Nga Rudina Xhunga: Intervista e Sadije Agollit, gruas së rrallë te Dritëroit unik
Nga Rudina Xhunga
Kjo eshtë nje intervistë e realizuar me 6 gusht 1995 me Sadije Agollin, një grua e rrallë, që e shoqëroi burrin unik të letrave shqipe, burrin e mençur te kuvendimit politik, Dritero Agollin, çdo çast, që nga momenti kur e njohu.
Kush i takoi ata të dy e di se qëne të pandashen në jete. Siç tani janë në atë botë. Dritëroi iku në shkurt, Sadija iku po në shkurt. Per të ndenjur bashke, përgjithmone. (dritare.net)
Rudina Xhunga: Ju jeni grua shkrimtari, apo politikani?
Sadije Agolli: Dritëroi është sidomos shkrimtar. Politikën e sheh në shërbim të krijimtarisë. Janë të dyja profesione të vështira, por kur je i bindur në idealet e tua, kalohen lehtë. Siç thotë në një poezi Dritëroi:
“Kur zgjohem nga gjumi, s’nxitohem
vë këmbën në truall, i humbur, i vrarë
Ndez një cigare dhe rri e mendohem
se ç’ëndërr kam parë
këtu ndryshoj unë nga ti, o i marrë”
Rudina Xhunga: Ku ndryshoni ju nga Dritëro Agolli?
Sadije Agolli: Dritëroi është devolli. Ndoshta hapësira e fushave ka ndikuar që të jetë më shumë tolerant në gjykimin e problemeve. Unë rrjedh nga shqiptarët e Malit të Zi. Jam më e prerë, më e egër. Ndërsa tek Dritëroi kam vënë re elasticitet në gjykimin e problemeve që në kohën e totalitarizmit, kur të merreshe me politikë ishte shumë më e vështirë se sot. Ai i jep të drejtë dhe kundërshtarit, kur sheh se gjen një ide të mirë. Edhe kur vë re, se shokët e idealit nuk kanë të drejtë, i kundërshton publikisht në parlament, në shtyp dhe mbledhjet e tyre. Ai kërkon kulturë në politikë.
Rudina Xhunga: Dritëroi është i majtë, ndërsa rrjedh nga pronarë tokash të Menkulasit.
Sadije Agolli: Dritëroi është idealist. Në kohët e para të martesës më dukej revizionist dhe agjent i rusëve, siç u akuzuan disa shokë të tij që kishin studiuar në Rusi, apo ishin martuar me gra ruse. Dritëroi i kishte mbledhur gjithë fotografitë e Rusisë me shokë, shoqe, disa prej tyre të dënuar nga regjimi, me gruan, djalin, disa libra të ndaluar dhe i kishte futur në një valixhe dërrase, me të cilën kishte studiuar në Rusi. Kjo valixhe më fuste frikën dhe vitet e para jetoja me ankthin se mos dhe atë e fusnin në burg.
Rudina Xhunga: Ku ndodhet tani kjo valixhe?
Sadije Agolli: Valixhja është përsëri në shtëpi. S’është më e frikshme. Aty janë bashkuar tabutë e hershme me kujtimet, fotografitë tona.
Rudina Xhunga: Në martesën tuaj, gruaja e parë e tij dhe djali ekzistonin si hije?
Sadije Agolli: Foton e djalit ne e mbanim në mur. Dhe fotografitë e tij të martesës i kishim. Dritëroi nuk u nda se s’shkonte mirë me të. Ata i ndau politika. Në atë kohë ai nisi të pinte shumë. Kështu që unë s’e ngacmoja me xhelozira, apo inate.
Rudina Xhunga: Herë pas here është folur për të pirën e Dritëroit. Ju e toleroni?
Sadije Agolli: Dritëroi nuk është pijanec, është pijetar. Ai mund të pijë me këdo, të dehet, por nuk ndodh të mos kthehet me diçka të shënuar, qoftë dhe në një kuti shkrepseje. Dritëroi është njeri i gëzuar. I pëlqen të pijë dhe të këndojë.
Rudina Xhunga: A e ndiqni pas Dritëroin në politikë?
Sadije Agolli: Unë nuk bëj pjesë në asnjë parti politike. Por jam e majtë si Dritëroi dhe do jem derisa në Shqipëri shumicën e popullsisë do ta përbëjnë të varfrit, derisa të jemi të rrethuar në çdo hap nga lypsarët, derisa të ngrihemi si lugetër netëve për të mbushur ujë, derisa pronarët që kanë marrë dyqanet të gërmojnë në themelet e pallateve tona, e askush të mos i ndalojë, derisa të vihet dorë mbi kioskëzimin e Shqipërisë, derisa…/dritare.net