Wandel Lorch Götze Wach GmbH, Frankfurt/Gjermani dhe Winkler + Ruck Architekten, Klagenfurt/Austri.
“Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë. Shpresojmë që studiot pjesëmarrëse në konkurs, të mund të kapin shpirtin dhe domethënien që ky muze ka për shqiptarët dhe hebrenjtë, në një bashkëjetesë shekullore”, deklaroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një forumi online me përfaqësuesit e 5 kompanive.
Data 25 mars e vitit 1944 është një ndër ditët më të zeza të historisë së hebrenjve në Ballkan. Ishte mëngjesi i asaj dite, kur trupat gjermane me ndihmën e trupave të xhandarmërisë greke, batalioneve të Sigurimit grek të komanduar direkt nga kryeministri kuisling, Joani Ralli hipën nëpër kamionë rreth 1.725 burra, gra, pleq e fëmijë të komunitetit hebre.Ndërkohë në Shqipëri, qeveria shqiptare, megjithëse nën pushtimin nazifashist, i pajisi herbenjtë me pasaporta shqiptare duke i kthyer në shqiptarë për t’i shpëtuar nga holokausti i tmerrshëm nazist. Është fakt i njohur historik, momenti kur një në Qarkore e vitit 1939, e lëshuar nga Ministria e Brendshme shqiptare, parashikonte regjistrimin e të gjithë shtetasve izraelitë që jetonin në Shqipëri, me qëllim strehimin dhe marrjen e tyre në mbrojtje. Qarkorja e Ministrisë së Brendshme i drejtohet të gjitha prefekturave ku iu kërkohet të regjistrojnë të gjithë shtetasit e kësaj kombësie me të gjitha të dhënat personale. Dokumenti i marrë nga Arkiva e Shtetit, i vitit 1939, dëshmon për përpjekjet e shtetit shqiptar për të marrë në mbrojtje shtetasit hebrenj.