Prof. Xhemal Meçi, korifeu i dijes që e shndërroi historinë në kujtesë të gjallë të kombit
Nga Halil Rama
Vepra e tij studimore-shkencore e publicistike e rendit me elitën krijuese të kombit, si simbol i dijes, përkushtimit qytetar, paqes dhe dashurisë njerëzore
Prof. Xhemal Meçi – “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi” i Pukës, autor i veprave madhore “Traditë iliro- arbërore”; “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, (dy vëllime, në varianti Pukës dhe variantin e Mirditës), “Puka që në lashtësi”, etj, këtë 23 korrik feston 90-vjetorin e ditëlindjes.
Nëntëdhjetë vjet jetë është një kuotë shumë e lartë. Prof. Meçi ka meritën se e ka arritur këtë kuotë të lartë, jo i drobitur, por në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore, një formë që do ta kishin zili edhe të rinjtë.
Në këtë jubile të 90-vjetorit të ditëlindjes, na gëzon pa masë fakti që profesori shfaqet kudo si një intelektual i përgjegjshëm, predikues i vlerave tona kombëtare, i dashurisë për Atdheun, si simbol i dijes, përkushtimit qytetar, paqes dhe dashurisë njerëzore.
Mishërues dhe përçuesi i vlerave më të spikatura njerëzore, intelektuale, krijuese e profesionale, i interesave të gjera dhe i kontakteve të gjalla me njerëzit, i dëgjueshëm dhe debatues me argumenta kokëkforta,
Ai vlerësohet dhe nderohet sot, si një personalitet që ia kushtoi jetën studimit të historisë. Dhe jo vetëm vetë, por duke ftuar edhe disa historianë të Akademisë së Shkencave dhe duke i çuar nëpër vende në Pukë, ku ishin gjurmët e lashtësisë së kësaj treve emërndritur në historinë tonë kombëtare.
Xhemal Meçi, i erdhi Pukës në kohën e duhur, si intelektual i paqtë dhe i arsyeshëm, që mundi të çante pa droje mespërmes terrin, si një shkëndi drite ngadhënjimtare dhe të flakadantë, si një moment shprese për Kabashin që e lindi 90 vjet më parë dhe Pukën që e rriti këtë intelektual me vlera të mëdha.
Në kujtesën e historisë dhe arsimit, Xhemal Meçi mbetet ndër ato emra të veçuar, të cilët erdhën për të mbetur përgjithmonë si jetësorja e patjetërsueshme e që me punën e tij pasionante arriti t’i shndërronte ata në podin e famës. Ai është e do të mbetet në memorien e të gjithëve si një testament i çmuar i arsimit dhe historiografisë në vendin tonë.
Sepse, gjithmonë dhe kurdoherë, inteligjenca e tij prej dishepulli dhe shërbyesi, shpërfaqet në botën e inteligjencës dhe dijes në Pukë, Shkodër e në gjithë Shqipërinë si një vullnesë e mirë, si një motivim për studiuesit e rinj.
Ndaj dhe konsiderohet si një nga figurat dhe personazhet më të rëndësishëm të historisë së arsimit shqiptar, ku përgjatë gjithë rrugëtimit të vet tregoi vlera. Sepse fjala e tij e matur dhe me vend ishte dhe është si një prekje shëruse, si një balsam që paqton lëngimin, dhe që qasej e qaset të mbajë në jetë besimin tek populli pukjan e gjithëkombëtar, të cilët i janë mirënjohës ndikimit pozitiv që mëshiroi, mësuesi, studiuesi e historiani Xhemal Meçi.
Në këtë 90-vjetor të ditëlindjes së tij është rasti të evidentojmë faktin që Prof. Meçi është i mirënjohur, jo vetëm në Pukë e në qarkun e Shkodrës, por në gjithë Shqipërinë e hapësirën mbarëshqiptare në botë, si studiues, etnograf, historian dhe mësues shembullor, i cili mban titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Pukës”, sepse Ai ka dhënë një kontribut të vyer në mbledhjen e traditave, historisë, toponimisë dhe etnografisë së trevës së Pukës dhe Veriut të Shqipërisë.
Dukshëm kjo reflektohet në mbi 100 artikuj të mirëpëgatirut prej tij dhe të botuar në buletine shkencore e në shtypin periodik përgjatë 60 viteve, nga 1965-2025, të karakterit shkencor si dhe në veprat e tij madhore:
• “Traditë Iliro- Arbërore”;
• “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Varianti Pukës, Itali 1996;
• “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, varianti i Mirditës, Tiranë, 2002;
• “Puka që në lashtësi” , Tiranë, 2003;
• “Kabashi”, Tiranë, 2008;
• “Poeti i Malësisë”, Tiranë, 2013;
• “Poeti i Kabashit”, Tiranë, 2014,
• Puka (guidë),Tirane 1998, (shqip -anglisht-frëngjisht); etj, etj.
Këto vepra madhore që qëndrojnë dinjitetshëm në panteonin e vlerave kombëtare bartin histori reale për vende, topose, kështjella, të cilat shoqërohen me legjenda e tregime të moçme. Kësisoj, Prof. Meçi nuk është vetëm një gjurmues i arkivit të gjallë, por edhe studiues dhe sistemues i arkivit të dokumentuar, si edhe në rastin e monografisë kushtuar Haxhi Rrustë Kabashit.
Ndërsa në librin e botuar para dy viteve “Na ka ç’u Shkodra nji fjalë” të Prof. Meçit gjejnë pasqyrim veprimtari akademiko – shkencore, të zhvilluara në Shkodër, Pukë e Tiranë, me objekt studimin e historisë së rezistencës së shqiptarëve në Luftën për mbrojtjen e Shkodrës së rrethuar prej ushtrive pushtuese serbo-malazeze (Nëntor 1912 – maj 1913), si një prej luftërave më heroike dhe po aq të lavdishme të kombit shqiptar, si dhe për traditat, kulturën e lashtësinë e gjuhës shqipe.
Nëpërmjet huluntimesh e studimesh skurpuloze, autori i këtij libri sjell për lexuesin shkrimet interesante: “Puka – një qytet i bukur turistik malor” (ballë madhështisë së Alpeve Shqiptare), në 110-vjetorin e hapjes së shkollës Shqipe të Kabashit (1914-2024); “Abacia e Shën Palit të Pukës, Grykë Kabash në 1440 – vjetorin e saj” , etj.
Duke qenë një mësues e studiues i përkushtuar e duke shërbyer me devotshmëri e profesionalizëm në detyra dhe pozicione të ndryshme, që nga pozicioni i mësuesit, më tej drejtor shkolle, drejtues i kabinetit pedagogjik të rrethit Pukë, përgjegjës, specialist dhe drejtor i muzeut historik të rrethit Pukë, ku ende vazhdon me pasionin e tij të shërbejë në muzeun e arsimit “Migjeni” dhe njëkohësisht në pavijonin e ekspozitës “Etno-kulturore” Pukë, prof. Meçi u transmeton grupmoshave të ndryshme vendase dhe të huaja, si dhe Trupit Diplomatik të atashuar në Shqipëri, trashëgiminë tonë kulturore që nga periudha Iliro-Arbërore e deri sot.
Ju të dashur miq pukjanë e dini se sa me interes është pritur vepra e prof. Meçit për Kalanë e Dalmaces (Komanit). Kësisoj Ai ka lënë gjurmë të pashlyera dhe ka fituar mirënjohjen e brezave që edukoi me dashurinë për dijen, për atdheun dhe me virtyte qytetare.
Librat e tij “Migjeni në Pukë” e “Ndue Jak Pjetri – Mesues i Popullit”, (me bashkautor), janë një kujtesë e saktë që përcjell nivelet kohore të zhvillimit arsimor në këtë trevë, vështirësitë e para por edhe pasionin e madh për dije.
Formimi i tij si malësor me tradita dhe shkollimi i lartë, plus pasioni dhe këmbëngulja në hulumtimin shkencor, përbëjnë tri tipare të arrira të këtij njeriu të dalluar në fushën e dijes, të cilat gjenden sot në librat e tij, por edhe në punimet shkencore – artikujt që botoi te gazetat “Bashkimi” në krye të herës e më vonë te gazetat “Albania”, “RD”, Republika”, “Nacional”, “Tirana Observer” e në vijimësi te gazeta jonë “VETERANI”.
Si një nga drejtuesit kryesorë të OBVLP dhe kryeredaktor i gazetës “VETERANI” kam patur kënaqësinë dhe privilegjin ta kem firmën autoriale të prof. Meçit në pothuajse 456 numrat e kësaj gazete të botuar në harkun kohor të tri dekadave të fundit, ku me prurjet e tij interesante në artikuj mjaftë profesional për historinë e personalitete të saj, ja ka rritur autoritetin dhe prestigjin këtij organi konkurues në tregun mediatik shqiptar..
Sepse Prof. Meçi është një personalitet shumëdimensional me interesa të gjera dhe me njohje të madhe që vjen nga puna studimore me produkt mjaftë cilësor publicistik, historik e shkencor. Madje, ai herë – herë i tejkalon interesat historike, si në rastin e botimit para një viti të librit “Dëshmorët e Atdheut të Pukës” (Vëllimi I).”, një vepër analitike, por edhe me informacion të detajuar dhe të saktë, që trajton mirëfilltazi historinë dhe profilin patriotik të të rënëve nga krahina e Pukës, e që dokumenton ngjarje dhe dëshmorë që dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare ndër vite.
Kësisoj, dashuria për vendlindjen shprehet tek ky personalitet i shquar në fushën e studimeve dhe botimeve, së pari në njohjen e historisë së saj sidomos kur është fjala për Pukën, këtë trevë të njohur, ndaj dhe do ta thellonte këtë punë dhe do t`i jepte krah kësaj dashurie me këtë libër mjaft të rëndësishëm, ku evidenton disa ngjarje të rëndësishme në historinë e Pukës, që rezonojnë në historinë kombëtare dhe anasjlltas.
Ai e shikon historinë e Pukës si pjesë integrale e historisë kombëtare dhe evidenton pikërisht ato ngjarje të cilat përbëjnë pikën kulmore të ekzistencës së kësaj krahine dhe të kombit në tërësi, ku pasqyron më së miri me dokumenta ato figura dhe ngjarje sa dramatike aq edhe burrërore, duke sjellë kështu në mënyrë bindëse dhe me metoda shkencore që përvijohen nga fakti tek argumenti dhe nga argumenti te dokumenti ose nga e treta drejt së parës.
Ajo që vihet re tek ky personalitet që punoi në heshtje, është riogoroziteti shkencor dhe ftesa për debat për mjaft probleme të historisë, me qëllimin që historia të mos shkruhej mbi bazë oreksesh ose nga politika e ditës. Ishte dhe është në një farë mënyre edhe sot në moshën 90-vjeçare, një historian që të hedh dorashkën për debat shkencor dhe pranon vetëm vërtetësinë e faktit dhe këtë të mbështetur mirë jo mbi sajesa, por mbi dokumenta të besueshme dhe origjinale.
Sepse dashuria për historinë krahinore, por edhe kombëtare duhet mbështetur patjetër edhe në aftësinë e në përvetësimin e dijes, dhe kësaj ia doli me sukses në rrugëtimin e tij akademiko-shkencor prej më se shtatë dekada.
TITUJT DHE MEDALJET
Si një nga figurat e shquara të arsimit dhe historiografisë, i përkushtuar për Shqipërinë, për lirinë, përparimin, demokracinë, me vlera të mëdha njerëzore dhe mbi të gjitha me kontribut titanik studimor-shkencor, Xhemal Meçit është vlerësuar nga organizma dhe forume nga më prestigjiozet, me urdhra, medalje, e dekorata si:
– Medalje “Naim Frashëri” nga Kuvendi i Shqipërisë ,Tiranë, 1972;
– Titull Nderi “Mirënjohje e qytetit Pukë”, Bashkia Pukë, 2000;
– Urdhri: “Naim Frasheri i Argjendtë”, Presidenti i Republikës,Tiranë, 2000;
– Urdhri: “Mjeshtër i Madh”, Medalje e Artë, Presidenti i Republikës , Tiranë, 2011;
-“Çmimi i Virtytit”- Për veprimtari të shquar në shërbim të Paqes, Progresit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut-nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, Tiranë, 2013.
Vepra shkencore studimore e Xhemal Meçit është një diamant i stolisur në memorien tonë, është një pishtar i ndezur që brezat në vijim do ta trashëgojnë dhe që i drejtohen edhe sot qytetarë, lexues e studiues, profesorë dhe Akademik ta çojnë përpara.
NDERIMI
Prof. dr. Xhemal Meçi mbushi (me 23 korrik 2026) plot nëntëdhjetë vjeç dhe ashtu i qetë si gjithmonë është nisur tek të njëqintat. Ndaj dhe përzemërisht i urojmë që Zoti t’i dhurojë akoma jetë të gjatë, të shëndetshme dhe të lumtur, këtij korifeu të dijes e të shkencës, këtij burri kaq të urtë e të thjeshtë, këtij edukatori të tërë brezash, këtij kontributori të papërsëritshëm në fushën e studimeve historike, këtij burri të madh të kombit tonë. Dhe pikërisht në këtë ditëlindje jubilare të 90-vjetorit të ditëlindjes, Kryesia e Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ dhe Pasardhësve (OBVLP), i akordoj Prof. Xhemal Meçit Titullin “NDERI DHE KRENARIA E OBVLP, me motiacionin: “Për kontributin e shquar si studiues, shkrimtar dhe publicist, i cili ka pasqyruar më së miri në faqet e gazetës VETERANI”, historinë, kulturën, traditat e cilësitë identifikuese të shumë viseve shqiptare, veçanërisht të trevës së Pukës, si dhe vlerat e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar” .
KOHA JONË SONDAZH

