Ramush Haradinaj nderon ikonën Ismet Peja
Ismet Peja mbetet një ndër ikonat e muzikës së mirëfilltë shqipe. Këngëtari ka mbushur në muajin prill plotë 82 vite gjersa gjatë ditës së sotme është pritur prej kryeministrit ende në detyrë, Ramush Haradinaj. Ky i fundit me këtë rast i ka ndarë një mirënjohje doajenit të muzikës shqiptare, i cili tërë jetën ia kushtoi artit.
”Kënaqësi ta prisja këtë mëngjes doajenin e muzikës shqiptare, Ismet Pejën, njeriu që tërë shekullin e tij jetësor ia kushtoi artit të këngës së mirëfilltë qytetare. Njerëzit që i kanë dhënë vlerë identitetit tonë, e meritojnë nderimin dhe kujdesin më të lartë shoqëror dhe institucional”.
Peja njihet për një numër të madh të këngëve që ka sjell ndër vitesh dhe konsiderohen perla të estradës sonë muzikore. Ai lindi në Gjakovë dhe që në fëmijëri prej moshës 13/14 vjeçare filloi të merrej me muzikë. Sukseset më të mëdha i arriti me shoqërinë muzikore “Hajdar Dushi”, me të cilën kishte prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë. Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Gjerë tani ka publikuar një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta. Në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.