Pas 14 vitesh mungesë, rikthehet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar
Pas 14 vitesh ndërprerje, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar është rikthyer në Tiranë, duke mbledhur së bashku emra të njohur të kinematografisë shqiptare dhe brezin e ri të kineastëve.
Rikthimi i këtij eventi ka sjellë në kryeqytet qindra artistë dhe profesionistë të fushës, në një aktivitet që synon të vërë në pah si trashëgiminë e kinemasë shqiptare, ashtu edhe zhvillimet dhe talentet e reja.
Ceremonia e hapjes u shoqërua me emocione dhe momente nostalgjie, ndërsa në qendër të vëmendjes ishin figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e filmit shqiptar. Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro dhe emra të tjerë u nderuan me Çmimet e Karrierës, në vlerësim të kontributit të tyre ndër vite në artin dhe kinematografinë shqiptare.
Por rikthimi i festivalit nuk ka kaluar pa polemika. Gjatë ceremonisë së hapjes u shfaq për disa sekonda fotografia e poetes Natasha Lako në vend të asaj të regjisores së njohur Xhanfize Keko. Organizatorët kërkuan ndjesë publike për lapsusin, ndërsa drejtori artistik i festivalit, Ilir Butka, sqaroi situatën.
Ngjarja shkaktoi reagimin e regjisorit Mevlan Shanaj dhe bashkëshortes së tij, Natasha Lako, të cilët shprehën publikisht pakënaqësinë e tyre lidhur me organizimin e festivalit dhe ndarjen e 16 Çmimeve të Karrierës.
Pavarësisht debatit, aktiviteti ka vijuar me pjesëmarrje të gjerë të artistëve dhe publikut. Përgjatë ditëve të festivalit janë parashikuar shfaqje filmash, diskutime dhe takime që synojnë afrimin e brezave të ndryshëm të kinematografisë shqiptare.
Edicioni i 14-të do të kulmojë më 12 shtator me ceremoninë finale, ku do të shpallen edhe fituesit e çmimeve kryesore të konkurrimit.
KOHA JONË SONDAZH

