Pamjet që ilustrojnë momentet më të mëdha në histori – sipas Stefan Zweigut

Për shkrimtarin Stefan Zweig, momentet më të mëdha në histori, kur çështjet madhore vihen në rrezik, janë disa dhe jo afër njëra-tjetrës. Vepra e tij e vitit 1927, “Momentet vendimtare në histori” (në shqip është përkthyer si “Orët yje të njerëzimit” ), jehon deri në ditët e sotme, transmeton Telegrafi.

SULLTAN MEHMETI I II-TË PUSHTON KOSTANDINOPOJËN

29 maj 1453. “Hyrja e Mehmetit të II-të në Kostandinopojë” sipas piktorit Benjamin Constant (1876). Ishte e kotë që Konstandini me disa besnikë të rezistonte ndaj sulmuesve; ai bie pa u vënë re në mes të luftimeve dhe tek ditën e nesërme do të mësohet – pasi shihen këpucët e kuqe të zbukuruara me shqiponjë të artë mes një grumbulli trupash – se perandori i fundit i Perandorisë Lindore Romake ka humbur jetën dhe perandorinë e tij në mënyrën e ndershme romake.

VASCO NUNEZ DE BALBOA SHEH OQEANIN PAQËSOR

25 shtator 1513. Në këtë moment Balboa urdhëron trupat e tij të ndalen. Asnjë nuk lejohet ta ndjek. Pasi kalon një oqean gjigant të botës, Atlantikun, ai do të jetë, sot e përgjithmonë, spanjolli i parë, evropiani i parë, i krishteri i parë që do të shoh oqeanin tjetër të panjohur, Paqësorin.

GEORGE FRIDERIC HANDEL PËRFUNDON ORATORION E TIJ, “MESIA”

12 shtator 1741. Faqja e fundit e manuskriptit të “Mesias”. Fjala u bë muzikë; ajo që ishte e thatë, një gjuhë e fishkur, tash lulëzoi dhe këndohej për të mos u zbehur kurrë. Mrekullia e vullnetit ishte kryer nga shpirti i frymëzuar, ashtu si trupi i paralizuar që dikur pranoi mrekullinë e ringjalljes. Ajo u shkrua, u formua dhe u ndërtua, u ngrit dhe u shpalos në melodi – e vetëm një fjalë mbetej, e fundit në vepër: “Amen”.

ROUGET DE LISLE KOMPOZON “MARSEJEZËN”

25 prill 1792. Punimi i Isidore Pilsit, që shfaq Rouget de Lislen teksa këndon “Marsejezën” (1849), është botuar në “Le Petit Journal” më 23 prill 1892 (“Marsejeza” është himni i Francës – v.j.). Me mos durimin e një autori, krenar që ka mbajtur aq shpejt premtimin e tij, shkon drejt rezidencës së kryetarit Dietrich, i cili po bënte ecjen e mëngjesit në kopsht dhe po vriste mendjen për një fjalim të ri. Çfarë, Rouget, ti do të thuash se e ke mbaruar që tani? E pra, le ta bëjmë menjëherë një provë.

FUSHA E VATERLOSË

18 qershor 1815. Riprodhim me ngjyra nga druri. Tani, më në fund, bubullima e topit dëgjohet në krahun prusian, me goditje dhe me zjarr pushke nga këmbësorët. “Enfin Grouchy!” Grouchy, më në fund. Napoleoni merr frymë më lehtë. Duke besuar se krahu i tij tani është i sigurt, Napoleoni mbledh burrat e tij të fundit dhe i drejton tek qendra e Wellingtonit, për të thyer murin mbrojtës jashtë Brukselit dhe për të hapur rrugën për në Evropë.

ZBULIMI I EL DORADOS

Janar 1848. Piktura e William Smith Jewettit, “Pamje nga mulliri i Sutterit dhe lugina Kuloma” (fjala është për ethet e arit në San Francisko, në tokën e zviceranit John Sutter – v.j.). Të gjithë njerëzit e Sutterit lanë punën; metalpunuesit lanë punëtoritë; barinjtë largohen nga tufat dhe kopetë; vreshtarët braktisin vreshtat e tyre dhe ushtarët armët. Si të pushtuar nga djalli, të gjithë rrëmbejnë me nxitim sitat dhe tepsitë e vrapojnë në kantiere për shoshitur arin nga rëra.

SHTRIRJA E KABLLOS SË PARË TELEGRAFIKE TRANSATLANTIKE

Korrik 1858. “Agamemnoni” shtrin kabllot në Atlantik. Anijet i kthehen njëra-tjetrës, për së gjati. Skajet e kabllove lidheshin. Pa ndonjë formalitet – madje burrat në anije, të lodhur, shohin me pak interes – kabllot e hekurit dhe bakrit zhyten mes dy anijeve deri në fund të detit. Është një përshëndetje nga kuverta në kuvertë, flamur me flamur, dhe anijet britanike nisen për Britani, anijet amerikane për në Amerikë.

GARA PËR POLIN E JUGUT

Janar 1912. Robert Scott shkruan në ditarin e tij, në Kepin Evans. Ai i mat distancat në harta dhe ne mund të imagjinojmë tmerrin e tij nga ajo që shkroi kur kuptoi se kampet e dimrit të Amundsenit ishin 110 kilometra më afër Polit sesa ato të tij. Ai është i tronditur, por nuk dorëzohet. Shkruan me krenari në ditarin e tij për vendosmërinë e tij për të vazhduar drejt nderit për vendin e tij.

LENINI UDHËTON NGA CYRIHU NË SHËN PETERSBURG

9 prill 1917. Lenini i drejtohet një turme të Moskës, në tetor 1917. Dhe, derisa Vladimir Ilyich Ulyanovi del nga treni, njeriu që një ditë më parë ka jetuar në kasolle mbërthehet nga qindra duar dhe futet në një makinë të blinduar. Dritat bien në të nga ndërtesat dhe kështjellat dhe nga makina e tij e blinduar e mban fjalimin e parë për popullin. Rrugët jehojnë dhe së shpejti “dhjetë ditët që tronditin botën” do të fillojnë. E shtëna mban shenjën e saj, duke shkatërruar një perandori, një botë.

DËSHTIMI I WOODROW WILSONIT

7 Prill 1919. Woodrow Wilson kthehet nga Parisi, pas nënshkrimit të Traktatit të Versajës. Nëse Wilsoni do të çohej nga tryeza e konferencës, rendi i vjetër i botës do të shembej dhe kaosi do të pasonte; por ndoshta do të ishte një nga ato gjendjet e kaosit nga i cili lind një yll i ri. Evropa lëngon me padurim. A do të marrin përgjegjësi pjesëmarrësit tjerë në konferencë? A do ta marrë ai? Është një moment vendimi. /Telegrafi/

SHKARKO APP