Përkujtohet në Elbasan 53 vjetori i revoltës së Spaçit
Në kuadër të 53-vjetorit të revoltës së Spaçit, në teatrin “Skampa” në Elbasan u zhvillua aktiviteti “Poezia si kujtesë”, një organizim që synon të rikthejë në vëmendje periudhën kur fjala e lirë ndëshkohej dhe zërat kundërshtues përballeshin me persekutim e burgosje. Aktiviteti shërbeu gjithashtu si një homazh për poezitë dhe krijimet e shkruara brenda burgjeve famëkeqe të diktaturës komuniste.
Takimi u organizua nga poetja laureate Rita Petro dhe pedagogia Jonila Godole, të cilat zgjodhën të bashkëbisedojnë me të rinjtë për rëndësinë e kujtesës historike dhe vlerës së lirisë. Përmes diskutimeve dhe interpretimeve artistike, ato përcollën mesazhin se liria nuk është diçka e dhënë përgjithmonë, por një vlerë që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe angazhim për t’u mbrojtur.
Gjatë aktivitetit u vu theksi te rëndësia e ruajtjes së memories kolektive për periudhën totalitare në Shqipëri, si një mënyrë për të mos lejuar përsëritjen e gabimeve të së kaluarës. Organizatorët theksuan se shoqëritë që harrojnë historinë e tyre rrezikojnë të përballen sërish me të njëjtat pasoja dhe forma shtypjeje.
“Poezia si kujtesë” synoi të krijojë një urë komunikimi mes brezave, duke i afruar të rinjtë me historitë, vuajtjet dhe rezistencën shpirtërore të atyre që u përballën me regjimin komunist. Përmes artit dhe letërsisë, aktiviteti solli reflektim mbi rëndësinë e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes.
Organizime të tilla konsiderohen të rëndësishme për forcimin e ndërgjegjes qytetare dhe mbrojtjen e vlerave demokratike, duke e kthyer kujtesën historike në një mjet edukimi për brezat e rinj.
KOHA JONË SONDAZH

