
Juventusi ka regjistruar fitoren e katërt në pesë ndeshjet e zhvilluara në Europa League, duke mposhtur me rezultatin 4-1 skuadrën e Omonia Nicosias në ndeshjen e vlefshme për raundin e pestë të kompeticionit.
Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti reagoi pas disavantazhit fillestar dhe arriti të përmbyste gjithçka, falë golave të Cambiasos, Ekhator, Conceicaos dhe Bogas.
Mysafirët kaluan të parët në avantazh në minutën e 15-të. Pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar saktë nga Tankovic, Satka u shkëput në zonë dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke heshtur përkohësisht stadiumin e Juventusit.
Megjithatë, bardhezinjtë nuk u dorëzuan dhe shtuan presionin në kërkim të barazimit. Reagimi i vendasve u konkretizua në minutën e 37-të, kur Conceicao shërbeu një asist të bukur për Cambiason, i cili me një goditje të saktë nga distanca riktheu baraspeshën.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Juventusi përmbysi rezultatin. Sërish protagonist ishte Conceicao, i cili këtë herë asistoi për Ekhatorin. Ky i fundit nuk gaboi me të djathtën, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke mbyllur pjesën e parë me avantazhin 2-1 për italianët.
Në fraksionin e dytë, Juventusi vazhdoi të kontrollonte lojën dhe në minutën e 68-të gjeti edhe golin e tretë. McKennie shërbeu një pasim të shkëlqyer për Conceicaon, i cili fillimisht u ndal nga portieri Kaminski, por në tentativën e dytë arriti të dërgonte topin në rrjetë për rezultatin 3-1.
Vetëm pesë minuta më vonë erdhi edhe goli i katërt. Boga u fut nga krahu i majtë drejt qendrës dhe me një goditje të bukur të harkuar vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.
Me këtë sukses, Juventusi shkon në kuotën e 13 pikëve dhe ngjitet në vendin e dytë të renditjes, pas Bournemouth. Ndërkohë, Omonia Nicosia mbetet me gjashtë pikë, në një grup skuadrash që pozicionohen nga vendi i 19-të deri në të 26-in, ku bën pjesë edhe Milani.
Një tjetër mbrëmje pozitive për bardhezinjtë, që konfirmojnë ambiciet e tyre në Europa League.
