“Nuk vjen më këngëtare si Pagarusha”, Hysni Zela: Ju tregoj raportin mes Vaçes dhe Nexhimjes

Kur Nexhmije Pagarusha ngjitej në skenë, e gjithë vëmendja e publikut ishte tek ajo. Kishte një prezencë të jashtëzakonshme, e hijshme si rrallëkush, dhe me zërin e saj dhuronte skenës një magji të papërsëritshme”… Hysni Zela ndihet i trishtuar, figurat më të mëdha të artit po largohen drejt qiejve, duke lënë pas brengën për trashëgiminë e tabanit e muzikës së mirë. Me Nexhmije Pagarushën ai njihet që në vitet e hershme, kur ajo punonte në Ansamblin e Kosovës, e Zela në të Shqipërisë.

Motra e tij, Vaçja, është bërë shkas që të miqësoheshin edhe më. “Mes dhjetëra artistësh të tjerë që interpretonin në skenë publiku e kishte të lehtë ta pikaste se e veçanta ishte ajo. Nuk vjen më këngëtare si Nexhmija… ishte e jashtëzakonshme. ”, thotë Zela për “Panorama.al”.

Kujton se falë miqësisë me Vaçen, që ishte forcuar prej koncerteve që jepnin në Kosovë e Shqipëri, ka pasur mundësi të ulet e të bisedojë disa herë me të që kur ishin ende të rinj. “Ka qenë gjithmonë e qetë kur fliste, reflektonte mençuri. Ishte një artiste e kompletuar. Me Vaçen ishin shoqe, dhe e vlerësonin shumë njëra-tjetrën”.

Zela tregon dhe momentin kur Nexhimje Pagarusha erdhi për herë të parë në Shqipëri, duke e bërë publikun me njëherë për vete. “Erdhi për herë të parë me Ansamblin ‘Shota’. Ishte shumë e emocionuar që gjendej në Shqipëri. Kujtoj se pati një sukses të jashtëzakonshëm, publiku i duartrokiti më shumë zjarr. Duartrokitje që Nexhmija i meritonte plotësit, pasi ishte një këngëtare me nivel shumë të artë”.

Vace Zela, Nexhmije Pagarusha1

Zela tregon, se vite më pas Nexhmija do të rikthehej në Shqipëri, dhe me shumë dashuri do të trokiste në dyert e miqve ë saj. “Shkoi tek shtëpia e Vaçes, ishte një emocion i madh për të dyja, takoheshin pas kaq vitesh. Po ashtu vizitoi personalitete të tjera të muzikës si Gaqo Çakon, apo Avni Mulën… Më vjen keq, sepse tani që përmend emrat e tyre kuptoj se pjesa më e madhe mungojnë fizikisht. Ishte një plejadë që nuk vjen më”, thotë artisti.

Ndër këngët e Pagarushës, ai veçon atë që më tepër u pëlqye nga publiku. “‘Baresha’ kishte një shtrirje të jashtëzakonshme, e bënte të tillë Nexhmija me mënyrën e saj të të kënduari. Edhe këngëtarë tanët të tjerë u munduan ta risillnin, por nuk e arrinin dot. Ajo kishte një klithmë magjepsëse… që çonte peshë zemrat e publikut”…

Një artiste që u dallua edhe për hijeshinë e saj dhe për elegancën e pashoq, e bukur e fisnike në çdo moshë. “Ishte një grua jashtëzakonisht e pashme, që kur këndonte bëhej edhe më e bukur… Jam i bindur se një këngëtare e përmasave të tilla, nuk do të harrohet, jo vetëm nga ne, por edhe nga brezat që do të vijnë… Nexhmija me artin e saj do jetojë në jetë të jetëve”/ Panorama.al

SHKARKO APP