Nji shteg midis poetëve Shllaku dhe Reshpja
refleksion kritik nga Jozef Radi
Para do kohe, nji profesoreshë nga Kosova më shkruente me shumë trishtim dhe alarm, mbi nji esse të gjatë të poetit Primo Shllaku, mbi jetën dhe veprën e poetit Frederik Reshpja. Alarmi i saj dhe trishtimi dëshpërues i nji grueje letrash më shtyu me e marrë disi me të butë edhe pse ajo më shqetësoi me togfjalëshin: “S’ka lanë gja pa thanë… Si asht e mundun, Primoja!?”
– Primon e njoh, – i thashë – dhe kam konsideratë të naltë për të e nuk asht prej atyne që “i bjen në qafë kujt”. Reshpjen s’e kam njoftë, ja kam dhanë ma shumë se nji herë dorën, po ma shpesh e kam ndeshë në rrugë mbas ’90. Ruej nji konsideratë solide jo veç për lirikat e tij, pse e di që burgjet dhe linçimet e pësueme e kishin drobitë e tukeqë fort…
Sa për lirikat e paburgta të tij, i shifja përmes dhimbjes sime, ndaj gjithë atyne që kanë pësue si poetë, bash për kët arsye më baheshin edhe ma të dashtuna! Kështu që figura e Reshpjes mbas ’90, më dhimbte fort dhe lirikat e tij më ngjisnin edhe ma fort, edhe prej atij fragmenti jete ku pesha e privimeve të shumta e kishte çoroditë randë dhe ai hutimi i tij prej poeti, ajo përhumbja e tij nën kapele ma bante aq të prekshme bohemën e fatit të tij, saqë s’guxoja as me i dhanë të njoftun, mos me ia trazue as shtue edhe ma tej dhimbjet dhe trazimet e pësueme… Ndoshta edhe për shkak të ndonji moskuptimi si poetë breznish, vendesh e rrethanash krejt të ndryshme, gjithnji me emnues të përbashkët veç vuejtjes edhe dashninë për fjalën e shkrueme! Kur vuejtja nën do regjime barbare, si ky që po e përcjellim me të vshtirë, ka nji emnues të tillë të përbashkët, deri më sot ma ka përmbajtë në çdo protuberancë të hovshme vedit, me qenë i ashpër me bashkvuejtsit, qoftë edhe me at ma të keqin dhe ma të ndytin e vuejtjeve!
Ama, kur binte fjala për Reshpjen-njeri, nuk mbrrija me ia kuptue kurrë at inercinë e tij politike mbas ’90, as truket e shpërdorimit që u luejtën mbas tij, as degradim final i shëndetit, kur ai u fut në nji anmiqsi të hapun me vedin… Çka s’mbrrija me e kuptue, ishte ajo linjë politike që e kishte mbështetë në lirikat ma të ndjeme të nji tragjiku, s’po kujdesej aspak për tragjedinë e dhimbshme të lirikut të vet!?!
E bash në kët habi të pashpjegueme të antinjerzores, liriku antigegnisht i Shkodrës na kish lanë lamtumirën e madhe, çka në shpirtin tim la nji dhimbje ende të gjallë, të cilën e kam përcjellë me sa kam mujtë, dhe kam me e përcjellë në vazhdimësi, qoftë edhe si nji fenomen ende të palexuem e të pakuptuem si duhet, o ndoshta si nji trajtë ambigue dhe “amfibe” aq e lulzueme dhe aq e lazdrueme n’histori të kulturën sonë.
Kështu mbas këtyne shpjegimeve, e qetova me fjalë të paqta e të ndërdyshta profesoreshën nga Kosova, duke iu lutë që nëse mundej të ma niste sa ma parë shkrimin e ta lexoja, përndryshe çdo opinion i avancuem do t’ishte nji harakiri në dam të vedit! Kjo, mbasi shkrimin ajo e kishte lexue në letër… kurse në onlinë munda me e lexue veç mbas dy javësh…
***
Primo Shllaku asht poet në thelbin e vet. Poet i strukturuem mirë, me nji frymë antikonformiste të rrallë. Asht edhe profesor me peshë mbasi konceptet dhe fryma e tij letrare të detyron me qenë jo veç i vemendshëm po të krijon edhe hallakatje ndër terma që përdor, sa të duhen fjalorë të apostafatshëm me iu futë në thelb labirinthit të mendimeve dhe analizave të tij! Si studiues e konsideroj fort të nderuem, mbasi studimi i tij për Camajn: “Nji Uliks që s’u kthye kurrë në Itakë” asht simbas meje vepër tejet e rrallë në gjini të vet! Gjithashtu ka lëvrue me guxim në prozë, çka më ka shty me u entuziazmue jo pak, mandej edhe dramë, kështu që leximi i essesë: “Frederik Reshpja – 1941-2006”, me lejonte me besue se do të ishte nji leksion i fuqishëm estetik.
Nuk po e trazoj kët shkrim me njofjen personale, çka nuk u len as ma të voglin dyshim fjalive të sipërcitueme, kështu që përballja e dy poetëve bashkëkohas të shkodërloces: konformisti me antikonformistin; gegnishtdashësit me gegnishtmohuesin; njeriu që u burgos prej shtetit, të cilit aq zellshëm i kish shërbye, me njeriun që burgosi vedin mos me i shërbye zellshëm shtetit; liriku i shpallun mbi vuejtje të mohueme, me lirikun e thukët me vuejtje të mshehuna; njeriu i rrënuem prej lavdisë si maskë, me njeriun e naltuem prej flakjes së maskave; më kish futë tashma midis nji ringu ku me siguri tifoja dhe mbështetja ma e madhe do të shkonte kah njeriu i dilemave dhe vuejtjeve të mëdha!
Isha n’udhkryqin midis nji dhimbjeje të madhe dhe nji të vërtete të madhe! Ishte njeriu, vdekja e të cilit më dhimbej fort, qoftë edhe prej fundit të saj, dhe nji tjetër njeriu, të cilin vdekja e nji poeti bashkohasi s’e kishte frenue aspak me u futë në duel jo thjesht me figurën e tij reale të nji poeti, po me atë fryme mitike e mitizuese që ende po luente tragjikshëm me fate njerëzish dhe fate veprash letrare!!!
Për të zezën teme, Reshpjes s’i kisha kalue ndër duer asnji vepër të plotë, ku trajtohej krejt çka ka shkrue Shllaku, veçse konsideratën ndaj Reshpjes e kisha të gjallë, të patjetërsueshme dhe aktive me lexime të gjithçkashme, ku përfshiheshin poezi të tij, apo edhe shkrime ndaj tij. Në raport me Reshpjen mbas nji leximi tejet reflektiv të studimit të Shllakut, mundem me thanë se më ka kthjellë tejmase, jo për Reshpjen si poet, as për Reshpjen si vuejtje njerzore, po për Reshpjen si fenomen!
Për Reshpjen si fenomen, Shllaku ka sjellë si nji begati letrare, krejt metamorfozën e nji shoqnie në degradim, shpërfilljen e vuejtjes, krijimin e dhunshëm të saj, nënshtrimin prej saj, harresën e vuejtjes dhe madhështimin e rrejshëm të tragjedisë së vuejtjes, përmes shpirtnash të shitun ndër lirika fantazmagorike.
Mbas nji leximi pak ma të ftoftë vendosa me u marrë e me e trajtue qetësisht e gjanësisht aq sa më lejon kandvështrimi im, e që në reflektimet e mia, autori në fjalë meriton pa as ma të voglën ndërdyshje, konsideratë të naltë.
***
Kritika letrare shqipe ka vite që e ka humbë kontaktin e saj me veprat letrare, por edhe me gjanë! Lene që, ajo kurrë s’e ka pasë nji kontakt të tillë! Ka ekzistue veç nji frymë kritike ideollogjike, nji shëmtim zhdanovist, e cila s’i mati kurrnjiherë vlerat letrare, pos vlerat e shërbimeve jashtëletrare për me qenë sa ma kryeuluna ndaj ideollogjisë sunduese dhe me përcaktue ma së shumti hierarkitë e njasaj kaste letrare, e cila edhe pse me nji luftë egërshane e të nëndheshme mesvedi, hera herë shfaqej e solidarshme dhe monolite, kur ishte fjala për këputje të rejash kokash letrare. Kjo “elitë” s’u përplas kurrë me ajzbergun e partisë, jo pse s’kishte arsye, thjesht pse partia s’mund të jetonte pa elozhet e vuejtshme të viktimave të saj, të përzgjedhuna aq dashunisht!
Mendoj se s’ka letërsi ma interesante se sa ajo e atyne poetëve apo shkrimtarëve që e përdorën dhuntinë e të shkruemit për piedestale lavdie interesash të vogla. Penda e tyne duket se asht përdorë veç si me u ba deputetë, si me gëzue shtëpi dhe komforte, si me fitue shpërblime dhe toka në bregdet, si me gëzue pensione të veçanta, si me i shkollue fëmijët jashtë shtetit e mandej me ia atashue shtetit për punësime… Kur më ndodh me lexue kësi punë shkrimtarësh, s’mundem me i shoqnue pa pak buzqeshje të hidhët këto vepra letrare, të cilat kanë tërhjekë mbas vedi nji ortek të pafundëm shpërblimesh jashtëletrare…
Për fat, Reshpjen s’e kam lexue kurrë në kësi përmase, kështu që ai gëzon privilegjin në mue me e trajtue jashtë këtij objeksioni, por kjo nuk do të thotë, se diku e diku fjala e Shllakut si bashkëkohas dhe bashkqytetas nuk zen vend në mue.
Prandej Reshpja bien ma i pari në analizën gijotiniste të Shllakut, jo pse e meriton i pari, (pse edhe mund të lihesh për ma vonë), po pse Reshpja përfaqëson modelin ma shembullor të poetin që edhe vuen edhe e maskon vuejtjen, jo për hir të shpirtgjanësisë stoike e as prej shpërfilljes solemne të dinjitarit, thjesht pse leximin e shpirtit të vet në raport me at botë makabre ku ai aq shumë ka shërbye po edhe ma zi ka pësue – duke ia falë edhe shpirtit shejtanit, s’ka tjetër rrugë: veç gijotina!
***
Poetin Reshpja, lirikat e të cilit kam me vazhdue me i dashtë, pse besoj se të shkruemit asht edhe nji lloj arratije prej vetvedit. Po si bashkmoshas, bashkqytetas dhe bashkletraras i Shllakut, i ka dëshmue atij për të gjallë e për të dekun se dy modelet e tyne poetike dhe njerzore, s’janë tjetër veçse dy shina që s’puqen kërkund, edhe pse trenin e hekurt të nji kohe kriminale edhe ndër letra edhe ndër shpirtna e kanë mbajtë njisoj… Si duket njena shinë ka qenë prej g(j)ize dhe tjetra prej çeliku. Prandej treni asht rrëzue, dhe s’ka mujtë me mbrritë në destinacionin e premtuem. Kështu që dikush duhet me e diftue të vërtetën e këtij treni që nuk mbrrin dhe arsyet pse nuk mbrrin! E këtu ndërfutet guximi qytetar, i cili ia kërkon ndihmën edhe cinizmit letrar. Edhe pse mjaft subjektiv, duket sikur çeliku ia kërkon g(j)izës “pse nuk ishte edhe ti si unë dhe ta kishim pshtue trenin”! Kët raport mes g(j)izës dhe çelikut e kam fort për zemër, sepse përballë nji kohe si kjo që nuk ikën, g(j)iza njerëzore kishte mbrritë në apogjeun ma të lavdishëm të saj, po ama kishte edhe pak çelik human që na ban me mendue e me besue se njeriu qëndron mbi kohën dhe aspak koha mbi njeriun! Mandej, nëse ky rast merret në kontekst ma të gjanë dhe ma të thellë letrar, leximi, kuptimi dhe interpretimi i kësaj eseje psikoanalitike, që në njifarë mënyre m’kujton Zwaigun, bahet ma kompleks dhe ajo pamja përmes pasqyrash të shumta të këtij portreti mund të jetë nji arsye e mrekullueshme që shumëkush me e lexue poetin në nji rrafnalte, po edhe me e kqyrë vedin kujdesshëm se në kësi pasqyrash cinike, s’mundesh me luejtë dhe me e shkapërda të keqen ku të mundet e si të mundet!
Sot, vërtet ndihet nji sundim i mediokritetit mbi mediat, shkollën dhe kulturën shqiptare, por që shthurja e kujtesës kolektive të mos e kryejë të plotë ciklin e monumentalizimit të së keqes, duhet disi ma shpesh të na u shfaqen kësi gijotinash kritike që ma së shumti shtyjnë me lexue e me punue si duhet se sa me vra në të vërtetë!
E në kët kandshikim, mendoj se kritiku Primo Shllaku i ka ba nji monument të vyeshëm Frederik Reshpjes!
Vërtet nji monument cinik, po gjithnji nji monument!
***
Si lexues rrethanor i Reshpjes, po vlerësues e tejet dashamir i pjesës së dukshme të ajzbergut të tij letrar mundem me thanë se yshtja me e lexue Reshpjen mbas kësaj eseje të rrallë në letrat shqipe duhet të jetë puna ma e mirë që ban nji kritik i nji stofi të rrallë si Shllaku… Me i kuptue si duhet do fenomene, duhet besue se balta e hjedhun mbi statujat prej balte mundet me pshtue njat pjesë mermeri që gjendet në to dhe mundet me nxitë jo vetëm leximin e kryqëzuem e jo thjesht me i kapë do pikla vese pranverore n’dritë të agut, po me i ndje do shpirtna të gjymtuem poetësh që koha i bani pjesë e saj, jo me e justifikue të keqen e madhe që shpërndante përmes veglave ma të binduna e ma të përlloçuna që s’ka Fidie që ia del me ndreqë e me i hijeshue, po me i gëzue ndonji pjese të shndritshme e pshtueme edhe prej ikoshiencës së tyne!
Sot asht ende e vështirë me krijue nji puzzlle poetësh që shndrisin, mbasi pjesa ma e madhe e copave të kartonit asht humbë njiherë e përgjithmonë, prandej s’ka pse me i ba alarmizëm nji kritikë të tillë cinike, ndoshta edhe pak xheloze, që at mitin e rrejshëm që ka krijue përpiqet me na bindë se lirika mundet me u lindë e fuqishme edhe prej boshllëkut shpirtnor!!
Le të jena porta pak ma të hapuna e shpirtna pak ma përthithës…!
***
Në mbyllje mundem me thanë se eseja e Shllakut në thelbin e saj nuk asht nji betejë me poetin Reshpja, nji shpatë e mprehun mirë ndaj reshperizmit në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Kjo asht nji përballje me nji lloj klientelizmi letrar që po bahet aq i neveritshëm sa besohet se burokracia e letrave shqipe tashma i ka piketue hierarkitë, i ka nda detyrat, i ka përndritë personazhet, i ka përcaktue kryeveprat, i ka vendosë juritë dhe çmimet edhe për shekullin që vjen… mjafton veç me u ba pjesë e saj, me e ulë pak kryet nën harkun e triumfit të saj dhe me e shijue sado pak me gishti e zhytun n’qypin me mjaltë të e pushteteve që bajnë sikur ndrrojnë…
Nji poet me nji shtrimje të gjatë letrare ndër kohna të çorodituna mundet hera herë edhe me shkruejtë ndonji poezi sa të bukur aq edhe të vërtetë! Mendo çka mund t’i ndodhte nji poeti të asaj rryme letrare që përpiqej edhe me u konformue edhe me u shfaqë edhe si rebel ndaj konformizmit! Kjo asht nji taksë e randë me u pague ndër kohnat që vijnë, pse e kanë ba disi të pabesueshme të vërtetën e tyne letrare. Poezia, (ajo ma e rafinuemja) mundet edhe me e gjetë shtegun e daljes e të mbijetesës, pse poezia e mirë ka nji jetë të saj, jashtë asaj të poetit, apo piruetave të tij! Dhe kjo asht e mirë ma e madhe e letërsisë, kur poezia mundet me e pshtue poetin! Ama, s’duhet harrue se poezia asht ajo që ta ban edhe gropën ma të thellë dhe njifen plot poetë që ma së shumti ua prish gjumin poezia e tyne, e cila dikur ka qenë frymë sunduese, edhe pse ndokund e lshonte ndonji edhe shi të lehtë lirikash. Për krijime të kësaj natyre, ku poeti kërkon me e çlirue vedin prej koracës ideollogjike dhe me u lidhë shpirtnisht nyje me pjesën ma të mirë e ma të gjithkohshme të poezisë, mund të jetë diçka e pranueshme, mjaft mos me rà n’at qesharaksinë e shportës me qershi të pshurrme, që në fund fundit e shtyu t’zotin me u ngushllue se ishte t’shurrës së vet!
Mbetem i bindun se lexuesi i thjeshtë i të sotmes po edhe ai i së nesërmes, ka me pasë nji raport ma të ambël e ma të paqëm me poezinë e Reshpjes, falë edhe këtij shfrimi kritik të rrallë, nji perlë cinike te s’vete e Shllakut. Me siguri atij lexuesi, s’ka me i ra fort ndërmend as për pjesën ideollogjike as at kontradiktore të Reshpjes, aq ma pak për cinizmin e motivuem të Shllakut me i ba ujnat me lëvizë; pse njashtu si retë e bardha i japin ma shumë dritë blusë së qiellit, njashtu edhe poezitë ma të mira të Reshpjes kanë me i dhanë ma shumë qiell poetit që hera herë e la vedin edhe pa qiell edhe pa diell!
nandor 2017