Pse është i trishtuar fëmija Jezus dhe hyjlindësja Mari, në tablotë e Rafaelit?!
Albert Vataj
Ndoshta edhe kjo pikëpyetje do të mbetet e tillë si shumë e shumë dilema të tjera që mistifikojnë artin dhe grishin studiues dhe ekspertë të fushave, që të trillojnë dhe ngjizin teori dhe konspiracione të ndryshme, të thurin hipoteza dhe të ngrenë supozime.

Gjithsesi ky është fakt, fëmija Jezus në tablotë e Rafaelit është i trishtuar, edhe pse ai gjithnjë gjendet në krahët e nënës së shenjtë, Mari. Fëmija Jezus në asnjë nga punët e mjeshtrit nuk është qeshur, shprehia e Tij e fytyrës e ka të poamundur ta shkruar qoftë dhe një notë të vetme të haresë. Piktori në shprehinë e syve të fëmijës Jezus, por edhe të kerubinëve, reflekton çfarë shohin sytë e tij, çfarë e trazon atë në shpirt, çfarë e shtytë në mendime dhe e cyt në vepër, sendërgjuar me delikatesë dhe përkujdesje nëpërmjet ngjyrave, dritëhijes dhe tërësisë së asaj që mëton çfarë shpërfaqet.

Fëmija Jezus në tablotë e Rafaelos është gjithnjë i ndrojtur, i frikësuar, po. Ai e ndjen gjithnjë nevojën për të gjetur strehë në gjoksin e të ëmës, Mari. Bota për të është e pasigurt, kërcënuese dhe e rrezikuar. Ai askund më i sigurt se në prehrin e nënës nuk ndihet. Por edhe aty, në portretin e fëmijës Jezus është lehtësisht i lexueshëm ai hutim, ajo frikë, ajo ndjen fëmije e pambrojtur nga mosha dhe e ekspozuar nga sakrifica. Shpirti i piktorit nuk ka mundur ta fshehë këtë vragë të dhimbshme që e lëndon në të çdoditshmen e tij. Ai përjetoi fëmijën e shenjtë të njeriut të sakrificës dhe mishërimit të të lartit vullnet ngadhënjimi mbi vdekjen, i mishëroi gjithë mundimet me një shpirt që e lartësoi vullnetin dhe i blatoi besimit, atë që kishte më të shtrenjtë dhe që e përjetësoi, artin.

Gjithsesi fëmija në pikturat e Rafaelos është një përsosmëri që gjithnjë e ndjen pamjaftueshmërinë dhe msopajtimin, jo me atë çfarë është e tija, por me atë çfarë brenda misionit të Tij ngjizet, përmes atyre syve, përmes atij vështrimi.
Fëmijës mrekulli nuk i lejohet të jetë një fëmijë si gjithë të tjerët, të luaj, të lëshohet shkujdesur në krahët e rastësores. Ai ka ardhur me mision prej barkut të nënës së virgjër, rritet në prehrin e saj dhe në atë prehër edhe prehet deri në ringjallje. Piktori e lexon dhe na e dëshmon atë. Ai bëhet rrëfyes dhe mbrojtës i këtij sublimiteti. Dhe ne…? Ne jemi dhimbja dhe trishtimi në syt e Tij, jemi faji dhe mëkati për të cilat Ai do të mishërojë në tokësoren e Tij me vetëflijim, atë vullnet të lartë shpëtimi dhe shëlbimi që e shpërblen me dritën e hyjnisë dhe pavdekësi.

KOHA JONË SONDAZH

