Ndeshja e madhe e burimeve të energjisë
Vitin e kaluar Gjermania, ekonomia më e madhe evropiane, pati një arritje historike: energjia elektrike e prodhuar në vend u sigurua më shumë nga burime të rinovueshme, se sa nga qymyri. Hidroelektrikja, diellorja, ajo e erës, dhe burimet e tjera të rinovueshme prodhuan 40 përqind të totalit të energjisë elektrike në Gjermani, kundrejt 38% nga qymyri. Bëhet fjalë për një parakalim historik, që sipas Fraunhofer Institute do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Sigurisht, moti në vitin 2018 ishte veçanërisht i favorshëm për energjinë diellore dhe të erës, produktiviteti i të cilës varet shumë nga kapriçot e motit. E megjithatë studiuesit janë të bindur se ai 40 përqind i energjisë elektrike, prodhuar pa lëshuar gaze në atmosferë është i destinuar që të rritet. A po shkëlqen pra, një diell i ri në botën e energjisë?
Ngjitja e energjive të rinovueshme
Lajmet që vijnë nga Gjermania nuk janë të vetmet që tregojnë rritjen e energjive të rinovueshme. Prej kohësh, më shumë se 90 % e energjisë elektrike në Kosta Rika dhe Uruguaji vjen nga burime “të pastra”; dhe sa i përket Evropës, në shumë raste centralet e erës të shteteve të ndryshme kanë prodhuar shumë më tepër se sa nevojat.
Por sektorin e dominon energjia diellore. Në Katovicë, gjatë konferencës së fundit mbi ndryshimet klimatike, u prezantua raporti i përvitshëm mbi gjendjet e fotovoltaikes, teknologjia që po afirmohet me më shumë efikasitet në treg. Sipas të dhënave, 35% e centraleve të reja elektrike të ndërtuara në botë në vitin 2017, ishte fotovoltaike. Dhe investimet rriten: në po të njëjtin vit, nga 243 miliardë euro të destinuara për energjitë e rinovueshme, 60% e tyre kanë qenë për këtë teknologji.
Diell me çmim të ulët
Rritjen e energjisë diellore e shtyjnë mbi të gjitha ekonomitë në zhvillim: Kina, e para, por edhe India e Brazili. “Ecuria pozitive ka një arsye preçize: fotovoltaikja është në fakt një teknologji e përparuar, dhe gjithnjë e më e volitshme nga pikëpamja ekonomike”, shpjegon Gianluca Ruggieri, inxhinier mjedisi dhe studiues në Universitetin e Insubrias. Nga viti 2010 deri në 2017, kostot janë ulur me 73% (ato të energjisë së erës me 23%); panelet diellore, që në vitin 1980 kushtoni 2 euro për cm2, kanë zbritur në më pak se 3 qindarka për cm2. Kështu, që tani kostot e fotovoltaikes janë të krahasueshme me ato të gazit dhe qymyrit.
Jo vetëm kaq. Ecuria ekonomike dhe teknologjike e viteve të fundit, ka sjellë përmirësime si në brezin ashtu dhe në zhvillimin e sistemeve akumuluese, që lejojnë krijimin e stoqeve të energjisë në momentet kur prodhimi kalon kërkesën, për ta përdorur më pas në rast nevoje. Shumë shpejt, këto pajisje do të na mundësojnë që të kemi energji elektrike, edhe kur nuk ka diell”, vazhdon Ruggeri.
Distanca për t’u plotësuar
Sigurisht, distanca mes lëndëve djegëse dhe burimeve të rinovueshme është ende e madhe. Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, këto të fundit kanë prodhuar në vitin 2017, pothuaj një të katërtën e energjisë elektrike botërore. I vetëm, qymyri është ende në 38%. Megjithatë, nëse shohim dy dekadat e fundit, rritja ka qenë domethënëse: në vitin 2000 ishte “e gjelbër” më pak se 20% e energjisë elektrike, ndërkohë që qymyri zinte edhe atë vit, 38%. Por e gjithë kjo nuk mjafton. “Të vetme energjitë e rinovueshme nuk mjaftojnë për të kapërcyer lëndët djegëse. Rritja është një pikënisje e mirë, por duhet që të shoqërohet me ndërhyrje për një efiçencë më të lartë energjetike”, pohon Ruggeri.
Jo vetëm energji elektrike
Veç kësaj prodhimi i energjisë elektrike është vetëm një pjesë e prodhimit energjetik botëror. Një pjesë e mirë e energjisë që përdorim, në fakt nuk vjen prej kabllove elektrike. Për shembull automobilët, kamionët, anijet dhe avionët: në këta sektori tranzicioni drejt energjive të rinovueshme është shumë prapa. “Ajo e transportit është një temë shumë e rëndësishme”, konfirmon Ruggieri. “Makinat elektrike mund të jenë një zgjidhje, me kusht që të ushqehen me energji elektrike të siguruar prej burimeve të pastra dhe që të montojnë bateri efiçente, me sisteme prodhimi dhe asgjësimi që kanë impakt mjedisor të ulët”. Por edhe ngrohja e banesave, prodhimi industrial, bujqësia dhe ushqimi janë ende të varura prej lëndëve djegëse.
“Ndeshja” e furnizimit luhet në fusha të ndryshme dhe komplekse, me shumë ndryshore për t’u marrë në konsideratë. Kështu, nëse marrim parasysh kërkesën e përgjithshme për energji (e ashtuquajtura “energji primare”), progresi i energjisë së pastër do të ridimensionohet.
Skenarë të ardhshëm.
Të dhënat e ANE thonë se sot treshja e naftës, qymyrit dhe gazit plotëson ende më shumë se 80% të kërkesës bazë për energji, me të rinovueshmen që zë rreth 10%, e barabartë me bërthamoren. Dhe hedhin hipotezën se në vitin 2040 energjia e erës, diellore dhe hidroelektrike mund të mbulojë 30% të kërkesës, krahasuar me 60% të burimeve fosile (ndërsa bërthamorja do të mbetet pothuajse e pandryshuar). Në këtë skenar, për shkak të një rritje të efikasitetit të energjisë, nevojat do të mbeten në thelb të pandryshuara në krahasim me sot: një e dhënë jo pak e rëndësishme, duke marrë parasysh që popullsia botërore do të rritet dhe aksesi ndaj energjisë elektrike dhe shërbimeve do të jetë më i përhapur. Në çdo rast, edhe nëse realizohen më optimistet e hipotezave të ANE, karburantet fosile do të vazhdojnë të mbizotërojnë në këtë sektor.
Kush do të fitojë?
Po sikur parashikimi të jetë i gabuar? “Eshtë shumë e vështirë të realizosh skenarë energjetikë afatgjatë”, zbulon Ruggieri. Dhe shumë prej hipotezave të bëra në të kaluarën më pas janë përgënjeshtruar prej fakteve. Lajmi i mirë është se energjitë e rinovueshme kanë bërë gjithmonë, shumë më mirë se sa mendohej, me një tendencë në rritje që vazhdon edhe sot, mbi të gjitha për shkak të volisë ekonomike. Por as kjo nuk mund të mjaftojë për ta çuar lavjerrësin e zgjedhjeve, në anën e energjisë së pastër. Të tjerë sektorë të prodhimit të energjisë përpiqen të ruajnë pozicionin e tyre në treg. Çmimi i naftës do të jetë një element vendimtar në zgjedhjet e ardhshme të energjisë. Kuotat që janë aktualisht të ulëta, mund të mbeten të tilla edhe për një kohë të gjatë, mbi të gjitha për shkak të politikës së SHBA. Aty në fakt prodhimi i naftës u rrit me 25% në pothuaj një vit. Dhe është e mundur që, për të favorizuar industritë e veta, qeveria amerikane të vazhdojë në këtë rrugë. Duke i vënë kështu pak frenat, trenit të energjive të rinovueshme.
Focus – Bota.al