Nexhmedin Zajmi, piktori i ngjyrave të gjalla dhe përjetimeve të thella

Nga Albert Vataj

Nexhmedin Zajmi, i përket plejadës së mjeshtrave të pikturës, si Vangjush Mio, Andrea Mano, Foto Stamo, Kel Kodheli, Kristina Koljaka, Zef Kolombi, Shefqet Agalliu, Hasan Reçi, Qamil Grezda, etj., vepra dhe vlerat e të cilëve janë faqe në historinë e traditës shqiptare të pikturës. Edhe pse veprimtaria e tyre krijuese shtrihet në kohë trazimta, për të vijuar në periudha zgripesh të thella dhe përplasjesh të fuqishme, nuk e komprometoi shpirtin krijues që ata i blatuan shenjtërisë së kavaletat. Ishte ajo kohë, ishin ato ngadhënjime, ishin ato përpjekje, ai shpirt që pasuroi tablonë e artit shqiptarë me penelatat më të dritëshme dhe flakërimën më të ngjyrshme të shkollave dhe mëkimeve të epërme estetike.

Nexhmedin Zajmi i përket asaj shkolle, atij paleti ngjyrash të flakërimta dhe nuancash të buta, atyre qasjeve frymëzuese të gjalla dhe përjetimesh të thella. Nëpër atë rrugë që arti ynë shkoi larg dhe u ngjit lart, kahu edhe puna dhe veprimtaria krijuese e Zajmit. Tematika dhe teknika, e përbashkojnë me atë që është përfaqësim i të bukurës së natyrshme, i shprehisë që përshkon në thellësi peizazhin dhe portretin, që lëmon me dritëhije profilin dhe linjat. Natyrshmëria e veprës së Zajmit e ruan të fortë lidhjen e veprës me auditorin. Çdo ëndje arrin të gjej prehje te piktura e mjeshtrit. Komunikimi i piktorit arrin të jetë gjithnjë një marrëdhënie në veprim, siç është edhe atmosfera që krijon puna.

“Natyra për të ishte frymëzim. Realitetit të natyrës ai i vishte kostumin e mahnitshëm artistik. Kavaleti, tavaloca, penelat dhe ngjyrat e vajit të holluara me vajin e linit, ishin të gjitha instrumentet me të cilat Zajmi pikturon realitetin si burim frymëzimi. Zajmi vërtet pikturon natyrën, por ai nuk shndërrohet asnjëherë në skllavin apo në shërbyesin e saj. Ai pikturon me sinqeritet dhe vërtetësi, duke mos anashkaluar poetikën e të treguarit realitetin me realizëm dhe në shërbim të së bukurës, duke e pasuruar atë me ndjenjat, emocionet dhe botën e tij. Gjurma realiste, e cila udhëhoqi në tërësi pikturën e tij dhe në veçanti gjininë e peizazhit, solli në pikturën shqiptare vlera artistike të pakrahasueshme.”

Nexhmedin Zajmi u lind në 4 mars 1916 në Trebisht të Peshkopisë. Pasi mbaron shkollën teknike në Tiranë, vazhdon shkollën e vizatimit me profesorë të nderuar dhe ku ishte drejtor Odise Paskali. Shkollën e mbaron në 1938 dhe në 1939, vazhdon studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, ku diplomohet në vitin 1943 me një pikturë nudo. “Gjatë viteve të shkollës në Romë, -kujton profesori “Piktori i Merituar” Kel Kodheli, e mbaj mend Nexhmedinin si një njeri me vullnet të hekurt, këmbëngulës dhe puntor të madh”. Mbasi diplomohet në këtë Akademi, Nexhmedini ndenji një vit në Itali dhe kthehet në Shqipëri nga fundi i vitit 1944-ës. Menjëherë pas luftës më 1945 emërohet profesor në Gjimnazin Shtetëror të Tiranës dhe një vit më pas, pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1955 emërohet Drejtor i Galerisë së Arteve për një vit dhe më pas shkon përsëri pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku qëndroi deri në vitin 1963, vit në të cilin emërohet pedagog në Akademinë e Artit (ish ILA). Si pedagog i Akademisë qëndroi deri në vitin 1969. Si pedagog i nderuar ai nxori dhjetëra artistë, piktorë me emër sot në artin shqiptar.

Së bashku me Odise Paskalin ishin të parët që dolën në profesion të lirë në vitin 1969. Krijimtaria artistike e Nexhmedin Zajmit fillon që në vitet 30-të e mbaron në vitin 1991, vit kur ai u nda nga jeta në 19 maj 1991. Një periudhë e gjatë krijimtarie mbi gjysmë shekulli, tepër e suksesshme në sasi, por edhe në çmime të ndryshme. Periudha e viteve 60-70 është periudha me e suksesshme e krijimtarisë së tij artistike dhe njëkohësisht me e frytshme. Gjatë kësaj periudhe realizoi tablo e portrete nga më të arrirat. Mori pjesë në të gjitha ekspozitat e konkurrimet kombëtare si dhe në të gjitha përfaqësimet ndërkombëtare si në bienalet e ndryshme të Aleksandrisë që nga viti 1958 e me radhë 1962, 1964, 1966, në atë të Bukureshtit 1958, 1970, në Sofje në 1958, Vienë 1970, Peterburg 1967, Kroaci 1972, etj.

Pas viteve 80-të, bie intensiteti i punës së tij krijuese, pasi për shkaqe shëndetësore i dobësohet të parët, si dhe mosha bënte të vetën, por ai për asnjë çast nuk u ndal në krijimtarinë e tij. Nexhmedin Zajmi i përket brezit të piktorëve të parë që vunë themelet e artit shqiptar, krahës piktorëve e artistëve të tjerë të kohës së tij si Odise Paskali, Vangjush Mios, me të cilin u njoh në vitin 1946, Abdurrahim Buzës, Sadik Kaceli, Kel Kodheli, Andera Manos, etj. Në krijimtarinë e tij të pasur një rëndësi të veçantë ka cikli i portreteve nga malësitë e Veriut, të Thethit, Vaut të Dejës, veçanërisht. Ai është ndër të vetmit piktorë që për ditë e vite me radhë i ka shkelur vetë viset e thella shqiptare. Ai studioi dhe paraqiti realisht portretin dhe jetën zakonore të kësaj treve të pasur epike, ku ndenji disa vjet rresht. Shquhen midis të tjerave veprat: “Brendia e Thethit”, “Portret malësori”, “Nëna labe”, “Tregimi partizan”, “Refugjatët”, “Malsori”, “Dardharja”, “Malësorja”, “Gryka e Fanit”, “Pogradeci 70-71”, etj. Vepra e Nexhmedin Zajmit është një thesar i çmuar në krijimtarinë tonë artistike. Shumë vepra të tij sot janë pronë e Galerisë kombëtare si dhe përbëjnë linjën kryesore të saj. Është nderuar me shumë çmime në konkurset kombëtare, si dhe është laureat i disa Çmimeve të Republikës. Në vitin 1961 i jepet titulli i lartë “Piktor i Merituar” dhe në 1989 titulli “Piktor i Popullit”.

Njëlloj si në portretet e piktorëve të famshëm të Rilindjes italiane, sytë e portreteve të pikturuara nga Zajmi shikojnë drejt e te publiku. Ngjyrat janë të pasura, atmosfera është grishëse. Ne i sodisim dhe nuk i heqim dot shikimin prej tyre. Kur jemi para portreteve të Zajmit, ne shohim personazhe që të ftojnë në bashkëbisedim, në dialog, në reflektim e në kënaqësi estetike. Shohim lojën ekspresive të ngjyrave dhe një ndjeshmëri të fortë ndaj së bukurës.

Zajmi ishte piktor i ngjyrave, i natyrës,  jo i studios. Personazhet që pikturonte ai i ndeshte realisht në jetë dhe pastaj i pikturonte. Gjithë kohës ishte në kërkim të karaktereve të veçanta. Që nga çasti kur dilte në mëngjes nga shtëpia, rrugës, në kafe, biseda, kontakte, kudo ai ishte në kërkim. Ai kishte intuitën ta “godiste” njeriun, figurën artistike që i nevojitej. Pa harruar që në atë periudhë kishte një lloj krize për gjetje modelesh. Kjo ishte arsyeja që në shumë piktura të tij, kanë pozuar për të familjarë, të afërm, fëmijët, madje edhe mamaja etj. Zajmi nuk punonte me foto, donte natyrën dhe njeriun. Këto elemente e frymëzonin dhe ky frymëzim shpalosej menjëherë në tablo, shprehen komentues të piktorit.

Sot, Nexhmedin Zajmi, është emër në historinë e artit shqiptar, është vlerë e pamohueshme dhe përfaqësues, është vepër që mbetet në themelet e asaj ngrehine të lartë ku secili vuri nga një gur në lartësimin e këtij shpirti që e pasuron vetëdijen tonë kombëtare.

 

SHKARKO APP