Nga Albert Vataj
Si sot 90 vjet më parë, më 29 Qershor të vitit 1929, u lind Oriana Fallaci, ikona e gazetarisë dhe Zhan D’Ark e ambicies dhe vetmohimit të gruas në një rruzull dinjitetesh të nëpërkëmbura, anësishë dhe kufizimesh të mëdha që dikton predikimi i moralit të shekullit të XX e këndëj, strukur pas hekurave të konservatorizmit.
“Një pikë bojë mjafton për të zgjuar mendime në miliona njerëz”. Kjo pikë boje e penën e Fallacit ka bërë që bota të ndalë frymën kur flet për këtë gazetare të madhe italiane, për penën e ndritshme të gazetarisë në shekullin e XX. Kësisoj mund ta korrnizosh portretin e jashtëzakonshëm të Oriana Fallaci, gazetare dhe publicist, kronikane dhe shkrimtare, e cila ka plazmuar në eterin e shekullit të shkuar e në të tashmin, jo vetëm emrin dhe imazhin e femrës ngadhnjimtare por edhe gruas vetmohuese për pasionin e saj të shenjtë, dëshmimin e lajmit, kushtrimin e zëshëm të lirisë së fjalës.
Me Oriana Fallaci, gazetari, media, fjala e lirë, pasioni i bukur i informimit dhe komunikimit, marrin një kuptim të themeltë, shndërrohen në atribute të larta besimi. Ajo vajzë, ajo grua, ajo zemër e plasur e pamundësisë së shenjtërimit të nënës, i dha botës dhe fjalës së lirë, misionit të gazetarit, dinjitetin sakrifikues të kryerjes së detyrës me përkushtim, i dha atë që e pavdekësoi këtë emër, gruan që luftoi me penë dhe me zemër për liritë dhe të drejtat e gruas, në një botë ku ajo dhunohet mizorisht.
Bota i ka patur të hera-hershme këto shkrepëtima shëmbëllimesh që e ka të pamundur t’i rrok shpengimi i një përfytyrimi apo dëshirimi i një kumti krijues. Në botën e trazimit, ajo dëshmoi një gjenerim force të pamatshme që kumton pasioni i misionares së detyrës. Përfaqësimin dhe mbrojtjen e fjalë së lirë ajo e ktheu në besim. Ngriti një përmendore të gruas që sakrifikoi gjithçka për ëndrrën e saj. Përtej të mundshmes, ajo dëshmoi një sprovë. Shtyu më tej kufinjt që mbanin të kufizuar të drejtën e gruas për të qenë e pamatshme në triumfet e saj.
Për Oriana Fallaci: “Asgjë nuk të lëndon, trishton, dhemb më shumë se sa zhgënjimi, sepse zhgënjimi është një dhimbje që derivon gjithmonë nga një shpresë e shkuar, një humbje që lind gjithmonë nga tradhëtimi i besimit, ndryshimi i qëndrimit të dikujt apo të diçkaje tek e cila beson. E për ta duruar ndihesh e mashtruar, poshtëruar, viktimë e një padrejtësie që nuk e prisje, e një dështimi që nuk e meritoje, ndihesh e fyer, qesharake saqë herë pas here kërkon hakmarrjen, zgjedhje që mund të të bëjë të ndihesh i çliruar ndonjëherë, por që rrallë shoqërohet nga gëzimi dhe shpesh kushton më shumë se falja.
