Një tenor me famë botërore “anonim”…!
Nga ILIR ÇUMANI – Mjerim më të madh nuk ka për një Komb që prodhon një brez të ri me analfabetë funksionalë…(!!!). Por, a nis dhe a mbaron këtu e keqja që na ka kapur si shoqëri…!? Do të ishim fatlumë nëse kjo e keqe do të mbaronte këtu; nëse individë të tillë nuk do ta cënonin interesit publik dhe prespektivën tonë integruese evropiane. Falë politikave nepotike dhe klienteliste partiake, kudo, në çdo sektor të rëndësishëm të jetës së vendit kemi produkte të tilla. Militantë e shërbestar të thekur partiakë, injorantë dhe analfabetë me diploma të blera, kanë marrë peng pikat kyçe të jetës së vendit, të gjithë administratës shtetërore në shërbimet publike…. Fjala vjen, në administratën tonë publike kemi mjekë dhe ndihmësmjekë me diploma të blera, të cilët kanë në dorë shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Sot, një pjesë prej tyre janë në majat e piramidës në drejtim të politikave të shërbimit e të shëndetit publik. Madje, këta individë partiakë (jo profesionistë), me një të rënë të lapsit nuk e kanë aspak për turp të largojnë nga puna specialistët dhe profesionistët e vërtetë të karrierës vetëm e vetëm se nuk i binden urdhërit politik dhe jo profesional të shefit që është analfabet funksional, por profesionist në zullume e dallavere… Në arsim po ashtu, kemi në majat e piramidës institucionale drejtues partiakë, analfabetë funksional, të cilët partia i ka vendosur për të kontrolluar çdo qelizë të sistemit arsimor, gjithë trupën arsimore dhe akademike, jo për të rritur kërkesën e llogarisë dhe kualitetin e mësimdhënies e të dijes tek nxënësit dhe studentët, por për të zbatuar “direktivat” e partisë në pushtet në funksion të propagandës…. Në drejtësi gjithashtu, kemi në pika kyçe militantë të thekur partiakë, analfabetë funksionalë, me “diploma partie”, që asesi nuk lejojnë frymëmarrjen e sistemit që të funksionoj profesionalisht e pavaruar, por që ky sistem ti shërbej vetëm arrogancës së pushtetit të korruptuar dhe autokracisë së sundimtarëve të pushtetit politik. Parlamenti Shqiptar në këto 3 dekada është marrë peng nga një grup njerëzish me precedentë penal, ai është zaptuar në pjesën më të madhe nga ky kontigjent analfabetësh funksional, të cilët kanë në dorë të hartojnë dhe miratojnë ligje të rëndësishme në dobi të vendit e të qytetarëve, etj, etj. Atëherë, pse çuditemi me një “gazetare” të vobektë, e cila me paditurinë e saj naive hedh në publik një intervistë të tillë që në fund të fundit si bën keq kujt, por vetëm na gajas të gjithëve duke na lënë me dhëmbë përjashta….!? Në gjithë këtë zallamahi e katraurë paradoksesh e antivlerash në shoqërinë shqiptare, të miksuar me korrupsion, me Covid 19 dhe me pasojat e tërmetit, a nuk kemi nevojë edhe të argëtohemi dhe të shkulim brinjët nga e qeshura…!? Mendoj se nuk ka terapi më të mirë për një shoqëri të lodhur si e jona, e frustuar dhe e zhytur në depresion prej varfërisë, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, sa ky “spektakël antistres” që na servirin këta analfabetë funksionalë….(!!!) Ju ftoj të shihni këtë video, ku e ashtuquajtura “gazetare”, gjatë intervistës pas një shfaqje në TOB (Teatri i Opera dhe Baletit) nuk e njeh tenorin shqiptar me famë botërore Kastriot Tusha….!