Në Valbonë, atje ku pikëtakohet qielli me tokën për të kurorëzuar mrekullinë e natyrës

Nga Albert Vataj

Përtej asaj barre të rëndë, hekuri, betoni, muresh dhe një pasioni mbytës ndërtimesh qëndron sfidues bukuria e ashpër e mrekullisë së natyrës, e cila në këtë pikëtakim të tokës me qiellin, ngulmueshëm rreket t’i bëjë qëndresë njeriut të magjepsur nga paraja më shumë se nga çdo dalldisje tjetër.
E megjithatë, natyra në përpjekjen e saj për të qenë i panënshtrueshme, i’a ka dalë edhe ajo si çdo kryengritje që ka zgjedhur jo të ndeshet, se sa të përcaktojë caqet, të vërë kufij, të dëshmojë praninë e nevojës për të bashkëjetuar në një realitet që kërkon dhunshëm të vërë dominues.
Dhe, Valbona, Dragobia, i gjithë ky amfiteatër mistik bukurie dhe adhurimi, në këtë madhështi të të qenit thekshëm i ngërthyer në qiell, do ta ketë të pamundur të gjunjëzohet pushtetit të parasë dhe dhunës së ndërtimeve.
Gjithsesi, ti që je i dashuruar me natyrën, i magjepsur nga teatraliteti i spektaklit të këtij solemniteti, do të kesh legjitimitetin ta rrokësh këtë mrekulli, të ndihesh i mikluar nga ky hir, të jesh gjithnjë i mbushur me thellësinë e peizazhit.
Mos ju druj duarve që zgjaten drejt teje të të shkulin dëshirimin e këtij zelli përjetimi, tamëltimin e kësaj shpirtje që të çon atje ku mbushesh me frymë dhe qiell. Hidhu në krahët e kësaj bukurie, si në prehrin e një mrekullie magjepsëse që kaq ëndshëm rreket të ngop boshin që të gërryen. Lëre veten të lirë si një frymë dhe ndjej teksa të përshkon gjithçka rretheqark, përtej atyre mureve që kërkojnë lirinëdhe paranë tënde. Nënshtroju këtij dëshire për të përmbushur ëndrrën e fluturimit, këtij vullneti të hyjshëm, këtij kremtimi rrokaqiellës dhe preke të perëndishmen në çdo gjë që të qaset, preku retë veshin kreshtat e deriku majëmalet i kuqëlon rrezja e diellit.
Një ngulm fluturim të cyt, një qiell i thellë të përpin, sepse ti je plot ëndje dhe am.
E pangjashme me asnjë manifestim egrash festiv të natyrës është kjo yshtje, kjo mahnitje. E pashoqe me asnjë harbim tjetër dëshirues është kjo epje.
Valbona, vetanake dhe ngasëse me gurgullimin e vet të zallamahishme, që ngërthen gërshetat e shkumëzuar pas shkëmbinjve që kanë pikuar nga qielli si pas një beteje epike heronjsh e mitesh.
Ajo është marramendëse për kureshtinë, përshkuese dhe magjepsjes. Një jehonë që ushton në qiellin e kyçur në çarkun e majëmaleve që i çuçurit në vesh çdo ardhacaku në këtë amfiteatër kopulimesh të epshme të erozionit dhe shndërrimit.
Në këtë lojë të hazdisur të natyrës gatitu, të pret një ndeshje eposi. Si një gladiator përballu në këtë ndërkryemje hutimi dhe shastisjeje, ti shpirti që ndjen teksa e përshkon një hapësirë e përreth të afrohen si shtojzovalle reflektimet e diellit dhe hijet e reve. Përpiqu që teksa frymëmerr të matësh krahët e atij fluturimi shpendi mitik që të thërret në këtë mrekullim. Në duar të derdhet blerimi i dushqeve dhe halorëve që diç të thonë në pëshpërimën që të vjen nga pas dhe ndez harbimin në ty dhe çdo ardhëtari tjetër që pjesëmerr në këtë lojë të epshme përqafimi me të pamatshme, ushtuesen, jehuesen, kushtruesen.
Nëse ke nevojë të ndihesh i mbushur me mrekullim, shko atje ku pikëtakohet qielli me tokën për të kremtuar ceremonialin e një feste përjetësie. Çdo majë e çdo pemë, çdo gurë e çdo shkumëzim Valbone, çdo mëkim që të jepet dhe kungim që të mylmen, është ajo e cila meriton. Sepse ne jemi natyra dhe vetëm në prehrin e saj do të mund ta ndjejmë veten si në prehrin e nënës.

SHKARKO APP