Ndërhyrje për të mbrojtur kalanë e Gjirokastrës
Arkitektë, inxhinierë të strukturave, gjeologë dhe gjeoteknikë, arkeologë, ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe ekspertë hidrologë, do të jenë ekipi i konsulentëve, që do të hartojë një plan ndërhyrjeje, në Kalanë e Gjirokastrës, për ta mbrojtur atë nga dëmtimi.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën për shprehje interesi ndaj këtij komponenti qe financohet nga projekti për turizmin me Bankën Botërore. Qëllimi është ulja e riskut të përkeqësimit të shpejtë dhe dëmtimit të strukturave të trashëgimisë. Plani i rifreskuar duhet të jetë i dakordësuar me palët e interesuara në proces. Ndërsa do të zhvillohen studime, investigime fizike dhe anketa përpara se të zhvillohen ndërhyrjet e propozuara.
Kalaja e Gjirokastrës është një nga monumentet me të vizitueshme nga turistët e huaj dhe vizitorët vendas. Ndodhur në qytetin që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO popullariteti i saj është rritur vit pas viti. Përgjithësisht kalaja është konservuar në mënyrën e saj origjinale me ndërhyrje të vogla ndërkohë që vitin e shkuar njëri nga muret e saj pësoi çarje për shkak të erozionit.