
Tirana dhe historia e saj e mbushur me përplasje pushteti, personazhe të jashtëzakonshme dhe ngjarje të pabesueshme vijnë në librin më të ri të shkrimtarit Ben Blushi, “Historitë e Çmendura të Tiranës”. I ftuar në emisionin “Rreze Dielli”, Blushi tregoi se libri përmban 38 histori dhe rreth 100 personazhe, duke nisur nga viti 1600 deri në vitet 2000. “Ky është një roman, një trill historik. Kam përzgjedhur ato ngjarje që s’janë të zakonshme, që janë të marra”, u shpreh autori. Mes rrëfimeve spikat historia e krijimit të Tiranës, rivaliteti mes familjeve Bargjini dhe Toptani, si dhe misteri i prejardhjes së emrit të kryeqytetit. Blushi kundërshton teorinë që emri Tiranë vjen nga Teherani, duke propozuar një tjetër shpjegim që lidhet me fjalën “tiran”.
“Ka shumë legjenda dhe shumë histori në lidhje me emrin e Tiranës. Në një kapitull të veçantë jam marrë me emrin e Tiranës. Gojëdhënat që emri i Tiranës vjen nga Teheran nuk është e vërtetë. Emri i Tiranës ka ekzistuar para vitit 1600, këtu ka pasur njerëz që jetonin, sipas meje varianti më i afërt i emrit është një frazë pellazgjike, pra para ilire që vjen nga fjala tiran, pra diktator. Tiranët ishin disa njerëz që rrëzonin mbretërit dhe ktheheshin në tiranë. Tirana është një qytet i drejtuar nga tiranët papushim dhe vazhdon të jetë edhe sot deri diku”, tha Blushi.
Një nga historitë më të veçanta është ajo e Albert Ajnshtajnit, për të cilin Blushi pretendon se ka qëndruar në Tiranë dhe ka marrë një pasaportë shqiptare nga Ahmet Zogu për t’u larguar drejt Amerikës. Përtej historive të së kaluarës, shkrimtari ndau edhe shqetësimin për të ardhmen e Shqipërisë, veçanërisht për largimin e popullsisë.
“Ne po humbim popullsi, po zbrazet Shqipëria çdo ditë”, deklaroi ai. I larguar nga politika, Blushi thotë se sot i është përkushtuar vetëm letërsisë, duke e konsideruar shkrimin si qëllimin e tij kryesor në jetë. “Një shkrimtar që humb raportin e lexuesit vuan, dhe unë nuk dua ta provoj këtë ndjesi”, përfundoi Ben Blushi.
