Pianisti i muzikës xhaz, Senri Oe do të performojë në Tiranë

Në kuadër të Edicionit të tetë të “Tirana International Jazz Festival”, Ambasada e Japonisë ka ftuar Z. Senri OE, muzikantin, kompozitorin, pianistin dhe kantautorin e mirënjohur të muzikës xhaz për të performuar për publikun shqiptar.
Ai do të luajë në piano dy netë radhazi në Sallën “Tonin Harapi” të Shkollës “Jordan Misja”, në datën 11 tetor në orën 20:00 dhe në datën 12 tetor në orën 18:00. Z. OE do të organizojë gjithashtu, një seminar në Sallën “Tonin Harapi” të Shkollës “Jordan Misja” në datën 12 tetor në orën 11:00, për të ndarë me entuziastët shqiptarë të xhazit përvojën e tij personale mbi aspektet e ndryshme të kësaj rryme muzikore.
Z. OE është një muzikant japonez i cili vendosi t’i përkushtohet pasionit të tij për muzikën xhaz në moshën 47 vjeçare; duke lënë pas krahëve një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme në rrymën e muzikës pop në Japoni, gjatë së cilës fitoi edhe çmimin “Japanese Grammy”, për të ndjekur Muzën e tij artistike.
Aktualisht, ai është duke jetuar ëndrrën e tij në New York, duke ri-zbuluar vazhdimisht veten si një artist i muzikës xhaz, duke iu përkushtuar kompozimit të muzikës xhaz, dhe duke mahnitur vazhdimisht dëgjuesit dhe bashkëpunëtorët e tij me pasionin, entuziazmin dhe dashurinë për muzikën.

SHKARKO APP