Nga Frankfurti te panairet e shqiptarëve

Rita Petro-

Një organizim i përsosur panairi i librit në Frankfurt – që prej 1949. 70 vjet rresht që bën bashkë botuesit nga e gjithë bota. Në 3 ditët e e para bëhen takimet mes biznesmenëve

botues, të cilët paraqesin titujt e rinj dhe krijojnë bashkëpunimet mes njëri-tjetrit. Në fundjavë hapet për lexuesit dhe vetëm të dielën, lejohet shitja. Stenda e Kosovës vazhdon si çdo vit të mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës. Dhe si ka mundesi që stenda Albania të mungojë përsëri çdo vit?! Dhe askush nga qeveria shqiptare nuk shqetësohet për këtë fakt. Vërtet panairi i librit është panair i biznesit të librit, por shtete pa industri të madhe botimi mbështeten financiarisht nga qeveritë e tyre që të paraqiten denjësisht në një panair të tillë botëror, siç janë stendat e përbashkëta të Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë etj.

Në panairin e Frankfurtit gjen një prezantim të mrekullueshëm të librit nëpërmjet stendave me një dizajn modern, ku libri ndriçohet aq bukur dhe përmes tij paraqiten kulturat e vendeve të ndryshme.

Ka ardhur koha dhe te ne, që secili botues të përpiqet me një stendë sa më cilësore dhe të hiqet dorë nga tezgëshitja. Le t’i japim librit dinjitetin e duhur. Panairet janë një mundësi e artë prezantimi, bashkëbisedimi  mes botuesve, autorëve dhe lexuesve, si dhe të një mjedisi estetikisht të bukur. Dhe blerja e librit duhet të jetë po aq estetikisht e bukur. Po sigurisht, pa dashur të bëj krahasime që nuk qëndrojnë, po si janë panairet e ne shqiptarëve? Në Tetovë niveli i paraqitjes së librit është i tillë, që më mirë të mos bēhet fare. Çdo mall tjetër shitet më mirë se libri, dhe askujt nga politikanët shqiptarë të përfaqësuar në qeveri, nuk i bën fare përshtypje kjo gjë. Në Prishtinë dikur bëheshin përpjekje më të mira, ndërsa tani çdo vit dhe më keq. Stenda dhe mjedise tmerrësisht të lodhura, që të marrin frymën e jo më të të çlirojnë mendjen. Në Tiranë në Pallatin e Kongreseve ka kohë që bëhet panairi më i madh i shqiptarëve, por pavarësisht nga përpjekjet e Shoqatës së Botuesve, si dhe të gjithë botuesve të tjerë, ky pallat i lodhur nuk është më në gjendje të mbulojë panairet denjësisht. Po bëhen ndërtime pa fund dhe si ka mundësi që ende një mjedis modern, me parametra të ndërtesave gjigante të reja nuk po vihet në dispozicion të librit ?! Pa kulturën e librit ne shqiptarët do të vazhdojmë të jemi ende shumë larg Evropës.

SHKARKO APP