Panairi i 8-të Kombëtar i Suvenireve gjallëron Sarandën turistike 

Nga Blerim Kore –
Për tri ditë me rradhë qyteti bregdetar i Sarandës, mirëpriti Panairin e 8-të Kombëtar të Suvenireve “Saranda 2019”, një organizim i Agjencisë  Joniane të  Mjedisit, Medias dhe Informacionit (AJMMI) në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës.
Brenda kufijve shtetëror të vendit tonë në këtë organizim morën pjesë mjeshtra artizanë nga: Shkodra, Kruja, Tirana, Saranda, Gjirokastra, Elbasani, Fieri, Kukesi,Mirdita, etj. Kosova në këtë organizim u perfaqesua nga artizanë e artizane nga : Gjakova, Prizreni, Prishtina, Lipjani, Fushe Kosova,etj. Rreth 60 stenda ekspozuan  suvenirët e prodhuar kryesisht me dorë dhe forma tradicionale në material druri, guri, leshi apo edhe me guaska deti. Panairi ka tërhequr vëmendjen e gjithë vizitorëve të huaj e jo vetëm, por edhe të atyre shqiptarë të cilët kanë treguar interes në blerjen e sendeve te vogla, si suvenire-kujtimi nga Saranda.
Artizanët, ku pjesa më e madhe e tyre janë pjesmarrës për të disatën herë në këtë panair, besojnë në pritshmëritë e larta të shitjes së punëve të tyre, bazuar edhe në eksperiencën e edicioneve te meparshme të Panairit të Suvenirëve. Shkëlqim Hajno, drejtues i agjencisë AJMMI shprehet i kënaqur me pjesëmarrjen e artizanëve dhe interesin e lartë të vizitorëve dhe pushuesve të Sarandës. Panairi është vlerësuar si hapi i parë,pararendes, drejt një Festivali të pritshëm në shërbim të turizmit dhe zgjimit të traditës për promovimin e suvenirëve dhe punimeve artizanale të popullit shqiptar nga trojet etnike. Interes per “Panair Saranda 2019” po tregohet nga artizanet e Prizrenit, Gjakoves, Prishtines, Shkodres, Tiranes, Gjirokastres, Beratit,,etj, Nga pikëpamja e lëvrimit dhe teknikave të punës së dorës eventi përfshin qendistarinë e dorës dhe punët në tezgjah, punime në material druri,bizhuteri dhe veshje kombëtare në guacka të qëmtuara nga brigjet e Jonit, përmes një larmie teknikash aplikative.
Panairi “Saranda 2019″ në prurje dhe motive është një mozaik larmish dhe një simfoni e vërtetë e mozaikut etnokulturor shqiptar sipas trevave, shprehje e ndjenjës së hollë estetike të artistëve artizanë shqiptarë dhe një rrugëtim i këtyre trevave drejt një qyteti si Saranda, destinacion i preferuar turistik që kulmon në sezonin veror. “Panairi 2019” promovon mbajtjen gjallë të traditës artizanale dhe Sarandën si destinacion turistik.Kështu është shprehur kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma në aktivitete e zhvilluara ditët e panairit. Kryebashkiaku Gurma tha se : “8 edicionet radhazi si dhe hapësira më publike që iu rezervua këtë vit Panairit 2019, tek Sheshi i Limanit janë shprehje e qartë e vlerësimit në rritje të këtij eventi nga Bashkia e Sarandës”.“Uroj që punët tuaja të zgjojnë interes tek çdo vizitor, për të marrë, bashkë me mbresat e pushimeve, edhe suvenirin e tyre të pëlqyer, shumica e të cilëve janë të bëra me dorë dhe “Made in Albania””, i është drejtuar kryebashkiaku Gurma artizanëve pjesmarrës në këtë panair.

 

SHKARKO APP