Ndikimi i Ticianit në artin e shekullit XVI
Gjatë “Epokës së Artë” në Venedik, Ticiani (Tiziano Vecelli – Titian) studioi tek piktori me më zë i kohës së tij, të cilin më vonë e arriti dhe e kaloi. Një ekspozitë në Muzeun Städel të Frankfurtit tregon se si ai e rinovoi artin.
Piktori bashkëkohor gjerman Gerhard Richter, i çmon veprat e Ticianit (1488-1576) për shkak “të vërtetësisë së shprehur bukur”. Në fillim të viteve 1970 ai pikturoi “Lajmërimin (e engjëllit për Shën Mërinë), sipas Ticianit”.
Britaniku Lucian Freud në një fjalë të mbajtur në vitin 2001, serinë e pikturave të Ticianit me perëndeshën e luftës Diana, i quajti: “Thjesht, pikturat më të bukura të botës”.
Herë pas here dalin artistë, të cilët frymëzojnë jo vetëm publikun, por edhe vetë artistët. Ticiani është njëri prej tyre, një modernizues i pikturës dhe një avangardist ambicioz në Venecian e cinquecentos (njëmijë e pesëqindës).
Në vitin 1516 Ticiani u bë piktor i këshillit dukal të Venecias. Një karrierë e çuditshme për një artist, i cili ka lindur ndoshta në vitin 1488 në një fshat të Dolomiteve, si djali i një këshilltari ligjor. Që në moshën dhjetëvjeçare ai shkoi në Venedik për të mësuar dhe pak më vonë përfundoi tek piktori më i njohur i Venecias, Giovanni Bellini.
Venediku në shekullin XVI: Qyteti është më i pasur se qytet-shtetet e tjera. Qytetarët, aristokratët e pasur, e kanë bërë qytetin qendrën më të madhe tregtare të botës. Venediku është një qendër e transportit dhe këmbimit të mallrave. Para ka sa të duash. Sundimtarët i shpenzojnë ato pa iu dhimbsur, për të zbukuruar qytetin. Për këtë qëllim angazhojnë piktorë si Paolo Veronese apo Jacopo Tintoretto. Për nder të Venedikut ata krijojnë vepra të shumta.
Edhe për Ticianin e ri hapet rruga e suksesit me zbulimin e pikturës “Ngjitja e Zonjës së bekuar në qiell” në altarin e kishës Santa Maria Gloriosa dei Frari në vitin 1518. Punimi është magjepsës edhe për shkak të formatit të tij: Ngjitja në qiell është punuar mbi 21 pllaka me dru cedri të bëra bashkë, me përmasë 24 metër katrorë. Në një lartësi më shumë se pesë metër Maria vështron lart drejt Zotit në qiell, i cili lëviz në drejtim të saj.
Vepra e Ticianit në altarin e kishës së Frarit vendos parametra të rinj dhe shkakton sensacion. Bashkëkohësi i tij, teoricieni i artit Lodovico Dolce, e barazon atë me piktorët më të mëdhenj të kohës së tij. Ticiani bashkon “më të mirën e Mikelangelos dhe të Rafaelit” duke i shtuar asaj edhe “një kolorit të përsosur”, shkruante ai në atë kohë.
Fama mbërrin deri në Romë. Vatikani e fton Ticianin, por ai nuk dëshiron të shkojë në Romë. Ai e vizitoi shumë më vonë Romën në vitin 1545.
Piktura e tij e famshme e altarit ka qëndruar në shekullin XIX në muze. Që nga viti 1919 ajo është kthyer në kishën e Frarit në Venecia, në atë vend për të cilin qe konceptuar fillimisht. Ekspozita e titulluar “Ticiani dhe Rilindja në Venecia” në Muzeun Städel të Frankfurtit fokusohet në rreth 20 vepra të mjeshtrit. Përveç tyre janë ekspozuar edhe piktura dhe vizatime të mësuesit të tij Giovanni Bellini dhe bashkëkohësve të tjerë, si Jacopo Tintoretto apo Paolo Veronese.
Veronese dhe Tintoretto janë më të rinj se Ticiani, edhe ata arritën të bëhen shumë të famshëm. Të dy janë nën ndikimin e Ticianit – dhe gjatë gjithë jetës ndodhen në garë, që e shtyn secilin për të qenë më i mirë se konkurrenti.
Në tetë kapituj tematikë prezantohen aspekte të përzgjedhura, karakteristika të pikturës së shekullit XVI në Venedik. Aty vizitori mund të kundrojë portretet, peizazhet, temat mitologjike dhe fetare të Ticianit. Sidomos në portretet ai dëshmon shkathtësinë e tij dhe dëshirën për të eksperimentuar. Ticiani ka pikturuar gjysmë-figura, portrete në grup, portrete të dogjëve, apo edhe portrete fëmijësh. Ai pikturoi edhe portrete në këmbë dhe portrete të kalorësve, të humanistëve, artistëve dhe këshilltarëve perandorakë. Perandori Karli V, portreti i të cilit si kalorës është ndër më të bukurit, që ka krijuar ndonjëherë Ticiani, e ngriti atë në rangun e kontit të pallatit. Edhe djalit të i tij Filipit II i pëlqente të pikturohej nga Ticiani.
Me kalimin e viteve artisti i madh bëhet gjithnjë e më i lirë në hedhjen e ngjyrave në telajo. Ndonjëherë i vendos ato aq lirshëm pranë njera-tjetrës, saqë ndonjë vëzhgues i sotëm mendon se zbulon paralele me impresionizmin. Linjat, konturet që përcaktojnë format e objekteve shpërbëhen gjithnjë e më shumë. Ai i kushtohet skenave mitologjike po ashtu si dhe rrëfimeve biblike. Edhe në paraqitjen e akteve të shtrira, si në “Venera e Urbinos” të vitit 1583, Ticiani ushtrohet dhe përsos teknikën e tij të shpërbërjes së kontureve. Deri në epokën moderne interpretimi i tij i Venerës shërben si etalon për gjithçka dhe në shekullin XIX ai i shërben artistit Edouard Manet si shembull për tablonë e tij të perëndeshës së dashurisë.
Ticiani si njeri i shquar, që shoqërohej me të pasurit dhe të fuqishmit e Venedikut, arrin ta bëjë portretin një zhanër shumë të nderuar. Ndërsa paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij i japin rëndësi të madhe riprodhimit, paraqitjes realiste të personit të portretuar dhe veshjes së tij, Ticiani e di mirë si t‘i fashisë këto tendenca për vetëreklamim.
Parimi i tij që atëherë ka qenë. Më pak do të thotë më shumë. Në lënien pa pikturuar të disa gjërave, qëndron arti i lartë i përqendrimit tek thelbësorja. Ai fokusohet në shprehjen e njeriut: në vështrimin e syve, gjestikën e duarve, apo qëndrimin. Rezultati janë vepra të cilave nuk u ikën kurrë koha, që transmetojnë diçka, që del përtej portretit. Ngjyra merr këtu një rëndësi të veçantë: e kuqja e Ticianit është magjike, e errët dhe fisnike; thuhet se piktori është impresionuar nga flokët e lyer të kurtizaneve të Venedikut, të cilat i rrinin si modele. Nga kjo rrodhi më vonë termi “e kuqe e Ticianit”.
Nuancat koloristike, që veneciani përdor gjatë periudhës 80-vjeçare të krijimtarisë së tij, pësojnë ndryshime të mëdha: e kuqja e ndritshme cinabar, e kuqja karmin, magenta, roza, ngjyra bordo, e kaltra, e gjelbra, portokallja, vjollca, e bardha dhe ngjyra e artë. Figurat mitologjike Baku dhe Ariadne shfaqen në rozë dhe kaltër. Në kompozimet e mëvonshme dominojnë tonet e errëta dhe pa gjallëri.
Ticiani në Venedik kishte një avantazh të madh: Nga tregtia e gjallë e qytetit ai ka në dispozicion pigmente të rralla ngjyrash, ndër të tjera për shembull lapis lazulin blu. Ticiani pikturon deri sa vdes. Ai ndërron jetë në vitin 1576 gati 90 vjeçar, si pasojë e një epidemie, që u përhap me shumë shpejtësi në Venecia. /DW/