Muzeu Historik rikthen buzëqeshjen e fëmijëve të prekur nga tërmeti

Pas tërmetit që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, shumë banorë të qytetit të Durrësit dhe zonave të tjera, pas shpalljes si të pabanueshme të banesave të tyre, janë strehuar nëpër komplekse hoteliere dhe qendra sociale.

Mes personave të prekur nga tërmeti ka dhe shumë fëmijë, të cilët e kanë përjetuar shumë këtë situatë të vështirë.

Për t’ia lehtësuar sado pak dhimbjen dhe për t’i kthyer buzëqeshjen këtyre fëmijëve që ndodhen në hotel, por edhe të gjithëve banorëve aty, Muzeu Historik Kombëtar prezantoi disa nga projektet edukative të tij.

“Muzeu lëvizës” dhe “Arkeologu i vogël” shkuan pikërisht në një prej këtyre ambienteve, ku fëmijët kaluan disa orë të këndshme, duke luajtur, vizatuar, por dhe duke u njohur me trashëgiminë kulturore të vendit tonë, përmes kostumeve popullore, veglave muzikore e objekteve të tjera.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se, “Muzeu Historik Kombëtar shkon aty ku janë fëmijët dhe në këto momente, ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe lehtësim, janë të vegjëlit e strehuar nëpër komplekse hoteliere dhe qendra sociale, për shkak të tërmetit”.

Ministrja shprehet se dy projektet edukative të Muzeut Historik Kombëtar bën që fëmijët të kalonin disa orë ndryshe duke luajtur, vizatuar dhe duke u njohur me trashëgiminë tonë kulturore.

Margariti tha se, “ndërsa po punojmë të gjithë bashkë për gjetjen e zgjidhjes sa më shpejt për strehimin e tyre po përpiqemi t’u rikthejmë dhe buzëqeshjen fëmijëve ku në dispozicion të tyre janë të gjitha institucionet kulturore”

SHKARKO APP