Pashk Përvathi: Jam përkujdesur gjithmonë të isha vetvehtja…

Intervistoi: Klodeta Gjini

Piktura për ju është pasion dhe profesion. Çdo të thotë të perceptosh një pasionin dhe ta zhvillosh atë në të gjitha elementët e tij?

P. P. Pasioni im për pikturën lindi heret.Në moshën 6 vjeçare pozova për nje piktor që babai e kishte sjellë në shtëpi  të realizonte portretin tim. Isha aq fëmijë sa nuk e kuptoja se çfare ishte ky lloj profesioni, por nga ajo ditë nuk reshta së dashuruari këtë lloj magjie figurative. Fillimisht me një lloj naiviteti femijnor përpiqesha të realizoja portretin e gjyshes time duke imituar piktorin i cili kishte realizuar portretin tim. Nëse fillimisht vizatoja pa kuptuar, vetem nga pasioni duke mos ditur çfarë është ky profesion, me kalimin e viteve sidomos gjatë shkollës 8-vjeçare, mësuesit e mi më binden se rruga ime ishte arti i pikturës.Kjo mbeti nje ide fikse në mendjen time.Jetoja në një qytet pa asnjë traditë në artin e pikturës dhe kjo ma bënte më të vështire rritjen time. Kur fitova konkursin për të studiuar në shkollën e mesme të pikturës në Tiranë, pranë Shkollës së Mesme të Kulturës, dega Pikturë, kjo mendoj se është dita e fillimit të rrugëtimit tim drejt artit. Një rrugetim drejt artit i gjatë dhe plot vështirsi. Ka pasur momente që kam menduar se rruga ime do të mbetej në mes nuk do zhvillohej më. Në Akademine e Arteve shkova më shumë vonesë; isha i martuar dhe me dy fëmije. Shkëndijën e shkollës ma ngjizi pedagogu i kësaj akademie, piktori i njohur Petro Kokushta., por vajtja në akademi, rifillimi I studimeve ishte një plotësim i ëndrrës time.

Nuk mjafton të kesh pasion për të qënë profesionist i kualifikuar por duhet edhe punë, ushtrim, dedikim? Si e keni përjetuar ju këtë shteg profesional ku keni ecur?

P.P. Prezenca ime në ekspozim në Galerinë Kombëtare të Arteve erdhi në moshë të hershme; isha vetëm 21 vjeç, kur peisazhi “Vjeshtë në Manati” u ekspozua krahas mjeshtërve shqiptarë. Kjo prani ishte një përzgjedhje që më dha shumë besim e frymëzim njëherazi. Ndërkohë në Lezhë ishte krijuar dhe bërthama e parë me artistë të shkolluar. Me kolegë e mi, por dhe vetëm, kam shtegëtuar në rrethinat e qytetit duke realizuar peisazhe të shumtë. Qyteti i vjetër ishte muza ime e përhershme. Ekspozimi i peisazhit të parë në Tiranë u pasua më të tjerë vitet në vazhdim dhe në një farë mënyre këto peisazhe përcaktuan dhe rrugën time, atë të peisazhistit.

Gjinia e peisazhit u shndërrua në një pjesë të identitetit tim artistic; mbas përfundimit të Akademisë kam realizuar 41 ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit. Asnjëherë nuk kam thënë se kam arritur përsosmërinë në një vepër.Përfaqësimi im gjithnjë ka qënë  në gjininë e peisazhit, por revolucioni i vërtete për artistët e peisazhit ka ndodhur mbas vitit 2007.

Në Shqipëri lindi një traditë e re, ajo e organizimit të Kolonive të Artit. Kam shtegëtuar me kolegët e mi, por dhe në mënyrë individuale në të gjitha trevat shqiptare nga veriu në jug, por sidomos në periudhën e vjeshtës për të realizuar peisazhe. Kavaleta ime është ngritur edhe në vendet fqinjë, kryesisht në Itali, në vendet më të bukura të saj si: Çinque Terre, Venecia, Roma, Firenze, Kalabria. Ato tashmë janë të hedhura në telajon time dhe kjo më jep shumë kënaqesi.

Mjeshtër në peisazhe, por mjeshtër edhe në përdorimin e ngjyrave të ftohta për të trasmetuar ngrohtësi, karakteristikë e veçantë. Çfarë raporti keni me ngjyrat?

P.P. Në fillimet e mia krijuese, peisazhet përshkoheshin nga ngjyrat opake, pa shkëlqimin e dritës së diellit. Ishte një influence edhe artit që është zhvilluar në vitet 80-të në Shqipëri. Tingulli i forte i ngjyrës nuk njihej asokohe, megjithatë me këtë lloj mënyre shprehje krijohej një bilancim i bukur në tabllo dhe unë ruaj në studjon time disa vepra të asaj periudhe. Kur i shikon sot, ato në ngjyra duket sikur përjetonin në një botë më vehte duke i krahasuar me veprat që janë realizuar mbas viteve 90-të.

Tashmë kishte mbërritur liria e shprehjes dekorative. Ngjyrat nuk konsideroheshin më si shfaqje  e huaj në art, por e rëndësishme ishte që kapercimi të ishte sa më natyral; jo i stisur, por duke ruajtuar elementët e shprehjes figurative e stilistikore që ishin të miat dhe i kisha konsoliduar prej vitesh. Lëvizja ime në treva të ndryshme të Shqipërisë e pasuroi paletën time të ngjyrave.  Nëse dikur në ngjyrë isha më i vakët, tashmë ngjyrat e ngrohta të ekuilibruara me ato të ftohta lodronin në tabllonë time. Vithkuqi me vjeshtën e tij të imponon shprehje tjetër të nuacave të ngjyrav, atje ka shumë muzikalitet në natyrë dhe shumë nuanca në aspektin viziv, ndoshta si askund tjetër në Shqipëri; po ashtu Valbona, Thethi, Lepusha. periferia e Korçës. Shqipëria është vend me diell.

Piktura në vetvete është statike, por tuajat trasmetojnë shumë dinamizën. Shikuesi përcepton lëvizjen. Diçka më tepër për perzgjedhjet që beni?

P.P. Piktura ime në rritjen e saj ka ruajtuar shumë elemente stilistikor ashtu siç dmundet edhe të ketë humbur ndonjë tjetër. Ndoshta me kohë, më vone studjuesit do të vlerësojnë më drejt këtë lloj zgjedhje. Ndërtimi me penelata të ndërthurura njëra me tjetrën sjell që piktura të bëhet më dinamike, të jep idenë e lëvizjes në tabllo. Unë nuk preferoj detajin e lustruar, por imazhin e detajit të ndërtuar me penelatë të dukshme.

Përveç stilit, piktura bëhet më dinamike nga ngjyra, të dyja së bashku ndërtojnë një të tërë, veprën. Jam përkujdesur gjithmonë të isha vetvehtja, por me kalimin e kohës vë re se kjo vjen me natyrshmëri.

Pejsazhet tuaja janë herë herë shumë realë pothuajse fotografi të ambientit dhe herë herë realë dhe surealë njëkohësht.. Janë sfumatura tepër delikate ato që shënojnë kalimet nga njëra situatë tek tjetra, por gjithmonë një pikturë tejet e kthjellët, me linja të pastra. Si është zhvilluar stili teknika ndërvite? A kanë ndryshuar ato?

P.P. Mendoj se askush nuk zgjedh një stil shprehje figurative. Ai lind bashkë me dëshiren e tij për të pikturuar, natyrisht nuk e përjashtoi ndikimin e shkollimit, por në rastin tim që në moshë të re kam qënë i orientuar kundrejt një pikture me penelatë të dukshme. Tek unë ky element ka mbetur gjithnjë, mund të veçoj se me me kohën që rrjedh duke i krahasuar me ato të sotshmet penelata bëhet më e sigurtë, është dhe çështje përvoje. Pikturat e mia mbyllen në këtë lloj mënyre zakonisht, por në raste të caktuara ka detaje që kthehen në pikën e qëndres së tabllosë dhe për rrjedhojë kërkojnë një studim edhe më të thellë.

Mund të them se piktura ime në kohë shtrirje ka ndjekur dy tendenca të ndryshme; ajo e fillimit, një pikturë impresioniste e kontaktit direkt me natyrën që arrin deri në vitin 1997 dhe më pas një pikturë tjetër, dekorative në 10 vjetët e mëvonshëm. Piktura dekorative është zhvilluar kryesisht në studjo duke ndërtuar tabllo me një koncept dekorativ dy dimensional të mbështetur në tabllotë e viteve të mëparshme. Motivet e asaj kohe ishin gurët, varkat, kodrinat dhe kuajtë. Përvoja e grumbulluar më lejon që të kem pastërtinë e ngjyrës dhe dekorativitetin e saj.

Në vitin 2007 shkova për herë të parë në Korçë dhe në rrethinat e saj. Ndjeva dëshirën e daljes në natyrë dhe kjo shënoi përfundimisht ndarjen time me studjon. Studjoja tashmë ishte peisazhi në natyrë. Pikturës time i ka bërë mire eksperienca 10 vjeçare në studjo duke i dhuruar  peisazhit, dinamikën, pastertinë dhe dekorativitetin.

A ka ndryshime midis artdashësit shqiptar dhe atij të huaj në preferencat që kanë?

P.P. Veprat e mia pëlqehen si nga artdashesi shqiptar ashtu edhe ai i huaj. Preferencat thuajse janë të njëjta: “Entuziazmi që sjell tek shikuesi nëpermjet të bukurës dhe ngjyrave të ndezura” Këtë më ka thënë menazheri i veprave të mia në SHBA, Leon Weinstein, disa vite më parë kur e pyeta pse më zgjodhet mua për të bashkëpunuar; ndërsa Roberto Di Paolo nga Ankona (menaxher arti), disa vite më parë më ka thënë se italianët parapëlqejnë ngjyrën jeshile që në fakt është pak e pranishme në pikturat  e mia. Unë kam mbetur kryesisht i fokusuar tek vjeshta për vetë pasurinë kromatike të saj.

Për mua është e rëndësishme një gjë, që vepra ime është e pranishme në shumë e shumë shtëpi e zemra të njerëzve kjo më ka dhënë shumë kënaqësi.

SHKARKO APP