Nijazi Beu (1873-1912) me siguri është ndër shqiptarët më karakteristik të shekullit XX. Roli i tij i madh është i njohur në historinë shqiptare, por edhe në atë ballkanike dhe otomane. Ai ishte ndër oficerët më të talentuar që kishte Perandoria Otomane dhe së bashku me Enver Beun ishin dy oficerët kryesorë të revolucionit xhonturk.

Sikur Nijaziu dhe Enveri të mos ishin angazhuar në lëvizjen e xhonturke, revolucioni me siguri nuk do të kishte ndodhur. Por, revolucioni i cili dështoi t’i ambientonte kërkesat e shqiptarëve, ishte shkaku që shumica e oficerëve (shqiptarë) u transformuan në nacionalistë shqiptarë dhe vazhduan luftën për pavarësi të Shqipërisë. Roli i tyre nuk është i panjohur në historinë tonë.

Por, ajo që nuk është e njohur është jeta e tyre private. Nijazi Beu, sikur edhe shumë oficerë shqiptarë në shërbim të Perandorisë, kanë qenë ithtarë të kulturës franceze. Shumica e tyre, në këtë rast Nijazi Beu, bënte jetë më të lartë se shumica e aristokracisë në Paris. Në Resnjë, në qytetin e lindjes, por edhe në vende tjera të cilat sot gjenden në Maqedoni, Nijazi Beu ka ndërtuar sarajet e tija madhështore. Rezidenca e tij, pasi që ishte kopje e një pallati madhështor në Francë, quhej Versaji i Vogël dhe sot është muze i kulturës dhe historisë ‘maqedone’ e cila shihet edhe në njërën nga fotot e postuara këtu.

Nijazi Beu, nuk hante gjithçka. Ai e kishte krijuar dietën e vetë të veçantë e cila në fakt ishte kombinim i ushqimit francez me atë otoman e ballkanik. Në disa vende ballkanike (Greqi dhe Bullgari), por deri vonë edhe në Francë në restorantet e shtrenjta është shërbyer menyja: Nijazi Bey. Në Turqi kjo meny por edhe restorantet me këtë emër ekzistojnë edhe sot.

Nijazi Beu është njohur edhe për një shprehi tjetër aristokrate. Sikur sot p.sh. që disa shqiptarë mbajnë në shtëpi qenë e mace, Nijazi Beu kishte një kaproll për manar – shtazë të dashur shtëpiake. Kjo gjë ishte pak si e çuditshme, pasi që Nijazi Beu njihej si luftëtar i rreptë që kishte drejtuar shumë beteja, por kishte dashuri për shtazën më paqësore – siç është kaprolli. Kaprolli i shkonte Beut gjithmonë pas. Siç shihet edhe në këto fotografi që e ilustrojnë këtë shkrim, kaprolli pos që duket gjithmonë me të, ai zë vend qendror edhe në fotografitë kolektive të kryengritësve shqiptarë.

Madje, është i njohur fakti se Nijazi Beu me kaprollin shkonte edhe në Stamboll në takimet zyrtare. Ai nuk i takonte ata që e kundërshtonin praninë e kaprollit. Njëherë kishin kundërshtuar dy djemtë e Sulltanit që të takoheshin me Beun, për shkak të kaprollit që e konsideronin si shtazë. Por, ai nuk kishte lëshuar pe dhe djemtë e Sulltanit më në fund ishin ulur dhe kishin biseduar në zyrat e sarajeve të Stambollit dhe në prani të kaprollit.

Kaprolli i tij kishte një ahur që, në fakt, në krahasim me shtazët që trajtohen sot, ky ishte një lloj saraji dhe për të kujdeseshin dy shërbëtorë. Dashuria për kaprollin, që në fakt duhet të interpretohet si dashuri e njeriut për shtazët, e kishte bërë Beun të famshëm jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Gazetarët dhe historianët e asaj kohe kur e kanë trajtuar problemin e Ballkanit, dhe kur kanë përmendur shqiptarët dhe Nijazi Beun, kanë folur gjithmonë për veset e tija aristokrate dhe për kaprollin.

Më në fund, duhet theksuar edhe vdekjen e Nijazi Beut. Për vrasjen e tij ka disa teori. Por, siç dihet, sipas burimeve britanike, Nijazi Beu është vrarë në Vlorë nga njëri prej djemve të Isa Boletinit. Besohet se vrasja ka qenë rezultat i zënkave personale (ka mundur të jetë edhe për arsye të dallimeve: katunar – qytetar, aristokrat). Edhe pse kjo vrasje nuk është qartësuar siç duhet, dihet që zakonisht snobët vriten nga fshatarët.

Sidoqoftë, nëse dikujt i ka pasë hije snobizmi, ai patjetër duhet të ketë qenë Nijazi Beu i cili kishte mundësi t’i dalë hakut edhe këtij vesi. Ai me siguri është snobi më i madh që ka pasë Ballkani. /Telegrafi/