Muzeu Historik Kombëtar, atraksion për turistët (FOTO)

Qindra turistë vendas dhe të huaj zgjodhën të vizitojnë muzeun më të madh në vend, atë Historik Kombëtar për t’u njohur me historinë dhe kulturën shqiptare. Muzeu Historik Kombëtar, po spikat si atraksion kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj edhe për muajin gusht. Pas dyfishimit të numrit gjatë muajve janar-korrik krahasuar me një vit më parë, vijon të ketë një numër të madh vizitorësh në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Mëngjesin e sotëm vizitorë të shumtë kanë ardhur në muze për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Muzeu Historik Kombëtar, synon të nxisë vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfiton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet për vizitorët.

SHKARKO APP