Ndahen çmimet e letërsisë, kush janë tre autorët fitues dhe librat e tyre
Shtetasit Suad Arilla, Besart Kadia dhe Tobias Xhaxhiu janë fituesit e Fondit të të Rinjve, një projekt i shpallur dy muaj më parë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ku morën pjesë 10 autorë të rinj.
Në ceremoninë që u zhvillua sot në QKLL, mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila i quajti të rinjtë si një prioritet i përhershëm.
“Politikat ndaj të rinjve janë politikat ndaj së ardhmes. Ky fond është vetëm fillimi i një mbështetjeje të vazhdueshme që QKLL-ja do të japë ndaj të rinjve, pasi duhet të ndihmojmë një brez, i cili do të vijojë të përsosi gjuhën dhe kulturën shqipe”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së.
Juria, e kryesuar nga prof. asoc. Adelina Çerpja, në përbërje të së cilës ishin zv.dekania e Fakultetit të Filologjisë, Elsa Skënderi-Rakipllari dhe gazetarja e studiuesja Monika Stafa, shpalli fitues tre autorë si më poshtë:
Suad Arilla me romanin “Libri i kujtimeve dhe harresës”
Motivacioni:
“Për një roman që përcjell te lexuesi luftën e brendshme të secilit personazh të stilizuar me mjeshtëri, gjithë pse-të e tyre, përpjekjet për të kuptuar veten, por dhe të tjerët, nëpërmjet një gjuhe të kujdesshme, leksiku të pasur dhe figuracioni të shprehur”.
Tobias Xhaxhiu me romanin “Memento Mori”
Motivacioni:
“Për sjelljen origjinale të një balade të njohur, mbajtjen pezull të lexuesit me të njohurat dhe të panjohurat, për përdorimin e një leksiku të pasur, për përzgjedhjen me kujdes të toponimisë dhe antroponimisë, në funksion të sjelljes së kohës dhe vendit ku zhvillohen ngjarjet e këtij romani”.
Besart Kadia me romanin “Loja e vjetër”
“Për lëvrimin e një lloji të veçantë romani në gjuhën shqipe, të trillerit politik. Për zhbirilimin e individualitetit të secilit personazh, duke i kushtuar vëmendje çdo detaji në funksion të plotësimit të karakterit të tij dhe të dhënies së një tabloje të qartë të realitetit shqiptar në dy përmasa kohore, të cilat përkojnë me dy realitete politike e shoqërore të ndryshme”.
Çmimet iu dorëzuan fituesve nga shkrimtarja Flutura Açka dhe Virion Graci.