Pesë artistë shqiptarë magjepsin publikun e “La Scala-s” së New York-ut
Nga Beqir SINA
Koncerti “Udhëtim nëpër botë me muzikë” ishte me të vërtetë një mbrëmje e magjishme.
BROOKLYN NEW YORK – Tre artistët tanë të nderuar dhe të talentuar, diva Inva Mula, pianist/composer Genc Tukiçi, violinisti Olen Cesari, në turneun në Amerikë e Kanada, të titulluar: “Travel Around the World with Music – Udhëtim nëpër botë me muzikë”, të shtunën në mbrëmje erdhën në Brooklyn – New York.
Ata preformuan në “La Scala-n” e Nju Jorkut në sallën e koncerteve “Grand Prospect Hall”, duke magjepsur qindra bashkëatdhetarë me interpretimet e tyre të mrekullueshme, që zgjatën me shumë se 1 orë dhe korrën sukses të jashtëzakonshëm.
Soprano Inva Mula, pianisti Genc Tukiçi, violinisti Olen Çesari bashkë me sopranon e njohur të komunitetit shqiptar, Deshira Ahmeti – Kerliu dhe artisten e talentuar shqiptaro – kanadeze, Ana Gola në turneun ” Udhëtim nëpër botë me muzikë”, sollën pakëz Shqipëri, por edhe muzikë klasike botërore para një publiku, që u mahnit me performancën e tyre.
Yjet shqiptarë, treshja e mahnitshme Mula-Tukiçi-Cesari, të cilët sapo hodhën mbi “krahët” e tyre një histori tjetër suksesi, javën e kaluar në Otava të Torontos – Kanada, Kishën e Shën Palit në Detroit, të shtunën mbërritën këtu në Nju Jork.
Aritistët shqiptarë preformuan në këtë koncert të organizuar nën kujdesin e lartë të Ambasadores të Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, H.E. Zonja Besiana Kadare dhe pas kuintave janë përkrahësit dhe sponsorët, pikërisht, ata që kanë bërë të mundur disa koncerte të tre artistëve Inva Mula, Genc Tukiçi, dhe Olen Cesari, janë familja e respektuar Rusi nga Shtetet e Bashkuara, z.Ilir Rusi, bashkë me bashkëshorten Gëzimen dhe vëllezërit Selim dhe Beni Rusi!
Një “peshë” të madhe në këtë spektakël në Nju York, kanë edhe dy artistët, çifti dibran, Dëshira Ahmeti Kërliu dhe Arjan Kërliu.
Sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu, që veçse i shtoi shkëlqimin e skenës treshes së mahnitshme Mula-Tukiçi-Cesari, së bashku me risinë e kësa mbrëmjeje ishte artistia shqiptaro-kanadeze Ana Golja, që i dha një dimension tjetër skenës, me zërin dhe stilin e këngëve amerikane të gërshetuara me klasike në duet dhe më pas me ato shqiptare ne trio bashkë, me Divën tonë Inva Mula dhe Maestro Genc Tukiqi dhe virtuozi Olen Cesari, që ishin aq te kërkuar dhe të duartrokitur.
Koncerti i datës 5 tetor 2019 në sallën gjigande “Grand Prospect Hall”, në lagjen Brooklyn, të qytetit të New York-ut, në një sallë plot e përplot për më shumë se 300 shikues, shqiptarë dhe amerikanë, showman, afaristë, biznesmenë, gazetarë, artistë, studentë, veprimtarë të komunitetit, liderë, etj., ishte një natë e madhe e muzikës klasike shqiptare, që do të mbetet gjatë në mendjen e atij publiku me shumë klas dhe kualitativ.
“Grand Prospect Hall” në lagjen Brooklyn është vendi i preferuar ku artdashësit përjetojnë shkëlqimin e viteve 1890, që nga momenti kur bëjne hyrjen në kete salle gjigande me llozhat përreth dhe hollin e praruar në mermer e që të kujton gjithë shkëlqimin e sallave te muzikës klasike dhe mondane të Versajës, La Scalës, Madridit, Tokios, Londrës, Moskës, Berlinit, etj..
Mbas, këtij koncerti në “La Scala” të Nju Jorkut, gazeta Bota Sot foli me një nga protagonistet e këtij koncerti Sopranon, Dëshira Ahmeti Kërliu
Ajo tha se koncerti mbrëmë solli një risi në muzikën klasike për artëdashësit shqiptarë që ishin të shumtë në numër, por edhe për publikun amerikan, si nga programi ashtu dhe nga vendi ku mbahej koncerti!
“Atmosfera, që u krijua mbrëmë ishte e magjishme, me një përzjedhje të këngëve më të bukura të repertorit shqiptar dhe botëror. Publiku, i mbrëmshëm e dëshmoi se sa shumë është i etur për muzikë kualitative dhe me shpirt. Duartrokitjet, dhe shoqërimi i disa këngëve bashkë me këngëtarët ishte i mrekullueshëm. Koncerti, i mbrëmshëm i bëri të ndjehen sikur të ishim në sallat mondane të Vjenës, Italisë, Londrës, Tokios, Berlinit, etj. me gjithë bukurinë dhe origjinalitetin që ka ajo sallë – “Grand Prospect Hall” në lagjen Brooklyn NY”.
Sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu dhe bashkëshorti i saj Arjan Kerliun kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke i falur publikut një mbrëmje të paharruar të muzikës klasike.
“Vetë interesimi që kishin njerëzit për të ndjekur këtë koncert, tregon që ne kemi një publik që duhet ta mbajmë sa më pranë, duke e “ushqyer” vazhdimisht me muzikë të të gjithë zhanreve të saj, për t’ju falur gjithmonë emocionet, që ata i përjetuan mbrëmë”, tha Sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu.
Më tej duke folur për koncertet e Divës, Inva Mula në Nju Jork, sopranoja Ahmeti -Kerliu u shpreh, “Për dallim nga koncerti i parë që kishim në Manhattan tre vjet më parë, në 2016, i cili mbetet koncerti historik Inva Mula në Nju York, është ajo që këtë radhë nuk kishim përcjelljen e Orkestrës Simfonike, por me piano dhe violinë ne arritëm të mbushim skenën me po të njëjtin emocion, që me shumë mjeshtri e sollën Maestro Genc Tukiçi dhe violinisti virtuoz Olen Cezari. Dhe, ajo që ishte risia e mbrëmjes ishte artistja Ana Golja, nga Kanadaja, që i dha një dimension tjetër skenës me zërin dhe stilin e këngëve amerikane të gërshetuara me klasike, në duet dhe më pas me ato shqiptare në trio bashkë me Divën tonë Inva Mula dhe Maestro Genc Tukiçi, si dhe virtuozi Olen Cesari!”
Për gazetën Bota Sot, sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu thekson se, “Ishte me të vërtetë një mbrëmje e magjishme dhe ne i premtojmë këtij publiku të mrekullueshem të komunitetit shqiptarë, që do të sjellim koncerte të tjera të këtij niveli edhe në të ardhmen, sepse ne jemi me fat të gjithë që kemi një komunitet të madh artistësh shqiptarë në Amerikë”.